Për Greqinë gjërat bëhen edhe më keq. Papandreu flet për dorëheqje
E ashtuquajtura trojka (Komisioni Europian, FMN dhe Banka Qëndrore Europiane) ka kërkuar më shumë kohë për të vlerësuar reformat që janë ndërmarrë nga Greqia për të zbatuar planin e kursimeve. Për këtë arsye, Athina duhet të presë më shumë për dorën tjetër të ndihmës financiare. Ministrat e Financave të BE kanë vendosur që të shtyjnë dorëzimin e kësaj ndihme. Trojka është ndarë e pakënaqur me atë që ka bërë Athina gjer më tani. Vetë grekët nuk duan ta dëgjojnë emrin Trojka.
Ndërkohë, siç raporton Financial Times Deutschland, kryeministri Papandreu po shqyrton mundësinë e dorëheqjes. Gazeta i referohet burimeve nga kabineti i tij. Tregjet vazhdojnë të dridhen, kurse Greqia ka nevojë për ndihmën të paktën në javën e dytë të nëntorit. Dhe Gjermania sërish ka planin rezervë: atë të falimentimit të Greqisë. Ministri i Ekonomisë, Filip Rosler, mësohet se po përgatit falimentimin e organizuar.