E Shtunë, 31 Tetor 2026

Për besimin dhe dashurinë

Një bar në Berlin mban ende emrin e Nelly Sachs. Në një kornizë në mur mund të lexosh disa vargje të saj për besimin dhe dashurinë. Për gjermanët e këtij shekulli apo dhe të huajt që mbërrijnë këtu, poezitë e Nelly-t vendosur në çdo cep të këtij bari, i thellojnë bisedat e tyre për jetën. Sytë e mëdhenj të Sachs vazhdojnë të mbeten të qeshur në atë foto. "Por jeta e Nelly nuk ishte e tillë", thotë kritika për të dhe gjermanët duan ta kujtojnë të tillë: me bluzën e bardhë dhe buzëqeshjen mbi buzë. Në lagjen ku ajo ka jetuar, mbrëmjet vijojnë të jenë plot yje. Ndërsa banorët e asaj lagjeje e dinë se "aty ka jetuar Sachs". Gati 40 vjet nga vdekja e një prej poeteve më të njohura të letërsisë gjermane, poezitë e saj vijojnë të jenë si rrëfimet më të ndjera për botën tonë. Kjo grua, që pati vetëm një moto në jetë, të shkruarit, futi në trupin e saj të gjitha dhembjet e një kohe dhe mbajti të gjallë pasionin, e bindur se pa të çdo trup është i vdekur. Nelly lindi në Berlin në një familje të shtresës së mesme çifute. Ajo ishte fëmija e vetme e industrialistëve William Sachs dhe Margareta (Karger) Sachs. Përpara se të hynte në kolegj, Sachs ishte edukuar nga mësues privatë. Ajo kishte studiuar muzikë, vallëzim dhe letërsi. Para adoleshencës Nelly ëndërronte të bëhej një balerinë. Gjithë jeta e saj do të ndryshonte pasi lexoi Selma Lagerlof në moshën 15-vjeçare. Letërsia e Selmës, një prej grave më të njohura në letërsinë suedeze, fituese e çmimit "Nobel" në vitin 1909 do ta bënte Nelly-n të ëndërronte një jetë si e kësaj gruaje. Një ditë ajo i nisi një letër Selmës, letër e cila u pasua më pas me një korrespondencë të gjatë 35-vjeçare mes tyre. Poezitë e Sachs do të dalloheshin menjëherë për frymën ndryshe që i përshkonte. Stefan Cvajg, pasi lexoi poezitë e saj në një gazetë gjermane, i shkroi menjëherë një letër, duke i shprehur besimin se "ajo ishte një poete e vërtetë". Letërsia e Sachs nuk ndryshon shumë nga letërsia e traditës romantike të poetëve të njohur klasikë gjermanë si Gëte apo Shiller. Gjatë viteve 1920-1930 poemat e saj lirike u botuan vazhdimisht në shtypin gjerman, por, megjithatë, ajo ende nuk kishte mundur të konsiderohej pjesë e letërsisë në Berlin. Pas vdekjes së babait në vitin 1930, ajo jetoi me të ëmën. Pas ardhjes së nazistëve në pushtet në vitin 1933, jeta e Sachs filloi të mos ishte më e qetë. Nga letrat e Lagerlof ajo mendonte se në Suedi do të gjente paqen e duhur për të shkruar, për më tepër do të kishte mundësi të qëndronte pranë mikeshës, që për vite të tëra kishin shkëmbyer ndjesitë e tyre për realitetin. Por ashtu si të gjitha gjërat e bukura që s‘mund të jenë të tilla, kur Sachs udhëtoi drejt Suedisë për të jetuar pranë mikes së saj Lagerlof, kjo e fundit kishte vdekur. Ky moment i trishtë në jetën e saj do të kthehej në një frymëzim të pafund për të shkruar. "E shkruara mund të na shërojë plagët", i shkruante Selma dikur. "Ishte vjeshtë kur mbërrita në Suedi. Në rrugën ku ajo më shkruante se rënia e gjetheve e bënte më melankolike dhe ku i pëlqente të ecte e vetme mbrëmjeve, ndenja e vetme gjatë. Nuk ia falja vetes që për kaq vite me radhë nuk kisha marrë avionin dhe të shkoja ta takoja", kujtonte Sachs. Për të humbja e njerëzve ku kemi besuar se ndodhej gjysma jonë tjetër është dhembja më e madhe. Nelly vendosi të ecte në gjurmët e saj. Të jetonte në po ato rrugë që për vite të tëra ishin frymëzimi për gruan që i çoi "Nobelin" Suedisë në vitin 1906, pa e ditur se ato rrugë do ta çonin dhe atë drejt çmimit të madh të letrave më 1966-ën. Por Suedia nuk mund t‘ia sillte paqen poetes, për sa kohë njerëz të familjes së saj vuanin në kampet naziste. Me gjithë përpjekjet e saj për të depërtuar në to dhe për t‘i shpëtuar, një pjesë e familjes së saj vdiqën të internuar. Vetëm në vitin 1960 Nelly mundi ta vizitonte Gjermaninë 20 vjet pas largimit prej këtij vendi. Në "atdheun" e saj të ri, Suedinë, Sachs mësoi mirë gjuhën dhe bashkë me të ëmën përkthyen në gjermanisht shumë autorë të njohur suedezë si Gunnar Ekelöf, Erik Lindegren dhe Johannes Edfelt. Në vitin 1953 ajo u kthye në një kritike të njohur të letërsisë suedeze. Një moment që do të thellonte neurozat te kjo poete ishte vdekja e së ëmës. Gruaja që i kishte ndenjur pranë gjatë gjithë jetës u largua përgjithmonë në vitin 1950. Kjo do ta bënte Sachs të kalonte në një depresion të thellë. Vitet e fundit ajo nisi të lexonte literaturë fetare dhe biblën. Ajo botoi një sërë vargjesh në shtyp, ku mund të kujtohet një nga më të njohurat në atë periudhë kushtuar Holokaustit "Vendi memec". Në vitin 1954 ajo nisi korrespondencën me poetin Paul Celan. Në letrat e tyre ata rrëfenin për botën tjetër që ndodhej brenda tyre, atë botë që e bënte Nelly-n të shkëpuste lidhjet me botën reale. Në vitin 1960 ajo shkon dhe e takon Celan në Paris. Pas shumë viteve në izolim Sachs fillon të bëhet e njohur në të gjithë botën. Në vitin 1960 merr çmimin "Droste-Hülshoff Prize" dhe në 1965-ën "Peace Prize of the German Book Trade". Pas marrjes së këtyre çmimeve ajo shprehet: "Pavarësisht problemeve të së shkuarës unë besoj te ju". Në vitin 1959 fama e saj u bë e madhe. Pas marrjes së çmimit "Nobel" jeta që kishte nuk ndryshoi. Ajo vazhdoi të jetonte në apartamentin e saj të thjeshtë në Stokholm, në lagjen e njohur të hebrenjve. Dhe pse poezitë e saj janë një rrëfim për dashurinë, ajo nuk u martua asnjëherë. Për vite me radhë do të jetonte ashtu siç i shkruante mikut të saj Celan, "mes dy botëve". Depresioni ishte tashmë diçka e pakurueshme për Sachs. Ajo vdiq nga kanceri më 12 maj të vitit 1970.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›