Mbeten pezull masterat njëvjeçarë
Mbeten pezull masterat njëvjeçarë për studentët që janë diplomuar para futjes së sistemit të Bolonjës. Fakultetet nuk kanë marrë ende asnjë udhëzim për fillimin e këtyre studimeve. Edhe pse Ministria e Arsimit ka deklaruar se këtë vit akademik edhe studentët me diplomë të integruar do të kenë mundësinë e fillimit të masterave, fakultetet janë ende në pritje të një vendimi. Kështu, këshilli studentor i fakultetit “Histori-Filologji” ka hartuar një kërkesë, nëpërmjet së cilës i drejtohet MASH-it për sqarim të situatës. Studentët e sistemit të vjetër 4-vjeçar, kërkojnë me ngulm që t’u jepet mundësia të nisin këtë kualifikim pasuniversitar. “Për t’u çuditur mbetet fakti se universitetet private e kanë nisur tashmë këtë proces. Pra i bie të jenë një hap para atyre publike”, shprehen studentët. E pyetur për këtë problem zyrtarisht, Ministria e Arsimit pohon se programet për masterat e diplomës së integruar, ndryshe 4-vjeçare, janë hartuar dhe aktualisht ndodhen në qendrën e akreditimit. “Pasi të rikthehen prej qendrës, do t’i dërgojmë në qeveri për miratim”, sqaron MASH. Por, ky dikaster nuk ka lënë asnjë afat për datën kur këto programe studimi do të jenë gati për të kaluar në fakultete. Sipas udhëzimeeve të ministrisë për t’u pranuar në një program studimi “Master i Nivelit të Parë” (MNP) kandidati duhet të ketë përfunduar së paku një program studimi të ciklit të parë, si dhe të plotësojë standardet akademike të kritereve të pranimit të institucionit respektiv për këto programe studimi, të cilat bëhen publike para fillimit të pranimeve në institucion. Për t’u pranuar në një program studimi “Master i Nivelit të Dytë” (MND), kandidati duhet të ketë përfunduar së paku një program studimi të ciklit të dytë apo program të integruar të studimit të ciklit të dytë, “Ekuivalentimi i titujve të studimit të fituar jashtë vendit, me qëllim pranimin në programet e ndryshme të studimit të ciklit të dytë dhe të tretë, bëhet nga institucionet e arsimit të lartë, duke respektuar aktet ligjore e nënligjore në fuqi, si dhe marrëveshjet ndërkombëtare”, përcaktohet në udhëzim.