Leku, në kuotën më të ulët në gjashtë vjet
Cani: Shqipëria gjendet mes zhvlerësimit të lekut dhe rënies së importeve
Monedha shqiptare ra dje në kuotën më të ulët në gjashtë vjet kundrejt euros, ndërsa humbi terren edhe kundrejt dollarit, duke mbyllur negativisht ditën e pestë radhazi. Euro kushtoi dje 138.88 lekë, ndërsa dollari kushtoi 98.98 lekë, sipas kursit fiks të publikuar nga Banka e Shqipërisë dhe që pasqyron veçanërisht tregun me pakicë. Ekspertët thanë se ky zhvlerësim i lekut nuk është i qëndrueshëm. Në fakt, të dhënat nga tregu ndërbankar i valutës tregojnë se euro u luhat rreth kuotës 138.2 lekë.
Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, ritheksoi edhe një herë të mërkurën se kursi i këmbimit do t’i nënshtrohet kushteve të tregut, pasi u pyet nëse deficiti i rritur i llogarisë korrente të Shqipërisë mund të sillte probleme të reja në këtë drejtim. Por ish-guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Shkëlqim Cani, tha dje se situata është më komplekse se sa paraqitet zyrtarisht. Sipas tij, Shqipëria gjendet mes rrezikut të zhvlerësimit të mëtejshëm të lekut dhe tkurrjes së importeve. Importet kanë rënë ndjeshëm gjatë muajve të fundit, gjë që shpreh mungesën e blerjeve në Shqipëri, por nëse kjo rënie vijon, ekonomia do të rritet më ngadalë, së bashku me të ardhurat e buxhetit, duke krijuar një spirale negative. “Në një situatë të tillë, ndoshta zhvlerësimi i lekut është më pak i dëmshëm”, tha Cani.
Ekspertët e bankave po mbikëqyrin nga afër disa korporata që zakonisht gjatë muajve shkurt e mars konvertojnë në valutë fitimet e vitit paraardhës për t’i transferuar në vendet përkatëse. Vitin e kaluar, pikërisht blerjet e valutës nga këto kompani sollën edhe goditjen e parë në vlerën e lekut, i cili u largua nga fasha e këmbimit 120-126 me euron, fashë ku kishte qëndruar nga viti 2003 e deri në vitin 2008. Që nga fillimi i krizës botërore, leku shqiptar ka humbur 12.4 për qind të vlerës së vet kundrejt euros dhe 9.6 për qind kundrejt dollarit amerikan. Rreth 80 për qind e importeve shqiptare paguhen në euro, ndërsa pjesa tjetër në dollarë.
#