E Shtunë, 31 Tetor 2026

Për çfarë standardesh zgjedhore flitet kur bie KQZ?

Rekomandimi i parë që bëjnë vëzhguesit e OSBE/ODIHR, është ndryshimi i formulës së përbërjes së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Organi që ka për detyrë të menaxhojë zgjedhjet në Shqipëri ka shkatërruar këtë proces zgjedhor, ndryshe nuk do rekomandohej që të rishikohet përbërja. Ky është një fakt i mjaftueshëm për të mos folur për standarde zgjedhore në këto zgjedhje lokale.

Arben Ristani, kreu i KQZ, që kapardisej në studio televizive, duke thënë se do japë dorëheqjen në rast se raporti i ODIHR do përmbajë kritika ndaj tij, ka dy ditë që është zhdukur. Nuk hap telefonin për gazetarët, edhe pse pak përpara daljes së raportit dilte thuajse çdo ditë në ekrane televizive e në gazeta duke deklaruar se KQZ nuk duhet të ndryshojë, por duhet të ndryshojë Kodi Zgjedhor.

Nëse në këtë vend do funksiononte drejtësia, ai duhej të ishte në pranga që në momentin kur vendosi të hapte kutitë e Tiranës. Sipas raportit të ODIHR, ai jo vetëm ka shkelur ligjin, por ka vepruar në mënyrë mafioze, duke sjellë kutitë në KQZ në momentin që po bënte gati draft- paçavurën.

Mirëpo është e qartë se të gjithë drejtuesit e KQZ-së në vend kanë përfituar nga fakti se të gjithë e dinë se ata veprojnë sipas urdhrave politikë të krerëve të partive. Në këtë rast, kur thotë se KQZ është e politizuar, ODIHR është duke thënë se në vend të Ristanit ishte Sali Berisha. Me këtë Ristani shpreson të dalë i larë nga kjo histori.

Por çfarë thotë raporti i ODIHR për këtë KQZ?

Ndoshta janë akuzat më të rënda të bëra ndaj një organi zgjedhor ndonjëherë.

Që në fillim thuhet se KQZ bëri një skandal, pasi spoti i saj për thithjen e votuesve ishte thuajse i ngjashëm me spotet elektorale të Partisë Demokratike, pasi përmbante pyetje politike.

Më pas vijohet duke thënë se KQZ-ja nuk e pati kurrë problem pse ditën e zgjedhjeve nëpër rrugë shëtisnin të burgosur që do votonin, edhe pse duhej më përpara të lajmërohej KQZ për këtë punë.

Po ashtu KQZ e Ristanit lejoi që në lokalet e militantëve demokratë të vendosheshin qëndrat e votimit.

Dy vendimet kryesore që mori KQZ në lidhje me median, ishin po ashtu skandaloze. Sipas ODIHR, KQZ vendosi të ndalojë spotet elektorale të PS me pretendimin se nuk kanë logon, pa e mbështetur askund ligjërisht këtë vendim. Edhe skandali tjetër, ai i imponimit të kasetave të Lulzim Bashës medias televizive nuk ka kaluar pa marrë kritika nga KQZ.

Dhe vijmë më pas tek qershia mbi tortë. Provat e sjella në KQZ analizoheshin kryesisht kur paditë vinin nga koalicioni i udhëhequr nga PD, thuhet në raport. Gazeta Tema ka sjellë një rast flagrant kur Ristani, në shkelje flagrante të asaj që kishte vendosur më përpara, i dha mazhorancës një komunë, thjesht pse mori një urdhër.

Për Tiranën

Por shkeljet më skandaloze janë bërë nga KQZ sa i përket mandatit të Tiranës, kur u vendos të quhen të vlefshme votat e hedhura gabim.

Anëtarët e grupeve të numërimit mesa duket ishin trajnuar për të konsideruar vota të tilla si të pavlefshme dhe duket se votat e hedhura gabim ishin konsideruar të pavlefshme nga ekipet e numërimit në të gjithë vendin, përfshi dhe Tiranën, thuhet fillimisht në raport.

Më pas theksohet se KQZ mori një vendim në vija partiake për të hapur kutitë, mbi baza ligjore të paqarta. Po ashtu, vëzhguesit thonë se KQZ kishte bërë gjithçka gati për të nisur vjedhjen e mandatit.

Drafti jozyrtar që u propozua nga kryetari nuk ofronte një bazë të qartë ligjore për veprimet e KQZ, por listonte një seri nenesh, që duket se nuk kanë lidhje direkte me veprimet e KQZ. KQZ nisi të hapë kutitë menjëherë pasi votoi në parim, çka tregon se kutitë e votimit kishin arritur në ambientet e KQZ, thuhet në raport.

E si për të bërë më të qartë skemën, në raport thuhet se vendimi përfundimtar i KQZ, ishte i ndryshëm nga ai fillestar.

Vendimi përdorte një bazë tjetër ligjore nga ajo e cituar në draft vendimin e 18 majit, thuhet në raport.

Dhe në përfundim ky është verdikti i ODIHR për KQZ.

Sa i përket zgjedhjeve për kryebashkiak në Tiranë, KQZ u përball me një situatë ligjore të paqartë në një ambient të polarizuar politikisht. KQZ mund të kishte zgjedhur të mblidhte rezultatet e ofruara nga KZAZ-të e Tiranës, duke marrë më pas në konsideratë ndonjë ankimim për votat e hedhura gabim. Por fakti se anëtarët e mazhorancës në KQZ zgjodhën të numërojnë disa (jo të gjitha) votat e hedhura gabim në mënyrë direkte, në një mënyrë jo konsensuale, pasi rezultatet paraprake ishin bërë të ditura, e pa marrë një vendim që mund të ishte sfiduar në Kolegjin Zgjedhor, krijoi perceptimin se ata po vepronin për llogari të mazhorancës në pushtet. Edhe pse disa nga vendimet e KQZ u pranuan pjesërisht nga Kolegji Zgjedhor, veprimet e tij minuan besimin në aftësinë e tij për të funksionuar në mënyrë të pavarur, thuhet në raport.

Gjysma e rekomandimeve për KQZ-në

Meqë KQZ e ka bërë detyrën në mënyrë kaq skandaloze, një nga rekomandimet e para që bën ODIHR është që të rishihet mënyra e përbërjes së KQZ, në mënyrë që të rritet besimi në pavarësinë dhe paanshmërinë e zbatimit të Kodit Zgjedhor nga ana e saj.

Është e qartë që ODIHR ka propozuar që të ketë një qartësi në trajtimin e fletëve të hedhura gabim. Në rekomandime kërkohet edhe më shumë pavarësi për transmetuesin publik. Po ashtu kërkohet të zgjidhet çështja e qendrave të votimit në ambiente private. Duhet theksuar se KQZ e Ristanit veproi në mënyrë skandaloze duke lejuar qendra votimi në lokalet e militantëve të PD. Rekomandohen gjoba për ata që zvarrisin numërimin e votave dhe për partitë që nuk zbatojnë kuotat gjinore. Sërish meqë KQZ e Ristanit ka bërë një punë të shkëlqyer, kërkohet që vendimet e KQZ për tabulimin e rezultatit të ankimohen direkt tek gjyqësori, pa u ankimuar më parë tek KQZ. Dhe prapë për KQZ-në e Ristanit, meqë bëri skandale të njëpasnjëshme me rezultatin online, në rekomandime thuhet se KQZ duhet të bëjë publike menjëherë rezultatet për të rritur transparencën. Në këtë mënyrë, gjysma e rekomandimeve janë për KQZ-në e Ristanit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›