E Shtunë, 31 Tetor 2026

Për Kadarenë, "Onufri" nderohet nga Lumo Skëndo

Shtëpia botuese "Onufri" u nderua dje me çmimin bibliografik, "Lumo Skëndo", për dy vëllimet e para të veprës së shkrimtarit Ismail Kadare. Çmimi u dha në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Librit dhe ka një jetëgjatësi të shkurtër: dyvjeçare. Ky fakt u theksua në fjalën e drejtorit të Bibliotekës Kombëtare, Aurel Plasari, i cili e konsideroi si një risi pozitive në aspektin e vlerësimit të nismave në fushën e botimeve, siç janë dhe çmimet letrare në fushën e krijimtarisë. Për më tepër, Plasari vlerësoi përfshirjen e Shqipërisë në kremtimin ndërkombëtar të Ditës Botërore të Librit, duke iu bashkangjitur shumë shteteve në 5 kontinente. Plasari tha se si drejtor i Bibliotekës Kombëtare, ndihej i privilegjuar që institucioni që ai drejton mban peshën kryesore në kremtimin e kësaj dite dhe po ashtu ka statusin e dhënies së çmimit "Lumo Skëndo" së bashku me Ministrinë e Kulturës. Për të qenë transparent, Plasari foli jo pak për procedurën e dhënies së çmimit këtë vit shtëpisë botuese "Onufri", përbërjen e jurisë, si dhe aktin e votimit, ku në konkurrim kishin qenë dhe tri shtëpi botuese.

Presidenti i shtëpisë botuese "Onufri", Bujar Hudhri, e mori çmimin nga ministri Pango. Më pas ai tha se ndihej i befasuar nga ky vlerësim. "Nuk e kisha menduar më parë. Jam i befasuar dhe i privilegjuar që më jepet ky çmim, i cili lidhet dhe me emrin e madh të Kadaresë", tha Hudhri. Pas tij ishte botuesja e njohur Brikena Çabej, e cila tregoi një dorëshkrim të të atit, akademikut të madh Eqerem Çabej. Në të bëhej fjalë për një porosi të tij në lidhje me disa punime që ndodheshin në Vjenë, të cilat ia kalonte shtetit shqiptar. E duke bërë publike këtë "amanet" të babait, znj. Çabej kishte zgjedhur Ditën Ndërkombëtare të Librit, për t‘ia kaluar ato Bibliotekës Kombëtare.

Pak histori

23 prilli, si Dita Ndërkombëtare e Librit, ka një histori. Kremtimet e kësaj dite i kanë fillesat në Katalonjë të Spanjës, ku çdokujt që blinte një libër i dhurohej një lule që mund të ishte trëndafil ose karafil. Në vitin 1995, UNESCO vendosi që ta bënte zyrtar këtë ritual fisnik, duke shfrytëzuar edhe faktin se 23 prilli rastis me ditëlindjet e ditëvdekjet e disa emrave të mëdhenj të letërsisë botërore, si Uilliam Shekspir, Miguel De Servantes, etj. Për më shumë, kjo ditë nuk mbeti e kufizuar brenda kufijve të Spanjës, por u përhap kudo. Sot, ajo festohet në më shumë se njëqind vende të botës, prej miliona njerëzish, të cilët mblidhen rreth bibliotekave, shoqatave të botuesve, shkollave, organizmave publikë, grupimeve profesionale, etj. Ndërsa në Shqipëri, Dita Ndërkombëtare e Librit, ka filluar të kremtohet në vitin 2001, me nismë të Bibliotekës Kombëtare.

Sakaq, prej vitit 2000, Dita Ndërkombëtare e Librit, ka dhënë shkas për lindjen e një nisme tjetër prej organizatave profesionale, që gëzon ndihmën e UNESCO-s dhe mbështetjen e shumë shteteve: Caktimin e Kryeqytetit Botëror të Librit. Kështu, çdo vit, zgjidhet një qytet që merr përsipër të organizojë nëpërmjet shumë nismave të gjitha veprimtaritë kushtuar Librit dhe Ditës së tij. Këtë vit, kryeqytet i librit, është Amsterdami.

Shqiptarët dhe libri.

Me rastin "Lumo Skëndo" që është dhe çmim tashmë, Shqipëria shpërfaq një tjetër paradoks ndër të shumtët që ka në ekzistencën e vet si komb e si shtet. Kujtojmë që në kohën kur Lumoja (alias Mit‘hat Frashëri), themelonte një bibliotekë personale me rreth 40 mijë ekzemplarë, rreth e qark tij, zotëronte jo thjesht varfëria, por një injorancë e thellë, ku diskutohej shkrim-këndimi e jo leximi i librave. Ndërkohë, Lumo Skëndo qëndronte në krye të një elite intelektualësh, të cilët ishin aq të kënduar sa që mateshin me parametra botërore në dije e kulturë. Një paradoks i ngjashëm lidhur me raportet e individit shqiptar me librin, u shpërfaq pas viteve ‘90-të, ku nisën të tregohen histori e anekdota se si emigrantët tanë, vërtet barktharë e të rreckosur nga varfëria ekonomike e vendit të tyre, të sapo dalë nga regjimi komunist, u jepnin ujë në bisht të lugës të huajve në vendet ku shkonin, duke u prezantuar me shkallën e lartë të kulturës nga librat e lexuar. Në fakt, (dhe është ndër rastet e rralla që mund të justifikohet njëfarë nostalgjie për atë kohë), në dekadat e izolimit komunist, ndoshta dhe për shkak të tij, libri ishte vërtet (e thënë pa patetizëm), miku më i ngushtë dhe më i mirë i individit shqiptar. Mjafton të kujtohen bibliotekat e qyteteve që gëlonin çdo orë, ose libraritë që kishin një xhiro ditore sa ka sot një minimarket ushqimor. Natyrshëm, ndryshimi i realiteteve politike e sociale dha efekte edhe në raportet e individit me librin, si lexues apo si autorë. Në këtë kontekst, u prish dhe një ekuilibër: u ul numri i lexuesve (i atyre që prej halleve të përditshme nuk ua kishin ngenë librave) dhe u rrit frikshëm numri i atyre që i thanë vetes fët e fët se mund të jenë shkrimtarë e poetë të mëdhenj. Kjo çoi në prishjen e sistemit të vlerave, hierarkisë së tyre, e të një lloj çoroditjeje të përgjithshme të etikës dhe shijes së leximit. Sot, falë botimeve cilësore, libri ka nisur të futet sërish si mik i dikurshëm në shtëpitë e shqiptarëve, por çmimet e larta, kanë bërë që ato të jenë privilegj vetëm i njerëzve që ua mban xhepi. Gjithsesi, listat në librari janë më të pranueshëm se listat në dyqanet e ushqimeve.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›