Për çdo natë iftar falas për 500 veta.

Mitrovicë, 9 gusht - Kryetari i komunës së Mitrovicës, Avni Kastrati uron të gjithë besimtarët myslimanë dhe qytetarët mitrovicas për muajin e madhërishëm të Ramazanit, duke u lutur për shëndetin dhe mirëqenien e tyre. Njëkohësisht, ai shpreh besimin se ky muaj i madhërishëm do të shtojë qetësinë në zemra dhe do të rrisë solidaritetin e tolerancën mes njerëzve. Kryetari Kastrati shfrytëzon këtë rast që t’i njoftojë dhe t’i ftojë qytetarët për iftar që do të shtrohet për çdo natë të Ramazanit në tendën e vendosur pranë Xhamisë së Zallit. Ai falënderon kryetarin e komunës së Inegolit të Turqisë, Alinur Aktash, i cili ka mundësuar realizimin e këtij projekti për qytetarët e Mitrovicës. Kastrati gjithashtu falënderon edhe komunitetin shqiptar që jeton në Inegol, komunë kjo me të cilën Mitrovica është e binjakëzuar, për kontributin e tyre në thellimin e bashkëpunimit ndërkomunal.