E Shtunë, 31 Tetor 2026

Për çdo vit, formularë të rremë për çështjen e strehimit

Prej më shumë se tetë vjetësh me radhë, nga Bashkia e Tiranës njoftohet se do të plotësohen formularët për çështjen e strehimit. Më pas thonë se po identifikojnë rastet, të cilat do të përfitojnë strehim. Ndërkohë që bëhen këto procedura, askush nuk e beson, pasi për çdo vit ata dëgjojnë të njëjtat fjalë. Te zyra për ankesa të publikut, që ndodhet te Bashkia, janë të shumtë njerëzit që vijnë çdo ditë për të kërkuar strehim. Deri më tani janë plotësuar më shumë se 3000 formularë dhe ankesa, ku qytetarët kërkojnë strehim. Ndërkohë që Bukurie Abazi, një grua që gjetëm në radhë tek kjo zyrë pohon: Kam më shumë se katër vjet që vij thuajse çdo ditë për të marrë një përgjigje se çfarë është bërë me kërkesën time për strehim. Deri më tani, nuk më është dhënë as edhe një përgjigje tjetër, veçse të qëndroj në pritje. Jam pa shtëpi dhe bashkë me familjen time jam e strehuar te vëllai im. Jo se ai ka ambient, por se nuk rrimë dot në rrugë. Burrin e kam pa punë dhe vetë punoj me ditë ku të mundem. Ndërsa fëmijët në shkollë. Këtu më kanë premtuar se do jem në listën e atyre që do strehohen, por deri tani nuk kanë bërë as edhe një banesë për strehim. Ajo që kam bërë deri më tani janë vetëm lutjet e shumta të drejtuara në këtë institucion për një banesë dhe përgjigjet e vazhdueshme kanë qenë kalo një herë pas disa ditësh. Me qindra herë jam ulur në karriget e zyrës së pritjes për ankesat e qytetarëve duker pritur radhën për të marrë një asgjë të madhe. Kam tentuar ti dërgoj letër edhe vetë kryebashkiakut si dhe nënkryetarit të bashkisë. Nuk e di se ku kanë përfunduar këto letra por me sa duket ato janë hedhur në koshin e radhës të plehrave për deri sa unë nuk arrita të merrja as edhe një përgjigje. Kam tentuar të lë edhe takim por askush nuk më ka pritur veçse më kanë thënë rri në radhë pas bashkisë, atje ku është zyra e ankesave të qytetarëve. Kam shumë vite që vij këtu ditë pas dite dhe dëgjoj vetëm të bërtiturat e punonjëseve që ma kanë mësuar fytyrën përmendësh dhe më thonë se mos eja më për disa kohë se nuk është bërë agjë për banesat sociale kështu që prit. E ku të pres unë e mjera? Unë jam në shtëpinë e botës se timen thjeshtë e ëndërroj. Ndoshta do të vijë dita që të vdes në derënë e kësaj bashkie akoma pa marrë një strehë ku të fus kokën e ku të lë fëmijët e mi.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›