Për Kelmendin vendimi nesër

(E plotësuar)Gjykata Themelore në Prishtinë pritet të vendos nesër, nëse do të aprovojë kërkesën apo jo të Prokurorisë së EULEX’it për të paraburgosur Naser Kelmendin për tridhjetë ditët e ardhshme.
Këtë kërkesë, Prokurori i EULEX’it, që po udhëheq me rastin, e ka parashtruar në seancën e sotme.
Por gjatë seancës ai ka hasur në kundërshtimin e palës mbrojtëse të Kelmendit.
Avokatët kanë paraqitur argumentet e tyre për lirimin e klientit të tyre, shkruan Express.
“Kemi paraqitur argumentet tona, jemi ankuar në kërkesën e Prokurorisë. Nesër presim të marrim vendimin e Gjykatës”, ka thënë Besnik Berisha një ndër mbrojtësit e Kelmendit para gazetarëve.
Gjykata themelore ka 24 orë afat ligjor për ta dhënë aktvendimin e saj pro ose kundër kërkesës për përcaktim të masës së paraburgimit.
-------
Mosanëtarësimi në mekanizmat ndërkombëtarë të sigurisë po i shkakton Kosovës probleme në luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit. Kështu ka deklaruar kryeministri Hashim Thaçi kur ka përshëndetur arrestimin e, siç e ka quajtur ai, dilerit më të madh të drogës në Ballkan, Naser Kelmendi, transmeton KTV.
Thaçi ka thënë se për shkak të arsyeve të njohura Kosova nuk është pjesë e organizatës ndërkombëtare të “Interpolit” dhe kjo, sipas tij, paraqet një hendikep të madh në luftimit e këtyre dukurive. Kryeministri ka thënë se zbulimi dhe arrestimi i këtij rrjeti ka ndodhur kryekëput falë punës së agjencive të sigurisë së Kosovës. Arrestimi i Naser Kelmendit, sipas kryeministrit, do të shërbejë si motiv shtesë për të luftuar krimin jo vetëm në Kosovë, por edhe në rajon. Ndonëse raportet ndërkombëtare e rendisin në fillim të listës së vende të korruptuara e kriminale, kryeministri ka thënë se Kosova po bëhet shembull për luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit.
-----
EULEX-i i përgëzon veprimet e Policisë së Kosovës në përgjigje të Njoftimit të Kuq të Interpolit duke e arrestuar Naser Kelmendin, i cili kishte ikur dhe po fshihej nga autoritetet e drejtësisë së Bosnjë dhe Hercegovinës, ku ai akuzohet për tentim-vrasje si dhe për shitjen dhe shpërndarjen e substancave narkotike të paligjshme në Amerikën Jugore, Turqi, Serbi, Kroaci dhe shtete tjera të Evropës Perëndimore. Njoftimi i Kuq i Interpolit është kërkesë zyrtare për kryerjen e arrestimit të personave të dyshuar të cilët gjenden jashtë juridiksionit ku ata janë të akuzuar për ndonjë krim. Policia e Kosovës ka vepruar në mënyrë profesionale dhe kompetente për sigurimin e këtij arrestimi, të cilin e kanë kryer në një operacion pa ndihmën e EULEX-it.
“Legjislacioni i Kosovës ka lejuar që z. Kelmendi të qëndrojë në mbajtje për 48 orë. Në bazë të legjislacionit të Kosovës, shtetasit e Kosovës nuk mund të qëndrojnë në paraburgim me qëllim të ekstradimit nëse nuk ekziston një marrëveshje ndërkombëtare për këtë çështje. Meqenëse Kosova nuk e ka një marrëveshje të tillë me Bosnjën, ai është dashur të lirohet pas afatit kohor prej 48 orëve”, ka njoftuar zyra për media e EULEX-it.
Pas lirimit nga paraburgimi, Naser Kelmendi u arrestua në bazë të urdhrit të lëshuar nga një prokuror i EULEX-it i Prokurorisë Speciale të Kosovës (PSRK), i cili dje kishte filluar një hetim për këtë rast, në bazë të njëjtave vepra për të cilat ai qe akuzuar në Bosnjë dhe Hercegovinë. Për këtë rast do të caktohet një prokuror vendas i PSRK-së që t’i kryej hetimet në një ekip të përbashkët me një prokuror të EULEX-it.
Ky rast është në juridiksionin ekskluziv të PSRK-së, meqë i dyshuari është duke u hetuar, mes tjerash, edhe për krim të organizuar.
Stafi i EULEX-it në Ministrinë e Drejtësisë mund t’i lehtësojnë kontaktet ndërmjet aktorëve përkatës. Mirëpo, duke qenë se EULEX-i vepron në bazë të legjislacionit të Kosovës, ai nuk e ka mandatin që ta bëjë ekstradimin e ndonjë qytetari të Kosovës./Indeksonline/