Shkodra, e ardhmja turistike buzë liqenit e lumit Buna
SHKODER/ RITVAN DIBRA
Një qytet me fytyrë drejt ujit. Ky ka qenë qëllimi i studios italiane në projektin e qendrës së qytetit të Shkodrës.Prezantimi i fazës së parë të studimit të planit të përgjithshëm rregullues u bë dje në Bashkinë e Shkodrës, me pjesëmarrjen e një grupi pune të përbërë nga arkitektë vendas e të huaj si dhe specialistë të zyrës lokale të Urbanistikës. Arkitektët e kishin përqendruar vëmendjen e punës së tyre kryesisht në orientimin e qytetit drejt ujit e konkretisht liqenit të Shkodrës dhe lumit Buna. Në këtë kontekst ata kishin parashikuar që Shkodra të ketë disa qendra zhvillimi, ku bien në sy ato që janë në afërsi të liqenit. Fillimisht, ishte menduar që paralel me liqenin të ndërtohej një By-Pass, që lidh hyrjen e qytetit me rrugën dalëse në drejtim të Malit të Zi. Ky By-Pass, sipas prezantimit të djeshëm do të shoqërohet me sistemin e sipërfaqeve të gjelbra në afërsi të tij, ndërtimin e një porti turistik për skafe dhe jahte pranë rrugës së molos së dikurshme, por pa harruar përmirësimin e sistemit rrugor në këtë zonë si dhe ndërtimin e një qendre të madhe koncertesh bashkëkohore. Një tjetër zonë ku u përqendrua puna e arkitektëve italianë dhe shqiptarë ishte sistemimi i kodrave dhe i zonës në lagjen “Liria” në hyrje të qytetit, e cila kishte të bënte me një sistemin rrënjësor dhe bashkëkohor të lulishtes, që ndodhet në këtë vend. Meqenëse prania e ujit të liqenit të Shkodrës dhe e lumit Buna është e ndjeshme në këtë zonë ishte menduar që t’i paraprihet ndërtimit të një parku ujor.
Nuk ishte lënë jashtë vëmendjes së arkitektëve edhe zona historike e qytetit, ku parashikohen restaurime të ndërtesave ekzistuese. Për herë të parë, studimi urbanistik ka marrë në konsideratë zonën me tradita turistike në segmentin rrugor Shirokë-Zogaj. Këtu arkitektët kanë prezantuar zhvillimin e kësaj zone me destinacion turizmin e kryesisht atë familjar, duke përshtatur ndërtime, që janë të përshtatshme për një vend të tillë. Kështu, 15 ditë pas nënshkrimit të marrëveshjes zyrtare të kontratës, të fillimit të punimeve për ndërtimin e planit të përgjithshëm rregullues të qytetit të Shkodrës studioja fituese e këtij projekti ka filluar menjëherë nga puna. Ajo ka realizuar fazën e parë të prezantimit të drejtimeve kryesore të zhvillimit të qytetit, orientimin e tij dhe fillimin nga zonat hyrëse të qytetit, e cila ndodhet fare pranë zonës historike dhe liqenit të Shkodrës. Prezantimi i djeshëm u prit mirë nga specialistët, ndonëse do dhe 11 muaj që të përfundojë plotësisht projekti.