Për Topin e Artë, Xavi ose Iniesta

Sulmuesi i Barcelonës, Lionel Messi ka arritur në Argjentinë, për festat e fundvitit, të cilat zakonisht i feston me familje. Edhe pse kaloi një vit fantastik, ylli argjentinas nuk mendon se është favorit për ta fituar çmimin prestigjioz që i ndahet futbollistit më të mirë në vit, ‘Topi i Artë’.
Ai është i nominuar dhe është bërë pjesë e rrethit të ngushtë prej tre futbollistësh, së bashku me Xavin e Iniestën. 23-vjeçari për këtë trofe favorizon dy shokët e tij të skuadrës, që luajnë prapa tij në fushë.
“Mendoj se këtë vit, njëri nga bashkëlojtarët e mi në Barcelona, Xavi ose Iniesta, do ta fitojnë Topin e Artë”, deklaroi Messi për mediat argjentinase.
Fituesi i fundit i këtij çmimi megjithatë është i kënaqur me vitin që e lamë pas në aspektin personal, por edhe për atë që e arriti me klube.
“Viti 2010 ishte i mirë për mua personalisht, edhe pse në Kampionatin Botëror me Argjentinën nuk shkuam deri aty ku unë dëshiroja”, shtoi Messi, i cili këtë vit e fitoi kampionatin spanjoll me gjigantin katalunas.
Për vitin 2011, sulmuesi i shkathtë argjentinas i ka në mendje objektivat qysh tash. Përpos sukseseve me Barçën, ai synon që të arrijë të fitojë trofe edhe me përfaqësuesen jug-amerikane.
“Unë kam për qëllim që me Argjentinën ta fitoj Capa America vitin që vjen. Kjo është një mundësi e mirë që ta bëj në shtëpi”, vazhdoi Messi. Kampionati Copa America vitin që vjen do të mbahet pikërisht në Argjentinë.