Presidenti Topi: Shqipëria do të mbetet partner i SHBA-ve në politikat e sigurisë dhe të progresit
Presidenti i Republikës Bamir Topi ka deklaruar dje gjatë fjalës së mbajtur në takimin e një dreke pune me Presidentin e SHBA-ve, George W Bush, se Shqipëria do të kontribuojë denjësisht në përbërjen e Forcave Ndëkombëtare për Siguri dhe Asistencë të NATO-s, në Afganistan dhe në misione të tjera. Duke falenderuar për mbështetjen Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Presidenti Topi ka vënë në dukje se qeveria amerikane do të japë shembullim orientues për të nxitur investimet amerikane në hapsirat e reja të Aleancës, si Shqipëria e Kroacia, si provë sigurie e stabilitetit afatgjatë. “Shpreh besimin se qeveria amerikane do të japë e para shembullin për të orientuar dhe nxitur më shumë investimet amerikane në këtë hapësirë të re të Aleancës, si prova e sigurisë e stabilitetit afatgjatë në vendet tona”, deklaroi Presidenti Topi. Pas Samitit të Bukureshtit, Presidenti Topi, shprehu besim se “zgjerimi i NATO-s me anëtarë të rinj të rajonit do të sjellë një frymëmarrje të ndryshme edhe për vendet e tjera”. “Anëtarësimi i Shqipërisë në NATO përveçse është një vlerësim i arritjeve të deritanishme të reformave në gjirin e shoqërisë shqiptare përbën dhe një platformë politike, ushtarake, ekonomike, sociale të detyrueshme për t’u ndjekur dhe për t’u realizuar, në afatet e duhura jo vetëm në planin kombëtar, por edhe në atë global”, tha Kreu i Shtetit. Ai konfirmoi vendosmërinë e Shqipërisë për të kontribuar në përbërje të Forcave Ndërkombëtare për Siguri dhe Asistencë të NATO-s në Afganistan, por edhe në misione të tjera që mund të kërkohen. “Ne jemi të ndërgjegjshëm për këto sfida, të cilat besoj se do t’i përballojmë, sepse përkrah nesh ndjejmë mbështetjen e SHBA-së, një aleat i madh, me të cilin marrëdhëniet janë të shkëlqyera dhe shumë të rëndësishme për popullin shqiptar. Rrugëtimi i këtyre marrëdhënieve orientohet nga vizione të qarta, të palëkundura të demokracisë, të lirisë e të euroatlantizmit. Shqipëria do të mbetet partner edhe në politikat e sigurisë dhe të progresit që SHBA do të ndërmarrë në rajonin tonë edhe në planin global”, nënvizoi Presidenti. Pas përfundimit të punimeve të Samitit të Bukureshtit (2-4 prill), Presidenti Topi, Kryeministri Berisha dhe delegacioni shqiptar që e shoqëronte në këtë takim, u nisën dje pasdite në Kroaci për të marrë pjesë në një pritje të organizuar nga Presidenti amerikan Bush për vendet që morën ftesën e anëtarësimit në NATO.