E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bush: Ftesa e Shqipërisë, vlerësim për reformat që po kryhen

Kryeministri Berisha dhe delegacioni që e shoqëronte ishte i ftuar dje në një drekë pune të organizuar nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, George W. Bush në vilën rezidenciale Drekrizhje në Zagreb, për të festuar marrjen e ftesës për anëtarësim në NATO, nga ana e Shqipërisë dhe Kroacisë. Në këtë drekë ishte i ftuar edhe delegacioni i Republikës së Maqedonisë i kryesuar nga Presidenti Branko Cervenkovski dhe Kryeministri, Nikola Gruevski. Gjatë kësaj dreke u diskutua gjerësisht për zhvillimet rajonale si dhe për marrjen e ftesës nga ana e Shqipërisë dhe Kroacisë, si dhe për zhvillimin e mëtejshëm të këtyre vendeve. Gjithashtu biseda u fokusua edhe në përgjegjësitë që rrjedhin nga ftesa për anëtarësim në NATO, për të pasur si rezultante të shpejtë anëtarësimin e plotë në Aleancën e Atlantikut të Veriut. Dreka e shtruar nga Presidenti Bush, u hap me fjalën përshëndetëse të Presidentit të SHBA-së, në të cilën ai u uroi mirëseardhjen delegacioneve të larta të vendeve anëtare të Kartës së Adriatikut dhe përgëzoi Shqipërinë dhe Kroacinë për marrjen e ftesës së anëtarësimin në NATO gjatë Samitit të Bukureshtit. “Faleminderit Kroaci, Faleminderit Shqipëri!”, ishin fjalët përshëndetëse të Presidentit Bush për dy popujt më të rinj të anëtarësuar në NATO. Presidenti amerikan falenderoi edhe Maqedoninë për perpjekjet që ka bërë për anëtarësim në NATO, duke shtuar se “dyert per të janë të hapura, sapo të zgjidhë cështjen e emrit me Greqine”. Presidenti Bush shprehu vlerësimet e tij pozitive për reformat e vështira dhe të mëdha që këto vende kanë nisur dhe janë duke implementuar, për marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë që këto vende kanë ditur të ndërtojnë në një rajon siç është Ballkani dhe shprehu falënderimet për kontributin që vendet e Kartës së Adriatikut kanë dhënë me forcat e tyre paqeruajtëse në misionet e NATO-s. “Ne mirëpresim në Aleancën e Atlantikut të Veriut Shqipërinë dhe Kroacinë, vende që janë aleate të besueshme të NATO-s”, tha Presidenti Bush. Ai deklaroi se SHBA dhe NATO do garantojnë lirinë për Shqipërinë dhe Kroacinë, që morën ftesën e anëtarësimit në NATO gjatë samitit të Bukureshtit të mbajtur para dy ditëve në Rumani. “Jam i kënaqur që Shqiperia dhe Kroacia morën ftesën për anëtarësim në NATO. SHBA dhe NATO do qëndrojnë gjithmonë me ju dhe askush nuk do lejojë të cënojë lirinë tuaj”, u shpreh Presidenti amerikan Xhorxh W Bush në fjalimin e tij mbajtur para popullit kroat në sheshin kryesor të Zagrebit “Shën Mark”. Kreu i Shtëpisë së Bardhë, shprehu kënaqësinë që Shqipëria dhe Kroacia morën ftesën për anëtarësim në NATO, ndërsa njëkohësisht shprehu keqardhjen që NATO-ja nuk dha ftesën edhe për Maqedoninë. “Ftesa e NATO-s për Maqedoninë u shty vetëm për shkak të konfliktit që ajo ka për emrin, me Greqinë. Sapo kjo çështje të zgjidhet, Maqedonia do të bëhet pjesë e Aleancës”, vuri në dukje ai. Duke vlerësuar kontributin e vendeve të Kartës së Adriatikut në misionet paqeruajtëse, Presidenti Bush u shpreh se “sot në breg të Adriatikut ne jemi të lirë, jemi së bashku si njerëz të lirë. Liria është ajo për të cilën ne luftojmë. Ne jemi të nderuar që ju mirëpresim në NATO, por presim reforma të nevojshshme që të bëni përpara në