E Shtunë, 31 Tetor 2026

Asnjë datë për hapjen e rrugës së kombit

“Bechtel”: Punimet ecin sipas planit. Në tunel po punojmë 24 orë me 200 vetë
Kompania sipërmarrëse që po ndërton segmentin Rrëshen-Kalimash, “Bechtel-Enka”, njoftoi dje se punimet po ecin sipas afateve të përcaktuara, por nuk dha ndonjë datë konkrete për përfundimin e punimeve dhe dorëzimin e veprës me vlerë 0.7-1.0 miliard euro. Burime nga qeveria thanë se në fund të muajit maj pritet të përfundojnë punimet në tubin verior të tunelit të Thirrës, por asnjë datë për hapjen e rrugës për qarkullim nuk është përcaktuar ende. Më herët, ministri i Transporteve, Sokol Olldashi, pati deklaruar në Kosovë se rruga mund të rihapet për qarkullim në pranverë. Kompania “Enka” ka publikuar në faqen e vet zyrtare qershorin 2010 si datë të dorëzimit të veprës, por burime nga qeveria bëjnë të ditur se as vetë qeveria nuk e di se kur kjo rrugë do të dorëzohet. “Dëshira është që të hapet para sezonit të turizmit, por nuk është e sigurt”, tha një zyrtar në kushtet e anonimitetit për shkak se nuk qe autorizuar ta diskutonte çështjen publikisht. “Punimet në tunel e vazhdojnë sipas afateve të përcaktuara nga DPR (Drejtoria e Përgjithshme Rrugëve) dhe kompanitë dizajnuese të tunelit. Momentalisht në tunel punojnë 10 ekipe me një numër total prej 200 punëtorësh. Puna vazhdon paralelisht në të dy tubat e tunelit, ditën dhe natën”, njoftoi kompania.
Kontrata fillestare parashikonte dorëzimin e rrugës në qershor 2009. Qeveria pranoi një shtesë kontrate ndërsa punimet u komplikuan pas një shembjeje të përmasave të konsiderueshme nëntorin e kaluar. Rruga u mbajt e hapur për qarkullim nga 25 qershori deri në tetor 2009. “Bechtel-Enka” tha se ka ndryshuar dizajnimin e tuneleve pas shembjes së nëntorit.
“Pas shembjes së dheut të ndodhur më 5 nëntor 2009, është implementuar stabilizimi i punimeve në të dy tunelet në të gjithë zonën ku ka pasur probleme gjeologjike dhe zona të cilësisë së dobët shkëmbore”, njoftoi kompania dje. “Dizajnimi i rishikuar parashikon që izolimi primar i zonave të pabetonuara të kryhet në një trajtë ovale dhe forcimi të bëhet përmes betonimit dhe forcimin me struktura hekuri. Izolimi përfundimtar sipas dizajnimit të rishikuar parashikon riforcim me 500 mm beton. Për t’i minimizuar lëvizjet dhe për të siguruar stabilitet, unaza e tunelit është mbyllur në një seksion prej 12 metrash para se të avancohet në seksionet e tjera”, vijon më tej deklarata. “Bechtel-Enka” nuk sqaroi nëse ka pasur kosto shtesë për taksapaguesit shqiptarë nga shembja e nëntorit dhe ridizajnimi i tunelit.
Enigmat
Rruga e kombit, që gjerësisht njihet edhe si “autostrada patriotike”, për shkak të rentabilitetit të saj të dobët, ka ende dy enigma të mëdha, edhe pse aty po punohet prej katër vjetësh. Askush prej zyrtarëve të qeverisë nuk di të thotë se sa ka kushtuar deri tani dhe se sa do të kushtojë deri në fund dhe askush nuk e di se kur do të përfundojnë punimet. Kostoja fillestare e punimeve ka qenë 418 milionë euro, por deri në qershorin e kaluar kostoja qe rritur në rreth 730 milionë euro.

#

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›