E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rektorati shpall kriteret e përzgjedhjes për stafin e ri akademik



Emanuela Sako

Përcaktohen kriteret që do të përzgjedhin pedagogët e rinj sipas kuotave përkatëse të kërkuara nga drejtuesit e çdo fakulteti.
Universiteti i Tiranës miratoi kriteret e përgjithshme dha ato të veçanta për punësimin e 160 pedagogëve të rinj në degët e tetë fakulteteve e tij. Rektorati i këtij universiteti ka dorëzuar pranë Agjencisë së Prokurimit Publik buletinin e shkollave të larta për vendet e lira të punës. Me shpalljen e kritereve janë përcaktuar edhe kushtet që duhet të plotësojnë kandidatët për të qenë të përzgjedhurit. Kriteret e vendosura nga UT-ja kërkojnë rritjen e nivelit profesional të kandidatëve dhe janë kërkesat më të larta që duhet të përmbushë një kandidat për të qenë pjesë e stafit akademik të fakulteteve.
Kriteret
Kriteret e përgjithshme të përzgjedhjes në tetë fakultetet e UT-së konsistojnë që kandidatët konkurrentë duhet të jenë të diplomuar në fushën përkatëse brenda dhe jashtë vendit. Nota mesatare e studimeve për pranimin e kandidatëve duhet të mbi 9-ë për studentët që kanë mbaruar një fakultet brenda vendit. Ndërsa për kandidatët që kanë përfunduar universitetet e huaja mesatarja e studimeve duhet të jetë mbi 8. Secili nga departamentet në fakultetet e UT-së ka vendosur kritere të veçanta. Disa prej fakulteteve kërkojnë që aplikantët të kenë marrë medalje ari brenda vendit apo jashtë tij. Njëkohësisht kërkohet që kandidatët të kenë punuar si lektor në një nga fakultetet e huaja dhe të kenë publikimet e tyre brenda fakultetit. Kriter kryesor është edhe mosha e pranimit për t’u bërë pedagog i ardhshëm.
Vendet
Çdo fakultet paraqet edhe vendet e lira, të cilat janë të domosdoshme për t’u plotësuar. Kështu, Fakulteti i Historisë dhe Filologjisë ka shpallur në total 10 vende të lira pune për personel akademik. Kandidatët për pedagogë për të aplikuar në degët universitare të këtij fakulteti duhet që të kenë gradë dhe tituj shkencor brenda dhe jashtë vendit. Njëkohësisht, kandidatët duhet të kenë mbaruar studimet me medalje ari, të kenë eksperiencë si lektorë jashtë vendit dhe të kenë publikuar punimet e tyre. Në Fakultetin e Ekonomisë janë shpallur 35 vende të lira pune për personel akademik. Këtu përfshihen edhe kërkesat nga filiali i Fakultetit të Ekonomisë në Sarande dhe Kukës. Edhe në këto degë të gjithë kandidatët duhet që të kenë gradë dhe tituj shkencor, brenda dhe jashtë vendit, të kenë mbaruar studimet me medalje ari, eksperiencë si lektorë jashtë vendit dhe të kenë publikuar punimet e tyre. Për ata pedagogë që duan të punojnë në filialet e këtij fakulteti është përcaktuar se duhet të jenë me vendbanim në Sarandë dhe Kukës. Kritere të ngjashme kërkohen edhe në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja që ka 23 vende të lira, si dhe në Fakultetin e Drejtësisë me 30 vende të lira dhe Fakultetin e Shkencave Natyrore me 15 vende të lira. Por, Departamenti i Informatikës, Biologjisë dhe Matematikës kanë përcaktuar se mosha e kandidatit duhet të jetë jo më shumë se 40 vjeç, për shkak të specifikës së këtyre degëve. Edhe Fakulteti i Shkencave Sociale, i cili ka shpallur 21 vende të lira pune, ka vendosur kritere të veçanta, që kanë lidhje me tituj shkencore, eksperiencë si lektorë jashtë vendit, mesatare të lartë etj, por kërkon që mosha e aplikantit për pedagogë duhet të jetë nën 50 vjeç. Në fakultetin e Infermierisë kërkohen 16 pedagogë, prej të cilëve tre konkurrentët e Departamentit të Informatikës duhet të jenë nën moshën 50 vjeç. Ndërsa Fakulteti i Mjekësisë, i cili do të çelë konkurs për 10 pedagogë, ka përcaktuar veç kritereve të veçanta edhe dokumentacionin që duhet të dorëzojë çdo konkurrentë. Aplikimet e kandidatëve për pedagogë me kohë të plotë pranë Universitetit të Tiranës do të nisin më 11 gusht dhe do të vijojnë deri në fund të këtij muaji.

6 Gusht 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›