Zamparini këshillon Kasamin të shkojë në Padovë

Presidenti i Palermos, Maurizio Zamparini e ka këshilluar futbollistin shqiptar të këtij ekipi, Pajtim Kasami që ta pranojë ofertën e ekipit nga Serie B, Padova, në mënyrë që të luajë në vazhdimësi, pasi këtë mundësi nuk e ka në Palermo, e as në ndonjë ekip tjetër nga Serie A.
“Cesena e Cagliari janë të interesuara për djaloshin, por nuk mendoj se do të ishte një ide e mirë për Kasamin që të transferohet në njërën nga këto dy vende. Në Cagliari nuk do të luante, kjo është e sigurt, kurse në Cesenë do ta kishte ndonjë mundësi të vogël, por jam i sigurt se nuk do të kishte jetë të lehtë as atje”, deklaroi kreu i klubit sicilian për uebfaqen mediagol.it.
“Me këtë rast, më shumë do t’ia vlente që të mbetet në Palermo, nëse nuk dëshiron të luajë në Serie B. Sipas meje, ai duhet të shkojë në Padova. Ky është një vend ideal për ta gjetur vazhdimësinë. Të shohim se si do të shkojnë gjërat ditët e ardhshme”, nënvizoi Zamparini.
Kasami u transferua në verë te Palermo nga klubi zviceran Bellinzona. Shiqptari me pasaportë zvicerane nuk po ka hapësirë të mjaftueshme sicilianët, derisa pritet të huazohet gjatë janarit të ndonjë klubi, ku do të ketë mundësi të luajë.