Për çfarë i provokon Vorpsi
Asnjëherë një shkrimtar shqiptar nuk ka qenë kaq i komentuar nga lexuesi jashtë Shqipërisë sa herë që nxjerr një libër të ri. Është Ornela Vorpsi dhe lexuesi e adhuron ose e akuzon
Është Ornela Vorpsi dhe lexuesi e adhuron ose e akuzon. Librat e saj nuk lënë indiferent sidomos lexuesin jashtë Shqipërisë, madje as intervistat apo format e tjera të të shprehurit që pësojnë kërkimet e artistes që ka emigruar nga këtu 18 vjet para. Morëm shkas nga një shndërrim i fundit i Vorpsit për të parë më ngadalë qëndrimin që prej kohësh ka nisur të mbajë lexuesi (apo jo lexuesi i veprës saj). Së fundi romani "Dora që nuk e kafshon", i dyti i autores, është bërë teatër, i trajtuar si monolog me një akt, i përshtatur nga dy të rinj, Dardana Bërdyna dhe Albert Dedja, të cilët kanë krijuar të parën kompani shqiptare teatri në Trento, Itali, të quajtur "Muri i katërt".
Bota e emigrantëve, e atyre që ndihen të huaj qoftë në Lindje prej nga kanë ikur, qoftë në Perëndim ku duan të rikthehen me një jetë të re pa kujtime. Prandaj janë ngacmuar dy të rinjtë që kanë ndjerë veten në pozitat e personazheve të Vorpsit. Për Albert Dedjen ky është një rast kur duhet shfrytëzuar "arti ynë për të treguar për veten tonë, për të bërë të njohur origjinalitetin e kulturës sonë. Gjuha është e thjeshtë dhe direkte. Është poezi. Nostalgjia jonë".
Ky është një interpretim që e japin profesionistët. Po lexuesit, ata që i afrohenmë shumë me zemër se me mendje një vepre arti, çfarë qëndrimi mbajnë ndaj Vorpsit dhe librave të saj? Nga më ekstremet. Në forume gjen pafund komente.
Meqë në shtypin shqiptar është shkruar kaq shumë për të, edhe pse nuk kemi akoma një libër të sajin në gjuhën shqipe, ky është vendim i prerë i saj, nuk po ndalemi shumë tek informacioni i konsumuar tashmë për letërsinë që Vorpsi shkruan dhe që në thelb ka nota të theksuara autobiografike nga të dy periudhat bazë të jetës që ka kaluar nën diktaturë dhe në emigracion.
Ja ç'thotë një lexues:
"Ornela nuk e do Shqipërinë, ngaqë i vjen turp prej saj por edhe ngaqë po të ishte ndryshe nuk do të kishte më cilën të kritikonte për të mbështetur revoltën e saj artistike. Aq të domosdoshme për të kryer veprën e saj. Pra për të arritur qëllimin që ajo i ka dhënë vetes në jetë." Pritësi i këtij komenti është edhe më i ashpër sa nuk ia fal autores vendimin që librat e saj të mos botohen shqip: "Një që ndërton suksesin e saj me qurravitjet e asaj që ajo kujton se ka pësuar? Nëse është kaq "luftarake" përse s'pranon që të botohet në shqip?"
Ka lexues që nuk merren fare me librat por me zhurmën që ata kanë bërë në mediate huaja dhe këta i përkasin kategorisë së lundruesve të ngeshëm të internetit dhe janë më pak të rëndësishmit për të pritur reagime racionale me bazë njohjen e "fenomenit Vorpsi". Ka që i shqetëson mënyra si i sheh ajo bashkëkombasit dhe të tjerë që komentojnë raportin e autores me famën, me çmimet e fituara, me komentet vetëm pozitive të kritikës italiane, franceze, me fatin e madh për t'u botuar menjëherë në gjuhët kryesore të botës, fat që nuk e kanë pasur shkrimtarë karriere në Shqipëri dhe ca pak jashtë saj.
"Do ishte blasfemi sikur unë të thoshja që Ornela më duket nga ato artistet e parafabrikuara që Franca ka qejf t'i bujti. Pavarësisht ajo "e bukura e dheut" qëndron. Ka një elegancë të jashtëzakonshme, në lëvizje në shprehi, në mënyrën si e drejton çdo pjesë të trupit të vetë. Këtë ia kam zili",- shkruan ky lexues, që duket të jetë nga të shumtët adhurues të imazhit të shfaqur të Vorpsit.
