Beogradi habitet me deklaratën e Hajredin Kuçit!

(E plotësuar) Presidenti i Serbisë, Tomisllav Nikoliq deklaroi sonte për televizionin publik serb se bisedimet e Brukselit për zbatimin e marrëveshjes ndërmjet dy delegacioneve janë ndërprerë “pasi që nuk është realizuar plani shqiptar që ajo marrëveshje të mos zbatohet”. Sipas tij, plani i Prishtinës ishte që të niset menjëherë me shpërbërjen e institucioneve serbe në veri të Kosovës pa zbatimin e planit për implementim.
Sipas Nikoliqit, Prishtina do të donte që ky problem të pritet me gërxhorë dhe të mos ekzistojë më. Ai i porositi serbët nga veriu se nuk janë të lënë në mëshirë, duke theksuar se askush në Serbi nuk ka të drejtë të hidhërohet ndaj tyre.
“Ka aty më shumë rrethana për shkak të të cilave ka ndodhur moskuptimi”, vlerësoi Nikoliqi.
Edhe shefi i delegacionit të Serbisë në bisedimet e Brukselit dhe njëherësh këshilltar i Nikoliqit, Marko Gjuriq deklaroi se delegacioni i Prishtinës sot i ka braktisur punimet për zbatimin e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve.
Ai iu tha gazetarëve se pala serbe shpreh keqardhje që ekipi kosovar ka braktisur punimet dhe se tash për tash ende nuk dihet se në çfarë forme mund të vazhdojnë ato. Sipas tij, ai nuk di mbi çfarë baze shefi i ekipit të Prishtinës Hajredin Kuçi ka deklaruar se më 21 maj do të duhej të mbahej takimi i ri midis dy kryeministrave në Bruksel.
---------
As dita e dytë e takimit në mes të ekipeve të Prishtinës dhe Beogradit në Bruksel nuk ka sjellë planin e zbatimit. Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi ka konfirmuar një gjë të tillë.
“Më vjen keq ta them se nuk kemi arritur që të kemi një plan të implementimit. Natyrisht që janë ofruar drafte edhe më datën 26 prill nga zoti Gentilini edhe ditën e sotme. Ne më 26 prill kemi dhënë pajtueshmërinë tonë. Sot kemi pasur vërejtje në qasjen e integrimit të strukturave ilegale të sigurisë. Ne mendojmë se ato duhet të shkojnë përmes një procesi të konkursit, ndërsa pala serbe ka qasje tjetër”, iu ka thënë Kuçi gazetarëve, transmeton Rel.
Ai kathënë se pala serbe dëshiron që nga “kjo marrëveshje të arrijë një marrëveshje tjetër, apo ndryshe ta them të flasin për çështjet që nuk janë fare në marrëveshje”.
Zëvendësshefi i Qeverisë së Kosovës ka komentuar këtë si një humbje kohe dhe dhënie e përshtypjes se po diskutohet për gjëra të tilla para partnerëve ndërkombëtarë.
Andaj, ai ka propozuar që takimi i radhës të jetë në nivel kryeministrash.
“Jemi të interesuar që të diskutojmë për çështje konkrete, për zbatim të asaj që është arritur më 19 prill dhe besoj se një veprim i tillë tani duhet të kalojë në nivel të kryeministrave dhe zonjës Ashton”, u shpreh Kuçi, duke sqaruar se takimi i tillë mbase do mbahet më datën 21 maj./Indeksonline/