E Shtunë, 31 Tetor 2026

Për Presidentin sipas Kushtetutës, duhet të flasë Kushtetuesja

Share

Nga Mero Baze

Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë duhet të shprehet para zgjedhjes së presidentit të ri në qershor të këtij viti, për të qartësuar dy pika të dyshimta, që mund të manipulojnë procesin e zgjedhjes së presidentit nga Parlamenti sipas Kushtetutës .  Bëhet fjalë për faktin se kush do të quhet Kuorum në dy votimet e para që kërkojnë 84 vota, dhe a do të konsiderohet e ligjshme ndërprerja e seancës para votimit të tretë, ku kërkohen vetëm 71 vota. Arsyeja përse Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë duhet të shprehet para qershorit, ka të bëj me precedentin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, e cila rrëzoi nga posti Behxhet Pahcollin, pasi ky u zgjodh në mënyrën që Berisha po e quan përditë sipas Kushtetutës.

Për tua bërë më të qartë lexuesve, Presidenti ynë pas ndryshimeve kushtetuese zgjidhet në dy votimet e para me 84 vota, dhe në votimin e tretë, nëse dështojnë dy të parat, me 71 vota. Por, në Kosovë Gjykata Kushtetuese e quajti të paligjshëm zgjedhjen, pasi në seancën e 22 shkurtit, nuk kishte kuorum prej dy të tretave të deputetëve të Parlamentit, në kohën kur u mbajt raundi i parë dhe i dytë i zgjedhjes së presidentit. Në atë kohë, në sallë do të duhet të ishin të paktën 80 deputetë, por në fakt ishin diçka më pak se 70.

Precedenti i interpretimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, ka sens në mënyrën se si ne duhet të zgjedhim presidentin. Meqë votimi për presidentin fillon duke kërkuar 84 vota në dy raundet e para dhe 71 në të tretin, dhe meqë këto raunde janë të pandërprera, atëherë ky votim duhet të fillojë kur të  ketë në sallë një kuorum së paku sa votat e nevojshëm për president, ndryshe votimi nuk mund të çelet. Kjo është logjika që rrëzoi presidentin e Kosovës sipas zgjedhjes dhe është qartazi një logjikë e shëndoshë ligjore, që përputh procesin e zgjedhjes me pjesmarrjen dhe kontributin e gjithë palëve në Kuvend.

E kam ngritur disa herë këtë problem për Gjykatën Kushtetuese, por në vend të tyre më është përgjigjur Sali Berisha, duke theksuar se duhet ta harrojmë precedentin e Kosovës. Biles, ai ka shkuar dhe më tej. Në ditët që Gjykata Kushtetuese e Kosovës, rrëzoi Presidentin Sejdiu për shkelje të Kushtetutës lidhur me dy detyrat e tij politike dhe shtetërore, Berisha u ka telefonuar liderëve politik në Kosovë, duke u sugjeruar mosrespektimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese, pra mos-dorëheqjen e Sejdiut dhe më pas mos-dorëheqjen as të Pacollit, pasi sipas tij, vendimet e Gjykatës Kushtetuese nuk kanë fuqi të rrëzojnë atë që ka ndodhur, por atë që do të vijë më pas.

Por, liderët e Kosovës treguan respekt ndaj Kushtetutës dhe ndaj vendit të tyre. Ata pranuan pasojat e vendimeve të Gjykatës së tyre Kushtetuese dhe dorëzuan postet. Kjo ka qenë në të vërtetë ngjarja e vitit në Kosovë, pasi një shtet i ri, me institucione ende të dobëta, dëshmoi një pjekuri të thellë në respektimin e Kushtetutës, si dokumenti themelor i shtetit. Berisha nuk u pajtua kurrsesi me vendimin e tyre, aq sa është bërë anektodik në qarqet e politikanëve të Prishtinës, të cilët ta tregojnë të gjithë njësoj dhe me të qeshur hakërrimin e tij në telefon, pse ata pranuan të zbatojnë një vendim që nuk i prekte.

Në të vërtetë, hakërrimi i Berishës për presidentin sipas Kushtetutës ka të bëjë me makthin që ai ka nga precedenti i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës në Shqipëri. Ndryshe nga politikanët e Kosovës, ai as që ka ndërmend të zbatojë një vendim gjykate, po u zgjodh ai, ose Topalli, president. Edhe sikur Gjykata Kushtetuese këtu të shprehet njësoj si e Kosovës, Presidenti që mund të jetë sipas Kushtetutës, Berisha apo Topalli, nuk kanë ndërmend të dorëhiqen, duke na rrezikuar të na fusin në një kolaps të ri shteteror, si në vitin 1997.

Për të shmangur këtë precedent të egër të shkatërrimit të shtetit për hir të pushtetit, duhet të gjendet mekanizmi që vë në lëvizje Gjykatën Kushtetuese para zgjedhjes së Presidentit, si dhe ti kërkohet Komisionit të Venecias interesim i qartë i çështjes së fillimit të procesit të votimit për president. Ky debat duhet të shtrihet dhe tek ekspertët kushtetues të Shqipërisë dhe Kosovës, tek krahasimi i rastit të ngjashëm dhe mentaliteti antikushtetues i kreut të qeverisë shqiptare. Berisha ka nisur të flasë përditë, duke shkruar një Kushtetutë të re orale, si Eposi i Kreshnikëve, që përcillet gojë më gojë, por që nuk ekziston askund, që nuk ka autor apo bazë ligjore. Ai po shkruan Kushtetutën sipas tij, për të dalë tek presidenti sipas Kushtetutës, i cili i nevojitet aq shumë.

Duke menduar që ky njeri, sa herë e rrëmben presidentin, fut vendin në luftë, dhe sa herë flet për Kushtetutën, ka ndërmend mosrespektimin e saj, duhet që ky manipulim  i tij me Kushtetutën të qartësohet ligjërisht para qershorit. Kështu do të jemi më të qartë kur ai ta rrëmbejë presidentin, në sallën ku duhet të zgjidhej sipas Kushtetutës. Dhe duhet ta trajtojmë si pushtues.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›