Policia zë hajnat e kamerave të TV Mitrovica

Policia e Kosovës ka siguruar të dhëna të mjaftueshme në identifikimin e një të dyshuari, të përfshirë në kryerjen e aktit të vjedhjes së rëndë nga lokalet e “TV Mitrovica”, dy ditë më herët, ndërsa ishin vjedhur; dy kamera televizive, dhe një televizor.
“Zyrtarët policor të Kosovës të sektorit të hetimeve kundër krimit në Mitrovicë, si rezultat i mbledhjes së informatave operative dhe zhvillimit të hetimeve intensive për persona të dyshuar të përfshirë në vjedhje të rënda, kanë zbatuar një kontroll në një lokacion, në lagjen “Tjegullorja” në Mitrovicë”, thuhet në një kumtesë të policisë në Mitrovicë.
I dyshuari i identifikuar, i cili është treguar bashkëpunues me hetuesit policor ka pranuar kryerjen e vjedhjes.Ndërsa hetuesit kanë njoftuar prokurorin e shtetit të prokurorisë themelore në Mitrovicë, për kontroll në shtëpinë e të dyshuarit, në kërkim të provave materiale.
“I dyshuari, ka dorëzuar hetuesve policor, dy kamera televizive, të cilat besohej se ishin vjedhë nga lokalet e “TV Mitrovica”, ndërsa televizori, i cili gjithashtu është vjedhë nga i njëjti lokacion, nuk është identifikuar”.
Provat materiale të gjetura dhe sekuestruara në këtë rast, janë evidentuar nga hetuesit policor dhe teknikët e kriminalistikës dhe të njëjtat me autorizim të prokurorit, i janë dorëzuar pronarit, respektivisht Radio Televizionit të Mitrovicës. /Indeksonline/