E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ceka dëshmon dhe dorëhiqet

Komisioni hetimor ndaj liderit të opozitës Edi Rama për incidentin e Vjenës është mbledhur paraditen e të mërkurës për të dëgjuar dëshminë e diplomatit Egin Ceka, që akuzoi Ramën për dhunë në takimin në Akademinë Politike në Vjenë më 24 prill, atë të ambasadorit shqiptar në Austri, Vili Minarolli dhe të një nga organizatorëve të takimit, piktorin Fate Velaj, njoftojnë medie nga Tirana.

Ceka ka akuzuar kreun socialist Edi Rama se fillimisht ka fyer diplomatet shqiptare dhe shërbimin diplomatik si të politizuar, dhe se më pas në një debat me të ka vijuar me fyerje personale dhe ka vendosur dorën në mënyrë shtrënguese pas kokës së tij.

Zoti Ceka është shprehur se i ishte prezantuar Ramës me emër e mbiemër dhe si diplomat. I kishte shprehur mendimin se nuk është e vërtetë qe shërbimi diplomatik është i politizuar. Por Rama i ka kërkuar të largohet me një ton arrogant dhe e kishte quajtur provokator.

“Pas përgjigjes time,- tha Ceka,- Rama kaloi në një veprim të dhunshëm dhe cenim të personalitetit. Nuk iu përgjigja atij gjesti në mënyrë të ngjashme, por reagova verbalisht. I thashë që një njeri që sillet kështu, nuk meriton të qeverisë Shqipërinë”.

Gjatë dëshmisë se tij Ceka shprehu keqardhje që nuk e denoncoi Ramën në polici dhe se e ka raportuar incidentin vetëm të nesërmen pranë Ministrisë së Jashtme. Në fund të dëshmisë së tij, Egin Ceka deklaroi dorëheqjen nga shërbimi diplomatik shqiptar. Komisioni vijon të dëgjojë dëshmitë e tjera./Indeksonline/ 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›