Bashkia e Tiranës do të asfaltojë 62 rrugë dytësore në kryeqytet
Bashkia e Tiranës do të rikonstruktojë 62 rrugë dytësore në të gjithë kryeqytetin. Kjo vjen si rezultat i ankesave të qytetarëve për problemet që kanë me infrastrukturën rrugore në lagjet ku jetojnë. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, i pranishëm në fillimin e punimeve në rrugën “Sadik Petrela“, është shprehur se punimet do të vazhdojnë në të gjithë kryeqytetin për t’i kthyer fytyrën qytetit dhe për t’u lehtësuar jetën qytetarëve. Kështu, për të tretin vit radhazi ka nisur ndërhyrja në përmirësimin e infrastrukturës rrugore në rrugë dytësore e brenda blloqeve të banimit. Këtë vit, pas 22 seancave publike, që Kryetari i Bashkisë së Tiranës e drejtues të saj realizuan disa muaj më parë me banorët e 11 njësive bashkiake të kryeqytetit, një nga shqetësimet e tyre ishte dhe përmirësimi i infrastrukturës rrugore, brenda blloqeve të banimit. Në bazë të ankesave të qytetarëve janë përcaktuar 62 rrugët kryeqytetase ku do të ndërhyhet dhe ku do të bëhet implementimi i këtij projekti.
Sipas specialistëve, bëhet fjalë për rrugë, infrastruktura nëntokësore e të cilave është në gjendje të mirë, dhe nevoja e vetme paraqitet për një ndërhyrjeje vetëm në shtresat asfaltike. Shpërndarja territoriale e tyre është renditur sipas nevojave dhe Njësive Bashkiake.
Rrugët që do të asfaltojë Bashkia e Tiranës:
Njësia Bashkiake nr.1 7 rrugë
Njësia bashkiake nr.2 7 rrugë
Njësia bashkiake nr.3 7 rrugë
Njësia bashkiake nr.4 5 rrugë
Njësia bashkiake nr.5 8 rrugë
Njësia bashkiake nr.6 7 rrugë
Njësia bashkiake nr.7 4 rrugë
Njësia bashkiake nr.8 2 rrugë
Njësia bashkiake nr.9 4 rrugë
Njësia bashkiake nr.10 4 rrugë
Njësia bashkiake nr.11 7 rrugë
6 Gusht 2008