E Diel, 1 Nëntor 2026

Reflektime mbi "Tirana Rocks"

Territori ku shtrihet projekti fitues i konkursit për Tiranën Evropiane ka një veçanti urbane; është një zonë "midis", e cila nuk ka mundur ende të fitojë një identitet të vetin. Në memorien kolektive herë-herë kjo zonë konsiderohet si pjesë e qytetit dhe herë-herë si pjesë e parkut. Por, diçka është fakt, që kjo zonë ka mbetur 'unplugged' mes këtyre dy natyrave diametralisht të kundërta – urbane, e lodhur nga ndërtimet dhe, natyrë e qetë e gjelbëruar.

Në këtë rast, arkitektit i jepet si mision të integrojë këtë zonë në sistemin e qytetit, duke e ndihmuar atë të ndërtojë identitetin e munguar dhe duke e lidhur si me natyrën urbane, ashtu edhe me atë natyrale. Pra, në thelb, 'ushtrimi' kërkon që nëpërmjet zgjidhjeve urbane e arkitektonike kjo zonë të shërbejë për të lidhur këto dy hapësira me njëra-tjetrën, më natyrshëm dhe më gradualisht.

Qyteti kërkon më shumë se një qendër dhe Parku i Liqenit ofron tërheqjen e duhur për krijimin e një qendre të re. Liqeni është një 'landmark' për qytetin, sikundër janë edhe kodrat e gjelbëruara të tij. Por këto të fundit, për shkak të topografisë së tyre arrijnë ta bëjnë të lexueshme dhe të perceptueshme gjithandej kurorën e gjelbëruar të Parkut, ndërkohë që Liqeni mbetet mistik, apo surprizë për qytetarin dhe vizitorin. Atë mund ta perceptosh vetëm kur i ke shkuar fare pranë. Pra, ndihet se elementi i liqenit, ka mbetur jo shumë fort i theksuar në raport me strukturën e qytetit, gjithmonë nëse i referohemi karakterit 'landmark' që ai mbart.

Parku i Liqenit, përveç elementit të gjelbër dhe atij ujor, ka edhe një element të tretë shumë dominant; Digën. Kjo e fundit, dominon jo vetëm për shkak të brutalitetit të saj që lidhet direkt me natyrën e një dige, por edhe për shkak të rolit që ajo mbart në sistemin e Parkut të Liqenit. Shumë natyrshëm, Diga ka luajtur rolin e një kufiri (boundary), që është sa ndarës aq edhe bashkues për dy territoret mes të cilëve qëndron. Diga nuk lejon rrjedhjen e parkut në drejtim të qytetit, por aktualisht fton qytetin dhe qytetarët të cilët e përdorin atë si një shëtitore dhe skenë urbane. Diga gjithashtu, strukturalisht përfaqëson edhe shtyllën mbështetëse të Liqenit, por modestia me të cilën është konceptuar nuk lejon që ky karakter të dalë qartë në pah. Por Diga si element, në formën që na ofrohet sot, mbetet brutale dhe e varfër, ndërkohë që potencialisht mund të ofrojë shumë, e shumë më tepër.

Prezantimi i Winy Maas ishte mbresëlënës dhe përqasja e tij në prezantim tepër e ndryshme nga prezantimet e tjera. Them mbresëlënës, për shkak se ishte mjaft i thjeshtë, i kuptueshëm dhe gati-gati didaktik. Nuk ngjante me një prezantim ku tregohet puna e ndërtuar në 2 muaj konkursi, por eksperienca dhe njohja lokale e ndërtuar në disa vite pune me Tiranën. Mënyra se si ishte prezantuar koncepti dhe vetë ndërtimi i atij koncepti të bëjnë të kuptosh që kemi përpara një arkitekt që e njeh mjaft mirë kontekstin lokal, që e njeh dhe vlerëson thelbin e mënyrës së zhvillimit të qytetit shqiptar – qytet i ndërtuar më shumë nga njeriu dhe më pak nga planet -dhe që ka kuptuar 'genius loci' (ose atë që vendi kërkon!).

Arkitekti, ndërmerr rolin e një 'Ndërmjetësuesi', që ka marrë përsipër të realizojë misionin publik ndaj qytetit dhe elementëve 'të fjetur' të tij, por edhe misionin e plotësimit të kërkesave për zhvillim.

Arkitekti ka lexuar potencialin e vendit për t'u transformuar në një qendër të re për qytetin, për shkak se Liqeni perceptohet si magnet. Ka kuptuar që Liqeni dhe qendra që ai mund të krijojë rreth vetes duhet të jenë të lexueshëm dhe të perceptueshëm nga çdo pikë e qytetit. Ato duhet të dalin si arkipelagë mbi detin e ndërtimeve të tij dhe mbi nivelin e gjelbërimit që i rrethon. Kjo qendër e re duhet t'i japë karakter dhe të mbështesë duke e përmirësuar shumë më shumë mënyrën e funksionimit të Digës, si një shëtitore dhe skenë urbane. Kjo qendër e re duhet të nxjerrë më tej në pah Liqenin duke e kontrastuar atë dhe duke iu bërë ballë (waterfront).

Misioni i arkitektit lidhet edhe me krijimin e një identiteti për zonën e projektit; mbetur midis dy natyrave krejtësisht të ndryshme. Arkitekti propozon krijimin e një territori i cili fiton identitet duke shërbyer si lidhës/ ndërmjetësues midis qytetit të ndërtuar dendur dhe gjelbërimit të dendur të Parkut. Propozimi na ofron një figurë ku gjejnë vend të dyja natyrat si ajo urbane, ashtu edhe ajo natyrale. Por për shkak të ndjeshmërisë së tij ndaj shtimit të hapësirave të gjelbra dhe për arsye se ky territor nuk krijon dot qendër, duke shërbyer vetëm si element lidhës, arkitekti na propozon një sfond të gjelbër që qëndron në raport superior me figurat e ndërtuara mbi të.

Për të forcuar me tej lidhjen mes dy natyrave dhe për të theksuar më fort identitetin e fituar të territorit të konkursit, arkitekti në propozimin e tij bën një veprim/ lëvizje fare të thjeshtë (thjesht me një të lëvizur të krahut), duke i tërhequr figurat (që më pas do të transformohen në ndërtime me programe) në drejtim të Liqenit (që ishte magneti) dhe duke i dhuruar qytetit gjelbërimin e shtuar, të cilin më parë Diga si element brutal e kish penguar t'i shkonte atij (qytetit) aq pranë.

Veprimi/ lëvizja – e konsideruar si një lëvizje shah-mat – zbulon dhe iu jep vlerë të gjitha të panjohurave të 'ushtrimit' urban. Liqeni kthehet në 'landmark', Diga merr karakterin që i takon dhe mbështetur edhe nga figurat e propozuara kthehet në Ballinën Ujore (waterfront), qyteti hedh një hap drejt policentrizmit, një hap më pranë Tiranës Evropiane.

*Arkitekte / MA në Arkitekturë Urbane

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›