Reagimet ndaj saj tregojnë se kjo autore ka bërë në letërsi për vendin e saj atë që nuk ka mundur ta bëjë si fotografe, piktore dhe videoaste për kaq vite në Paris dhe ku pas kërkimeve në këto mediume me një frymë sikur të mos kishte asgjë prej emigranteje, ka treguar një dimension të çliruar nga makthe sociale, nga dilema të identitetit, dimensione që paskan pasur nevojë për letërsinë.
Edhe në mesin e kritikëve shqiptarë të letrave ka dy kampe të pashpallura ndaj letërsisë së Vorpsit. Njëri mendon se me kaq sa ka shkruar kemi të bëjmë me një penë të talentuar por që duhet pritur për të gjykuar më ftohtë kur të mos merret më me lëndë autobiografike. Kampi tjetër mendon se kemi të bëjmë me një letërsi në modë sot në Evropë dhe kryesisht me lëndë që vjen nga Evropa Lindore por e shkrifëruar në një tokë perëndimore, nga autorë që kanë krijuar distancë nga atdheu.
Autorja e tri librave artistikë, "Vendi ku nuk vdiset kurrë", "Pini Kakaon Van Houten", "Dora që nuk kafshon", për të cilët ka fituar çmimetë rëndësishme letrare si "Grinzane Cavour", "Viareggio", "Elio Vittorini", përbën megjithatë një fenomen që në kushtet e mungesës të krijimtarisë së saj, të merreshim për pak me projeksionet e veprës tek lexuesi ynë, tek ai lexues shqiptar që komentet e mëposhtme nuk i ka bërë në gjuhën shqipe.
Komente
Jemi fatlumë për këtë talent.
Pështyni dhe ju si Vorpsi, pa të shohim
- Një mrekulli, vërtet. Jemi fatlumë ne shqiptarët për këtë talent! Romani "Vendi ku nuk vdiset kurrë" është një letërsi e plotë dhe e vërtetë nga këndvështrimi i një fëmije që tragjikisht ka ndjerë barrën e diktaturës... Më pëlqen stili dhe kam për të lexuar me kënaqësi libra të tjerë të saj ku zbulohet rebelizimi i saj kundër racizmit në Itali, në Evropë dhe më gjerë.
- Po, është e vërtetë që ajo tregon anën tjetër të diktaturës që ka parë, çka nuk kemi mundur të shohim unë dhe ti. Duhet të jemi më civilë për ta kuptuar atë. Dhe të tjerë që kanë humbur jetën apo shpirtin për faj të diktaturës...
- Nuk e vë në dyshim që duhet të jemi më civilë, madje më të kuptueshëm, më njerëzorë, dhe pikërisht për këtë nuk do të toleroj atë që spekulon me këtë vuajtje..
- Vorpsi bën pjesë në atë aradhë shkrimtarësh emigrantë që u ecën duke fyer e vjellë vrer mbi vendin e saj.
- Nuk është e vërtetë. Ndjej respekt dhe krenari për Ornelën, dhe do të pres me kënaqësi se çfarë do të shkruajë për botën oksidentale, ku të gjithë jemi zhgënjyer me ëndrrat tona.
- Ornela është shkrimtare e zonja. Nëse çështja është që fama e saj është ndërtuar duke pështyrë mbi popullin e saj, pështyni pra ju, dhë të shohim a jua mban. Shqiptarët gjithnjë kanë hedhur m... mbi njerëz që kanë treguar për Shqipërinë. Ditën që do të heqin dorë nga kjo, do të jetë për shëndetin e tyre dhe Shqipëria do të ndryshojë. Në vend që të jemi të gëzuar që talente të rinj po dalin dhe që më në fund nuk po kujtohemi vetëm krime, vazhdoni akoma me lakmitë tuaja për të ardhur keq. Punoni, shkruani dhe të shohim në do mbërrini aty ku ka dalë Vorpsi e vetme. Ju besoni se Italia apo Franca apo ndonjë vend tjetër ku ajo është botuar, iu bë vonë për ata që pështyjnë mbi vendin e tyre? More, do rriteni ju, apo!