Aleancë”, shtoi mes te tjerash Bush, ndërkohë që vlerësoi si mjaft të vlefshëm kontributin e vendeve të rajonit për lirinë. Gjithsesi Presidenti Bush i ftoi vendet e Kartës së Adriatikut, Shqipërinë, Kroacinë dhe Maqedoninë të vijojnë procesin e modernizimit të forcave të tyre ushtarake. Ndërkaq, Kreu i qeverisë shqiptare Sali Berisha pasi falënderoi Presidentin e Kroacisë për mikpritjen, i shprehu mirënjohjen e thellë Presidentit Bush për kontributin përcaktues të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO dhe për zhvillimet në Ballkan. Berisha shprehu angazhimin dhe vendosmërinë e qeverisë shqiptare për të proceduar me reformat e nevojshme për plotësimin e standardeve të kërkuara për anëtarësimin e plotë në NATO në të gjitha aspektet, veçanërisht në atë ushtarak. gjatë kësaj dreke fjalën e morën Presidenti i Kroacisë, Stipe Mesiç, Presidenti i Shqipërisë, Bamir Topi dhe Presidenti i Maqedonisë Branko Çervenskovski, të cilët falënderuan Presidentin Bush për drekën dhe i shprehën atij mirënjohjen e thellë të vendeve të tyre për ndihmën dhe mbështetjen e vazhdueshme që Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë dhënë për proceset e zhvillimit të lirisë dhe demokracisë në këto vende. Presidenti Topi dhe Presidenti Mesiç i shprehën mirënjohjen Presidentit Bush për marrjen e ftesës nga ana e Shqipërisë dhe Kroacisë për anëtarësimin në NATO, si dhe vlerësuan rolin vendimtar që SHBA ka luajtur për marrjen e këtij vendimi gjatë Samitit të Aleancës së Atlantikut të Veriut në Bukuresht. Gjithashtu gjatë këtij takimi u diskutua për një bashkëpunim sa më të gjerë rajonal mes tre vendeve anëtare të Kartës së Adriatikut.
Bush falenderon popullin shqiptar për mikpritjen e paharrueshme dhe bujare gjatë vizitës së tij/Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, George Ë. Bush falenderoi dje Kryeministrin Berisha për mikrpritjen e ngrohtë që popullis shqiptar i bëri atij gjatë vizitës zyrtare, e cila u zhvillua në qershor të vitit të kaluar. Gjatë takimit në një drekë pune për nder të marrjes së ftesës së Shqipërisë për në NATO, Kryeministri Berisha dhe Presidenti Topi, dhe homologët e tyre të Kroacisë dhe Maqedonisë patën një takim me Presidentin Bush në zyrat e Këshillit të Ministrave të Kroacisë. Gjatë këtij takimi Presidenti Bush në bisedën me Kryeministrin Berisha dhe Presidentin Topi, i uroi ata përzemërsisht për marrjen e ftesës për në NATO, ndërsa shprehu kujtimet e pashlyeshme për mikpritjen e madhe që populli shqiptar i bëri atij gjatë vizitës së tij në Shqipëri. Ndërsa, Kryeministri Berisha duke i shprehur falënderimet Presidentit Bush për mbështetjen e vazhdueshme që Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë dhënë për integrimin e Shqipërisë në Aleancën e Atlantikut të Veriut theksoi se Shqipëria dhe Kroacia duhet të jenë plotësisht krenare për arritjet e tyre si në fushën politike, ekonomike dhe ushtarake, duke u vendosur me dinjitet përkrah forcave të NATO-s, dhe kanë demonstruar se janë aleatë të besueshëm dhe kontribuues të paqes në rajon dhe më gjerë. Gjithashtu, gjatë vizitës në Kroaci Kryeministri Berisha zhvulloi takime të vecanta me Presidentin e Kroacisë, Stipe Mesic, Kryeministrin, Ivo Sanader, Presidentin e Maqedonisë, Branko Cervenkovski dhe Kryeministrin e Maqedonisë, Nikola Gruevski.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›