E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta: Synimi ynë largimi i Berishës, Rama i mirëpritur

Kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim, iniciuesi i tryezës së majtë të bashkuar, për koordinimin e përpjekjeve me qëllim largimin e Berishës dhe fitoren e së majtës, ka shpalosur më mirë këtë synim gjatë fjalës së tij në këtë tryezë. Kreu i LSI-së, shoqërohej nga ish kryetari i Partisë Socialiste, Fatos Nano dhe kreu i PSV 91 Petro Koçi, të cilët iu përgjigjën pozitivisht ftesës për bashkimin e së majtës me të vetmin synim, largimin e Berishës. Këtu nuk bëhet fjalë për fatin e karrierës së secilit prej nesh, apo të atyre që mungojnë, këtu bëhet fjalë për stabilitetin e vendit, bëhet fjalë për fitoren e opozitës dhe të majtës progresiste, bëhet fjalë për të mbushur atë mision historik, që e majta e ka ndërmarrë prej një kohe të gjatë duke nxjerrë mësime nga e kaluara, nënvizoi Meta. Pavarësisht mungesës së kreut aktual të socialistëve, Edi Ramës në këtë tryezë, lideri i LSI-së e vlerësoi integrues projektin e ndërmarrë dhe në këtë drejtim, ai veçoi faktin se ftesa mbetet e hapur duke besuar se si në të kaluarën edhe në të ardhmen Rama do të jetë pjesë e projekteve integruese të së majtës. Ai ka apeluar ndaj përfaqësuesve të PS, që të reagojnë me pjekuri, me përgjegjësi dhe me konstruktivitet, sepse sipas tij duhet hequr dorë një herë e mirë nga bastet personale. Ndër të tjera ai përkrahu faktin se vetëm fryma e integrimit i shkon për shtat një të majte evropiane, që mund të bëjë një Shqipëri evropiane, sepse sipas tij fryma e arrogancës, e përjashtimit dhe e cinizmit nuk japin asnjë kontribut pozitiv, për suksesin e zgjedhjeve dhe për suksesin e të majtës dhe forcave progresiste në 28 Qershor dhe pas 28 Qershorit. Dua të konfirmoj edhe një herë tjetër vullnetin tim dhe të Lëvizjes Socialiste për Integrim për të bashkëpunuar, në radhë të parë për mbrojtjen e standardeve të zgjedhjeve në 28 Qershor, pasi këto standarde janë seriozisht të rrezikuara nga Qeveria aktuale dhe Kryeministri në largim z. Berisha dhe së dyti për të krijuar një frymë sa më optimiste, përmes një koordinimi të të gjithë faktorëve të majtë për fitoren sa më bindëse dhe të sigurt të opozitës në tërësi dhe të majtës progresiste në zgjedhjet e 28 Qershorit, vijoi Meta. Sipas kreut të LSI-së, kjo nuk është iniciativa e parë, sepse siç theksoi ai iniciativa të tilla janë bërë edhe më parë nga ana e tyre. Ai vlerësoi të rëndësishëm bashkëpunimin dhe koordinimin për mbrojtjen e standardeve të zgjedhjeve të 28 Qershorit, duke u bërë apel gjithë strukturave të LSI dhe të PS dhe gjithë forcave të tjera opozitare të koordinojnë në  bazë, të koordinojnë në komisionet e qendrave të votimit, të qendrave të numërimit, që të mbrohen në mënyrë sa më efikase standardet e zgjedhjeve të 28 Qershorit.  

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›