Mitrovicë, përleshen shqiptarët dhe serbët, katër të plagosur
Shqiptarët dhe serbët janë përleshur me njëri tjetrin në Mitrovicë nga ku mbetën të plagosur: një pjesëtar i Policisë së Kombeve të Bashkuara, një qytetar shqiptar dhe dy serbë. Menjëherë pas ngjarjes, autoritetet e rendit bënë të ditur se incidenti ndodhi në Lagjen e Boshnjakëve që gjendet në pjesën veriore të qytetit. Zëdhënësi i policisë për rajonin e Mitrovicës, Besim Hoti, sqaroi se fillimisht një grup serbësh sulmuan një të ri shqiptar, ndërsa më vonë shqiptarët me gurë plagosën lënduar dy serbë. “Ngjarja filloi rreth orës 21:30 në Lagjen e Boshnjakëve, kur një viktimë e nacionalitetit shqiptar, i cili ka kaluar nga Lagjja e Boshnjakëve në drejtim të urës kryesore është ndalur fillimisht nga gjashtë persona të dyshuar të nacionalitetit serb. Të njëjtët persona, pasi i kërkuan shqiptarit të identifikohej, e sulmuan atë me shkopinj druri”,-sqaroi Hoti. Më vonë sipas tij, te ndërtesat e quajtura “Tre rrokaqiejt”, shqiptarët të revoltuar kanë gjuajtur me gurë dy automjete të banorëve serbë nga ku kanë mbetur të plagosur dy prej personave që gjendeshin aty. “Disa banorë shqiptarë besohet se kanë sulmuar me gurë në drejtim të dy veturave të banorëve serbë, të cilat kalonin nëpër atë lagje, duke nxitur kështu edhe reagimin e banorëve serbë të cilët janë kundërpërgjigjur. Në këtë kundërpërgjigje, ata kanë dëmtuar dhe gjuajtur mbi gjashtë automjete me targatë Kosovës dhe 3 lokale aty pranë që besohet të jenë pronë e shqiptarëve”,- u shpreh Zëdhënësi i policisë për rajonin e Mitrovicës, Besim Hoti. Ai ka vlerësuar se këto incidente kanë karakter ndëretnik që ndikon kryesisht në ngritjen e tensioneve. Hoti ka sqaruar se sapo është bërë i ditur lajmi për përleshje mes shqiptarëve dhe serbëve, ka ndërhyrë policia e UNMIK-ut ku si pasojë një polic i këtyre forcave të sigurisë është lënduar. “Kanë qenë policët ndërkombëtarë ata të cilët kanë ndërhyrë në këtë rast dhe një pjesëtar i policisë së UNMIK- ut ka pësuar lëndime”,- tha Hoti.
6 Gusht 2008