E Shtunë, 31 Tetor 2026

Partizani, gafë e pafalshme në Vlorë

Partizani është kthyer me këmbë në tokë dhe për të dytën ndeshje radhazi ka "provuar" se ndoshta nuk është ende gati për të luftuar për titullin kampion. Ekipi i drejtuar nga Hasan Lika ka përsëritur paraqitjen zhgënjyese të javës së kaluar, por këtë radhë duke u mposhtur me rezultatin e thellë 3-0 në Vlorë përballë Flamurtarit vendas. Ndonëse vlonjatët nuk luftojnë thuajse për asgjë në këtë sezon, para publikut të tyre kanë treguar pikërisht atë që u mungoi të kuqve, grintën dhe dëshirën për të fituar një ndeshje, ndonëse thjesht për prestigj. Pas kësaj humbjeje, Partizani ka humbur shansin e radhës për të rifituar kreun e renditjes, me një distafë që tashmë mund ta shohë atë të përfshirë në luftën për vendin e dytë në kampionat, pas rizgjimit të Tiranës dhe Elbasanit.

Në fillimin e ndeshjes, të kuqtë janë shfaqur mjaft agresivë, duke kërkuar një gol të shpejtë falë aksioneve nga krahët me Muzakën që harkon vazhdimisht në drejtim të shokëve të skuadrës. Në minutën e 18-të, Bakaj arrin të gjuajë në portë, por shtylla i mohon gëzimin e golit mesfushorit të talentuar. Më pas është vetë Muzaka që provon të shënojë, por Moçka e ndalon gjuajtjen e tij me një devijim spektakolar. Kovaçiç detyrohet të bëjë një zëvendësim, që më pas do të rezultojë vendimtar, duke larguar Dedajn e dëmtuar, për të aktivizuar Canin. Por ky ndryshim është fatlum për vlonjatët që rifitojnë terrenin e humbur dhe bëhen më agresivë para portës së Shehit. Pas disa tentativave radhazi, në minutën e 58-të vjen edhe goli i avantazhit për skuadrën vendase me Canin, i cili shfrytëzon më së miri një pasim të saktë të Veliut, duke ndezur entuziazmin në stadium. Pritet reagimi i Partizanit, por të kuqtë e kanë të vështirë të ndërtojnë aksione të mirëfillta, duke e bazuar lojën e tyre në skema të pavlefshme të kundërsulmit. Ndaj është Flamurtari që ka iniciativën dhe që rrezikon disa herë portën e Shehit me depërtime të shpejta nga krahët. Skuadra e drejtuar nga Kovaçiç arrin të dyfishojë rezultatin pas një goditjeje dënimi të Brakoviç, me Memën i cili devijon saktësisht me kokë topin në portën e ekipit kryeqytetas. Vlonjatët kanë kohë të shënojnë edhe golin e tretë, pas një goditje standarde të nisur përsëri nga këmbët e Brajkoviç, por këtë radhë me Gugën që kërcen mbi mbrojtjen e përgjumur të Partizanit dhe shënon qetësisht në portën e Shehit. Të kuqtë kapitullojnë pa kushte dhe largon kokulur nga Vlora, duke treguar se nuk po kalojnë një formë të mirë dhe se tashmë janë kthyer në një skuadër "të zakonshme", e cila në dy javët e fundit ka lënë pikë me skuadrat e pjesës së ulët të klasifikimit, duke rrezikuar seriozisht të humbin çdo shans që kishin për të fituar titullin kampion në këtë sezon.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›