E Shtunë, 31 Tetor 2026

Për Kosovën dilema, Serbisë kandidatura

Ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian kanë një konsensus të gjerë për t’i dhënë Serbisë statusin e kandiatit. Por, sa i përket Kosovës, sipas burimeve diplomatike në BE ende vazhdojnë të mbeten disa dilema tek disa shtete që nuk e kanë njohur ende atë si shtet.

Diplomatët në Bruksel përmendin Qipron, por thonë se po punohet në gjetjen e formulës e cila do të mundësonte që të miratohen konkluzionet, me të cilat ministrat e BE-së do të mirëprisnin qëllimin e KE-së, për nisjen e përpilimit të projektit për studimin e fizibilitetit për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit për Kosovën.

Në anën tjetër, shumica e ministrave të jashtëm të BE-së janë shprehur se Serbia ka përmbushur kushtet për marrjen e kandidaturës.
Vendimi formal për dhënien e kandidaturës pritet të jepet nga ministrat për Çështje Evropiane të martën, ndërsa verdikti final jepet në një samit të BE-së më 1 dhe 2 mars.

“Të paktën nuk kishte kundërshtime tjera”, ka thënë dje Zhype.
“Kjo do të inkurajojë Beogradin që të bëjë përparim në rugën drejt riafrimit me BE-në, ka thënë ai, edhe pse sipas tij, ka ende punë për t’u bërë.

Disa ministra të jashtëm të BE-së kanë folur në favor të dhënies së kandidaturës.
“Serbia i ka përmbushur kushtet për statusin e kandidatit”, ka thënë ministri i jashtëm i Suedisë, Karl Bildt.
Ngjashëm është shprehur edhe homologu i tij belg, Didier Rajnders, i cili është zotuar se do të mbështesë Beogradin.

Ndërkaq, ministri çek Karel Shvarcenberg ka shprehur shpresën se “do të ketë një marrëveshje pozitive”.
Beogradi forcoi shanset e tij për të fituar kandidaturën pas marrëveshjes për bashkëpunim rajonal që arriti me Kosovën të premten e kaluar.
Sipas marrëveshjes, Kosova mund të marrë pjesë në takimet rajonale, si anëtare me të drejta të plota si shtetet e tjera, por nën fusnotën, e cila përmend rezolutën 12 44 dhe Deklaratën e Gjykatës Ndërkombëtare të Drjetësisë në lidhje me shpalljen e pavarësisë së Kosovës. / Kosova.com

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›