Asllanaj rikandidon për kryetar të Suharekës

Sali Asallanaj do të jetë kandidat i LDK-së për kryetar të Suharekës. Ai është në pritje të konfirmimit të kandidaturës nga Kryesia e LDK-së në Prishtinë. Asllanaj tha se propozimi për të rikandiduar për kryetar të Suharekës, ka qenë i nëndegëve dhe Degës së LDK-së në Suharekë.
“Kryesia e Degës së LDK-së në Suharekë dhe kryetarët e nëndegëve më kanë propozuar mua për kandidat për kryetar, prandaj pritet vetëm konfirmimi nga Kryesia Qendrore dhe Këshilli i Përgjithshëm i LDK-së në Prishtinë”, konfirmoi Asllanaj për “PrizrenPress”.
Deputeti i Parlamentit të Kosovës, Sali Asllanaj deri në vitin 2009 ka qenë kryetar i Komunës së Suharekës. Ai ka humbur garën në zgjedhje kundër kandidatit të AAK-së, Blerim Kuçit.
Asllanaj shprehet i sigurt së në zgjedhjet lokale të këtij viti LDK-ja do të fitojë garën zgjedhore në Suharekë . ”Po të mos isha i sigurt në fitore nuk do të isha futur në garë”, tha Asllanaj.
Ai vlerësoi se kryetari Blerim Kuçi nuk e ka qeverisur mirë Suharekën. “ Kuçit gjatë këtij mandati ka treguar shembullin më të keq se si nuk duhet të qeveriset një komunë”, tha Asllanaj. Ai premton se pas fitores së garës zgjedhore, LDK-ja do t’ia rikthen qeverisjen e mirë Suharekës./Indeksonline/