E Diel, 1 Nëntor 2026

Thaçi do t'u dërgojë letër 27 vendeve anëtare të BE-së

Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi sot do tu dërgoj një letër 27 vendeve anëtare të BE-së ku do t’i njoftoj se Kosova ishte e gatshme për ta pranuar marrëveshjen me Serbinë të paraqitur nga kryediplomatja evropiane, Catherine Ashton, por se atë e ka refuzuar Serbia. Kryeministri e bëri njoftimin pas përfundimit të raundit në nëntë të bisedimeve me Serbinë të cilat përfunduan në mesnatë pa rezultat.

Bisedimet mes delegacionit të Kosovës të prirë nga kryeministri Hashim Thaçi dhe atij të Serbisë të prirë nga kryeministri serb Ivica Dacic, ndonëse kanë vazhduar deri pas mesnate, kanë përfunduar pa ndonjë sukses. Kryeministri Hashim Thaçi tha pas takimit se pala kosovare është pajtuar me propozimet e baroneshës Eshton i cili ishte i qartë dhe preciz. Por kjo është refuzuar nga pala serbe.

Shefi i ekzekutivit të vendit, Hashim Thaçi tha se sot gjatë ditës, do tu dërgojë letër të gjitha vendeve anëtare të BE-së ku do të bëjë të ditur qëndrimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe gatishmërinë e saj për të arritur marrëveshje për normalizim të marrëdhënieve me Serbinë.

Ndërsa ndërmjetësja në këto bisedime shefja e diplomacisë së BE-së Ketrin Eshton, tha pas takimit, se palëve u është dhënë edhe një mundësi që të shqyrtojnë propozimin e bërë dhe të marrin vendim në interes të të dyja vendeve.

Ndërkohë kryeministri serb Ivica Daçiq ka thënë se propozimet e bëra nga baronesha Ashton, e që kanë qenë të përmbledhura në 15 pika, kanë qenë më të pranueshme për Beogradin, por ka qenë Prishtina ajo që, sipas tij, ka penguar marrëveshjen.

“Thaçi ka refuzuar propozimin…përkatësisht, ka dashur të lidhë zgjidhjen e çështjes së policisë me një pikë të re, me të cilën të dyja palët obligohen të mos e bllokojnë njëra-tjetrën në organizatat ndërkombëtare”, ka thënë Daçiq. Pranimi i kësaj pike, sipas tij, do të nënkuptonte njohjen e pavarësisë së Kosovës nga ana e Serbisë, për çka ai është shprehur se nuk do të ndodhë.

Krahasuar me raundet e kaluara, qëndrimet e palëve këtë radhe janë më të përafruara ndërsa të Serbia ka edhe një mundësi për të pranuar marrëveshjen para datës 22 prill kur baronesha Eshton do të raportojë për këtë para ministrave të jashtëm të vendeve anatare të BE-së./Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›