Ja ku fle lepuri i akuzave të bashkisë për biznesin e zotit Tartari

Gazeta zbulon dokumentin, ku firma e Arian Tartarit është detyruar të fusë aksioner me 20 përqind mikun e Edi Ramës, Dritan Avllaj, në këmbim të kryerjes së shërbimit ligjor për mbështetjen e një projekti zhvillimor të kompanisë “Vision Construction”. Me afrimin e humbjes së zgjedhjeve, Edvini ka kuptuar se këto aksione nuk vlejnë më, prandaj po mundohet të shkatërrojë gjurmët e shantazhit të turpshëm
Acarimi i fundit dhe akuzat shproporcionale që Edi Rama dhe shpura e tij po lëshojnë ndaj Arian Tartarit s’mund të justifikohet vetëm me tentativat për një keqpërdorim politik dhe fitim kredencialesh ditore. Logjika prej sekseri i Edi Ramës funksionon veç kur është puna për të zhvatur dhe gazeta “55” ka zbuluar edhe faktin se ku fle lepuri i këtyre akuzave shproporcionale të kryebashkiakut ende në detyrë. Dokumenti që po publikojnë është një nënshkrim noterial i datës 5 korrik 2008, ku administratori i “Vision Construction”, i lartpërmenduri Arian Tartari pra, detyrohet të lëshojë 20 përqind të aksioneve të shoqërisë për mikun e Edi Ramës, Dritan Avllaj. Arsyetimi është i qartë. Projekti për zhvillimin e një zone prioritare kryeqytetase, e cila është edhe epiqendra e investimit të ardhshëm të kompanisë, nuk mund të çohet përpara, nëse për këtë nuk gjendet edhe mirëkuptimi i strukturave të bashkisë së Tiranës. Por interesat e Edi Ramës dhe të njerëzve të tij nuk kanë asnjë lidhje me interesat e kryeqytetasve. Edi Rama s’pranonte që projekti të bëhej përpara dhe zona të shpallej si një zonë me prioritet zhvillimor, nëse miku i tij nuk bëhej posedues i 20 përqind të projektit (e rrjedhimisht edhe të fitimeve pasardhëse që do të vinin nga vënia e projektit në zbatim).
Ja, kjo është sjellja që ka adaptuar prej kohësh bashkia e Edvinit, një sjellje përvetësuese e shërbimeve publike për interesa krejtësisht të familjes politike të Ramës. Këtyre rregullave ka qenë i detyruar t’u nënshtrohej edhe zoti Arian Tartari, normalisht, si një biznesmen që ka interesin e projektit të tij mbi nevojën për t’u përballur me zhvatësit e bashkisë së kryeqytetit.
Ky 20 përqindësh është një konfirmim i praktikës se si shërbimet e huaja informative llogaritën para dy vitesh se pasuria e kryetarit të bashkisë së Tiranës mund të ishte më shumë se 600 milionë dollarë.
Tashmë jemi në fazën kur bashkia e Edvinit me sa duket s’ka qenë në lartësinë e kryerjes së shërbimeve (që në fakt janë detyrime ligjore, për të cilat i kishte mandatar zgjedhësi), që rridhnin nga marrëveshja që i jepte mikut të Edi Ramës, Dritan Avllaj, 20 përqind të aksioneve. Me sa duket, qoftë për arsye politike, qoftë për paaftësi, por edhe nga krijimi i bindjes së tashmë bashkia e Tiranës nuk do të jetë më në duart e tij në mandatin e ri, Edi Rama ka kuptuar se projekti zhvillimor i prezantuar nga “Vision Construction” është një nul e se 20 përqind e aksioneve që ishin marrë me shantazh ishin në fakt zero lekë.
Në këtë situatë të re dëshpërimi politik, zbatimi i taktikës së tokës së djegur është alternativa më e mirë dhe tani përveç përfitimeve politike të ditës, po synohet që projekti zhvillimor të komprometohet përpara se mandati i bashkisë së ndërrojë duar majin e ardhshëm.
Tek nulifikimi i gjurmëve të 20 përqindëshit të marrë përdhunshëm fle lepuri i shqetësimit të bashkisë dhe i acarimit të Edi Ramës e Eduard Shalësit, një njeri që e di mirë se si këto përqindje përkthehen në para apo edhe zerohen, kur merret vesh se përfitues nuk do të jetë vatha e Pezës, por të tretë si dhe qytetarët e Tiranës.
Mbetet të presim se çdo të thotë në publik Edi Rama për aksionet e mikut të tij Dritan Avllaj si dhe për biznesin që ai i ka bllokuar firmës së Arian Tartarit.