Aksident te Kryeministria 2 të plagosur
TIRANE – Një aksident i rëndë ndodhi dje në mbrëmje rreth orës 20:00, në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” para Kryeministrisë në Tiranë. Dy kalimtare të cilat po lëviznin nga trotuari në anën e Pidamidës në drejtim të anës tjetër të rrugës që del tek KLSH-ja, janë goditur nga një makinë tip “Benz Rexhina” me ngjyrë të zezë. Kjo e fundit ishte duke ardhur nga ura e madhe e Lanës në drejtim të Politeknikut dhe në vendin ku ndodhi ngjarja, ka hyrë parakalim në krah të një fuoristrade të bardhë të markës “Ford”. Si pasojë e parakalimit me shpejtësi, makina e markës Benz ka parë kalimtaret vetëm pasi kishte marrë shpejtësi dhe për këtë shkak, drejtuesi ka manovruar. Megjithatë ai nuk ka mundur të shpëtojë kalimtaret që kanë marrë goditje të rënda por edhe është përplasur me makinën tjetër të cilën po parakalonte. Si pasojë e ngjarjes, makina që shkaktoi aksidentin ka ndaluar rreth 20 metra më tutje, fuoristrada ka mbetur në vend ndërsa dy viktimat, një mësuese dhe një punonjëse banke mbetën në rrugë për disa minuta pasi askush nuk po i ndihmonte. Policia tha se të dëmtuarat janë jashtë rrezikut për jetën.