Pabesia e PS në Komisionin e Ligjeve, me kërkesën e saj antiligjore
Është mbledhur dje në mëngjes Komisioni i Ligjeve i cili do të merrte në shqyrtim kërkesën e Partisë Socialiste për ngritjen e komisionit hetimor të zgjedhjeve të 28 qershorit të 2009. Por në këtë mbledhje për ngritjen e komisionit hetimor të kërkuar me aq ngulm, opozita si gjithnjë më bojkotet e saj të vazhdueshme ka braktisur sërish komisionin Parlamentar të Ligjeve, me pretendimin se mazhoranca nuk po i merr parasysh kushtet e saj për ngritjen e këtij komisioni.
Tashmë është i ditur qëndrimi i opozitës ndaj zgjedhjeve të 28 qershorit të 2009-ës.
Në këtë komision parlamentar të ligjeve deputeti socialist Fatmir Xhafaj lexoi projektvendimin e socialistëve, që sipas tij është në përputhje me ligjet.
Xhafaj tha se “ky projektvendim është në bazë të qëndrimit politik të palëve dhe rrëzimi i tij do të rrezikonte zgjedhjet e ardhshme. Nëse nuk miratohet dështon transparenca e zgjedhjeve dhe rrezikon manipulimi i zgjedhjeve të ardhshme”, tha ai.
Gjithashtu Xhafaj ka kërkuar shumicën vendimmarrëse në komisionin hetimor duke sqaruar sërish se Partia Socialiste nuk kërkon hetimin e fletëve të votimit, por të materialeve zgjedhore.
Menjëherë pas këtyre deklaratave të deputetit të partisë socialiste Fatmir Xhafaj reagoi deputeti i Partisë Demokratike Viktor Gumi duke argumentuar se projektvendimi i PS-së nuk jep fakte, por vetëm dyshime. Sipas tij në këtë projektvendim shkelet neni 77 pika 2 e Kushtetutës dhe se kjo kërkesë ka dykuptimësi.
Gjithashtu deputeti Viktor Gumi deklaroi se “Projekt-vendimi i sjellë nga PS ka defekte të rënda në përcaktimin kushtetues të objektit të hetimit, përcaktimit kushtetues të zbatimit të ligjit të posaçëm për përbërjen e tij, përcaktimin kushtetues të respektimit dhe mos-cenimit të veprimtarisë së tij me organet e tjera, si dhe përcaktimit kushtetues të efektivitetit dhe racionalitetit të veprimtarisë së kuvendit. Për pasojë projektvendimi mund të miratohet në parim nga ana e komisionit, por miratimi në parim nuk do të thotë se teksti i projektvendimit në komision është po ashtu i gatshëm për votimin pro të përmbajtjes normative të tij. Pikat 2, 3, 4 duhet të riformulohen në mënyrë të pashmangshme nga këndvështrimi kushtetues”.
Po ashtu, edhe deputeti tjetër Edi Paloka i cilësoi pretendimet e opozitës si antikushtetuese. “Kjo që kërkoni ju të nderuar anëtarë të PS në këtë Komision është, antikushtetuese”, tha Paloka.
Pas reagimeve të Gumit dhe Palokës, Xhafaj tha se me këtë qëndrim të mazhorancës, qëndrimi i opozitës në Komisionin e Ligjeve për të diskutuar, do të ishte e kotë, duke bërë fakt edhe largimin nga ky komision.
Pas kësaj, deputetët e Partisë Socialiste braktisën sallën e Komisionit të Ligjeve.
Pasi deputetët e PS-së braktisën komisionin, anëtarët e mazhorancës miratuan të vetëm një relacion të deputetit Viktor Gumi që në përmbajtje kishte vërejtjet ndaj rezolutës së PS-së që propozonte ngritjen e Komisionit Hetimor për të kryer transparencën e zgjedhjeve parlamentare të 28 Qershorit të vitit, 2009. Gumi arsyetoi se objekti i hetimit në projektrezolutën e PS nuk ishte i qartë dhe jo në përputhje me Kushtetutën. Sipas deputetit demokrat, shumica në komisionin hetimor bazuar në ligj, duhet t’i takojë mazhorancës. Gumi në relacionin që mori votat në Komisionin e Ligjeve vlerësoi që pikat 2, 3 dhe 4 janë antikushtetuese, dhe kërkoi ndryshimin e tyre.
“Tre pikat e kërkesës së opozitës (2, 3, 4) duhet të vijnë në përputhje me Kushtetutën”, tha Gumi.
Edhe deputetja demokrate Mesila Doda në fjalën e saj vuri në dukje sloganin e PS-së i cili ka qenë dhe vazhdon të jetë “Hap kutitë” , “Berisha Ik, largohu”, etj.
“Kemi një vit e gjysmë që nga partia socialiste s’kemi parë gjë tjetër përveçse protestave të dështuara, grevës së urisë dhe mashtrimeve pa fund nga kryetari i saj. Kërkesa e PS-së sjell një frymë antieuropiane, një frymë autoritariste”, u shpreh Doda.
Deputetja e PD-së Mesila Doda e ka cilësuar kërkesën e PS-së si një kërkesë e cila është në inkoherencë të plotë nga ana e PS-së.
Gjithashtu edhe Ilir Rusmali deputeti i PD-së dhe anëtar i komisionit hetimor i ftoi anëtarët e komisionit të miratonin relacionin pa ndryshime. Tashmë gjithçka mbetet në dorë të seancës plenare të radhës pasi relacioni u miratua vetëm me votat e mazhorancës për relacionin e demokratit Gumi, ku u parashtruan shkeljet dhe referencat mbi bazën e të cilit socialistët duhet të ri-modifikojnë projekt-vendimin.
Shumica kërkoi që projektvendimi i opozitës duhet të riformulohet që të marrë votat e shumicës ditën e enjte kur në Kuvend është vendosur të votohet për kërkesën e PS, në ditën e fundit të sesionit kuvendor për këtë vit.
Edhe pse në seancën e fundit plenare palët ranë dakord për ngritjen e Komisionit Hetimor, me kushtin e vetëm që opozita do të rregullonte kërkesën e saj në përputhje me ligjin dhe Kushtetutën. Në këtë komision ajo që u bë evidente ishte fakti se Partia Socialiste reflekton një mungesë të theksuar vullneti për të dialoguar drejt formave të rëndësishme vendimmarrëse. Kërkesa e PS-së për ngritjen e komisionit hetimor bie ndesh me Kushtetutën, vendimet e Gjykatës Kushtetuese, ligjin për ngritjen e komisioneve hetimore dhe kodin e praktikave të mira për çështjet zgjedhore të komisionit të Venecias në pikat dy, tre dhe katër të tij. Deputetët e PD-së theksuan në këtë komision ligjesh se Partia Socialiste nuk duhet të shkelë ligjin dhe të veprojë në kundërshtim me kushtetutën.