Për Greqinë, ndërhyrja është më e mirë se falimenti
BE
Franca, Gjermania dhe vende të tjera europiane kanë diskutuar privatisht gjatë javëve të fundit se si mund t’i vijnë në ndihmë Greqisë, ndërkohë që dyshimet mbi aftësinë e këtij vendi për kontrollin e buxhetit të vet po shtohen, njofton “The New York Times”. Pavarësisht se publikisht zyrtarët e BE-së e kanë diskurajuar idenë e ndërhyrjes për shpëtimin e Greqisë, privatisht shumë pranojnë se në fund të fundit, ndërhyrja do të jetë me pak e keqe se sa falimenti i këtij vendi. “Falimenti i Greqisë nuk është një opsion dhe shumë besojnë se ne do të detyrohemi të ndërhyjmë në një pikë të caktuar”, tha një zyrtar i Eurozonës në kushtet e anonimitetit. “Nuk është e thënë se ndërhyrja do të bëhet e domosdoshme, por gjithsesi do të jetë më e mirë se falimenti”. Por zyrtarët thonë gjithashtu se në rast ndërhyrjeje, BE do të funksionojë si një bankë dhe do të kërkojë garanci se Greqia do të ulë deficitin buxhetor. BE i frikësohet faktit se shpëtimi nga falimenti i një vendi anëtar do të rrëzojë besueshmërinë që bota ka tek euro. Udhëheqësi socialist i Parlamentit Europian, Martin Schulz, deklaroi së fundmi se po pret propozime nga Komisioni Europian për emetim eurobondesh. “Tani është koha që ne të qëndrojmë krah për krah me Greqinë dhe jo ta braktisim këtë vend në mëshirën e tregjeve botërore”, tha ai.
#