E Shtunë, 31 Tetor 2026

Për Esat Pashën nuk ka varr, mbeti në morgun e Parisit 14 muaj

“The New York Times” tregon fatkeqësinë e ish-presidentit shqiptar. Nga jeta tejet luksoze e Gjeneralit deri tek harresa e trupit të tij

PARIS – 14 muaj më parë Esat Pasha ishte vrarë në një nga rrugët e Parisit. Akoma edhe sot trupi i tij gjendet në morgun e Bashkisë së Parisit, në pritje për t’u varrosur. Duket se askush nuk është i shqetësuar për të. Asnjë nga pjesëtarët e familjes, fisit dhe të vendit të tij nuk tregohet i gatshëm që të ndërmarrë një telash të tillë për të vendosur se ku mund të jetë varri i Esatit të madh. Duket se është më mirë për ta që ta lënë në një frigorifer të morgut të Bashkisë, që kushton 1.50 franga në ditë.
Në jetën e tij Esati njihej për diçka. Ai kishte më shumë armiq sesa thuajse çdo person i fuqishëm në vendet e tjera ballkanike.
Lavdia dhe mjerimi
Në vendin e tij, në Shqipëri, ai ishte më i fuqishmi, apo së paku, figura më spektakolare që kishte dalë për disa shekuj. Nga gjysma e bashkëpatriotëve të tij ai ishte brohoritur si shpëtimtari i tyre. Por nga gjysma tjetër zakonisht ai njihej tek ata që ishin prekur nga hakmarrja e tij si një qen tradhtar.
Në Paris ai jetoi një jetë luksoze prej mbreti, prerje e një figure që shumë mbretër nuk mund t’ia lejojnë vetes në këtë kohë të vështirë.
Se cili ishte burimi i parave që ai harxhonte për stilin jetesës që ai mbajti, ishte realisht një mister, por pasuritë e shumicës së europiano-lindorëve janë misterioze. Pikërisht atëherë, në lulëzimin e karrierës së tij, ai ishte qëlluar një të shtunë pasdreke, teksa ishte duke hipur në një automobili që ndodhej para hotelit, për të shkuar që të ndiqte garat e hipizmit.
Kufoma me numrin 17
Njeriu që e qëlloi atë ishte një student shqiptar. Përderisa krimi i tij ishte politik, ai është më me fat sesa Esati, pasi është akoma gjallë. Dhe Esati, shpëtimtari i fortë i vendit të tij, miku u presidentëve dhe mbretërve, i preferuari apo shqetësimi i ministrave, sipas politikës që kishte bërë, popullor, një figurë e shkëlqyer në shoqërinë e disa kryeqyteteve europiane, tani shtrihet në qivurin e zi dhe të rëndë prej plumbi të tij në mes të fatkeqve, i përçmuar, i panjohur në morgun e Bashkisë, ku askush nuk i jep atij një varr.
Te shërbëtorët dhe administratorët e morgut mbytës, në sallën e zymtë, ai njihet si “Numri 17”

Shkrimi është publikuar në “The New York Times” më 7 gusht 1921
Titulli është redaksional

Vëllai i gjakut ishte betuar për hakmarrjen ndaj Esat Pashës

Një gazetë franceze shkroi historinë e vëllazërimit përmes pirjes së gjakut

PARIS – Sipas një historie të shtjelluar gjerësisht nga një shkrimtar francez, e publikuar në “Excelsior”, hakmarrja për vrasjen e Esat Pashës, kryetar i delegacionit shqiptar këtu (Paris, - shën. red.) ishte pritur thuajse qetësisht nga vëllai i tij i gjakut (kishin pirë gjakun me njëri-tjetrin, - shën. red.). Sipas historisë së tij, ky njeri, tani i pasur dhe me ndikim në Francë, ishte një nga të rinjtë e varfër që 30 vjet më parë ishte njohur me Esat Pasha, i cili më pas njihej si “Sëpata e zezë e Abdul Hamidit” në Kostandinopojë, kur ai i hyri lojës së rëndë dhe këmbënguli në lojën që bëri me ta. Ata kundërshtuan që të bënin pjesë të lojës Esat Pashën e rrezikshëm, por ai ngulmoi, duke tërhequr vëmendjen përmes nxjerrjes së revolverit mbi tavolinë si një lloj kërcënimi. Kur e takoi këtë “vëlla nga gjaku” ai uli përdhe kamën e tij, i zemëruar tha: “Esat Pasha shfaqi befasinë e tij; më pas dëshirën e tij”. Ai thirri: “I riu, - kjo është hera e parë që dikush guxoi të më sfidojë”. Esat Pasha mori sëpatën e tij, çau një damar në kyçin e dorës, edhe në atë të të riut; secili piu pak pika gjaku te njëri-tjetri dhe ata u bënë “vëllezër gjaku”, sipas zakoneve shqiptare. U betuan se do të hakmerren për njëri-tjetrin nëse do të jetë e nevojshme. “Unë jam gati ta mbaj betimin”, - citohej të ketë thënë ky vëlla; por “unë kam besim se gjykata franceze do të japë vendimin, gjë që do ta bëjë të panevojshme ndërhyrjen time”.
Avni Rustemi e u arrestua për atentatin ndaj Esat Pashës teksa ai po hynte në automobilin e tij, që ndodhej në qendër të kryeqytetit; së fundi ai është duke pritur procesin gjyqësor. Rustemi ishte një student që u shfaq si hakmarrës për padrejtësitë e bëra ndaj shqiptarëve.

Shkrimi është publikuar në “The New York Times” më 12 korrik 1920
Titulli është redaksional

6 Gusht 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›