E Shtunë, 31 Tetor 2026

Për daljen nga spiralja e dhunës izraelito-palestineze

Ngjarjet e Gazës janë një test për të treguar se lufta ndaj terrorizmit, “kryqëzata” e shpallur nga Presidenti dalës amerikan, Xh. W. Bush, në fillim të mijëvjeçarit, vazhdon e do të vazhdojë të zhvillohet në botë, edhe nën mandatin e rëndësishëm të Obamas.

Kur shkoi në Sderot (qytet i Izraelit në kufi me Gazën, ndodhur prej kohësh nën goditjen e raketave të Hamasit), gjatë fushatës së tij elektorale para 6 muajsh (korrik 2008) Obama deklaroi se, “nëse dikush do të godiste shtëpinë time, patjetër që unë do të ndihesha i autorizuar të mbrohesha me të gjitha mënyrat”. Izraeli ka të drejtën të jetojë në paqe e të vetëmbrohet, përndryshe ç’kuptim do të kishte sovraniteti i tij kombëtar?! Natyrisht që gjatë luftës së luftuar (siç po ndodh këto ditë, e parashikohet të ndodhë të paktën edhe me ditë të tjera), përmbajtja në sulmet mbi objektivat, pranë të cilëve jetojnë civilë (dhe Gaza, të mos e harrojmë, është një nga zonat më të dendura të botës), është e detyruar nga ushtria e një vendi demokratik (e vetmja demokraci e tipit perëndimor në tërë Lindjen e Mesme), por viktimat civile - si në çdo luftë, siç ndodh edhe në Irak - janë të paevitueshme.

Për mendimin tim, strategjia më e mirë e daljes nga spiralja e luftës në konfliktin izraelo-palestinez, do të ishte një presion i butë (përmes mediave) nga vendet e tjera arabe, që i thonë vetes mike të çështjes palestineze mbi popullin e vuajtur palestinez, që të pranojë faktin e kryer të ekzistencës së Izraelit, realitet prej dekadash. Kjo do të hiqte ujë nga mulliri i Hamasëve e do të forconte një udhëheqës palestinez të moderuar, si Abu Mazen, diplomat i zgjuar e i gatshëm për dialog me Izraelin. Urime blogut të “Shekullit” për temën mjaft strategjike që ka zgjedhur për diskutim.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›