Për dhe kundër zgjedhjeve
Nga Ramush Tahiri
Argumentet kundër zgjedhjeve
-Zgjedhjet parlamentare dhe zgjedhjet komunale nuk duhet të mbahen sivjet, por duhet të mbahen sipas Kushtetutës së Republikës së Kosovës në afatin katërvjeçar zgjedhjet për kuvendin e Kosovës, në atë dyvjeçar për komunat e Kosovës dhe në atë pesëvjeçar për Presidentin e Kosovës, llogaritur nga zgjedhjet e mbajtura në nëntor të vitit 2007. Gjithashtu, duhet të respektohet ligji për zgjedhjet e përgjithshme në Republikën e Kosovës i miratuar në Kuvendin e Kosovës para pak muajve, i cili e përcakton qartë që zgjedhjet do të mbahen çdo katër vjet në të dielën e parafundit të muajit nëntor.
- Zgjedhjet nuk duhet të mbahen, sepse krijojnë shpenzime të panevojshme për buxhetin e Kosovës në shumën 12-15 milionë euro dhe shpenzojnë energji të panevojshme dy–tre-mujore në fushat zgjedhore dhe në ndërtim të koalicionit të ri qeverisës që do të ishte një humbje e pakompensueshme në periudhën kohore, nëpër të cilën po kalon Kosova.
- Zgjedhjet do të pengonin njohjet ndërkombëtare, sepse do të duhej të pritej rezultati i zgjedhjeve dhe të shihen politikat dhe orientimet e qeverisë së re të Kosovës.
- Zgjedhjet nuk duhet të mbahen përpara afatit kushtetues, sepse janë gjasat reale se do të prishet koalicioni i madh ndërmjet PDK-së e LDK-së dhe se qeveria e ardhshme nuk do të ketë përkrahjen e numrit kaq të madh të deputetëve, dhe nuk do ta ketë komoditetin e sigurinë që t’i kalojë ligjet, që t’i zbatojë politikat dhe që t’i përmbushë obligimet që dalin prej Pakos së Marti Ahtisarit, dhe obligimet që Ekipi i Unitetit dhe Kosova i ka marrë karshi bashkësisë ndërkombëtare.
-Zgjedhjet nuk duhet të mbahen, sepse ekziston droja se mund të ketë polarizime ekstreme deri edhe në parregullsi të rënda që do të prishin imazhin e zgjedhjeve të deritashme.
-Zgjedhjet nuk duhet të mbahen, sepse më përpara duhet të largohet misioni i UNMIK-ut. Përderisa ai është këtu, në Kosovë vlen rezoluta 1244 e KS të OKB-s dhe zgjedhjet mund t’i thërrasë dhe t’i shpallë vetëm shefi i UNMIK-ut dhe ti monitorojë dhe certifikojë vetëm OSBE-ja.
- Zgjedhjet nuk duhet të mbahen, përderisa nuk sigurohet se do të marrë pjesë në to komuniteti serb i Kosovës.
- Zgjedhjet nuk duhet të bëhen përpara se të bëhet decentralizimi. Përpara se të krijohen komunat e reja të parapara me Planin gjithëpërfshirës për Kosovën të Presidentit Marti Ahtisari...
- Së fundi zgjedhjet nuk mund të mbahen përderisa të mos ketë konsensus të përgjithshëm politik për mbajtjen e tyre nga faktori relevant i Kosovës dhe nga faktori ndërkombëtar.
Argumentet pse duhet të mbahen zgjedhjet
-Zgjedhjet duhet të mbahen, sepse afati i mbajtjes së tyre është i paraparë me Pakon e Ahtisarit, në të cilën qartë thuhet jo më vonë se nëntë muaj nga zgjidhja përkatësisht nga shpallja e pavarësisë së Kosovës përkatësisht nga hyrja në fuqi e Kushtetutës së Kosovës që u bë më 15 qershor 2007. Me këtë dëshmojmë se jemi legalistë dhe se në tërësi e respektojmë dokumentin e Ahtisarit, i cili është mbi Kushtetutën dhe mbi Ligjet e Republikës së Kosovës.
- Zgjedhjet duhet të mbahen, sepse zgjedhjet e nëntorit 2007 ishin mbajtur sipas Kornizës Kushtetuese, ndërsa Kosova ka nevojë të dëshmojë legalitetin dhe legjitimitetin e ri të përfaqësuesve të saj institucional.
-Zgjedhjet duhet të mbahen, sepse këto do të ishin zgjedhjet e para në Kosovën shtet sovran dhe të pavarur, dhe nuk bën të pritet që zgjedhjet në Kosovën e lirë të mbahen tek pas katër vjetësh. Kjo nuk do të ishte shenjë e mirë për historinë, por as për avancimin e proceseve demokratike.
-Zgjedhjet duhet të mbahen sepse do të dëshmonim se vetë dimë t’i organizojmë e menaxhojmë zgjedhjet dhe se qeveria, që do të dalë nga këto zgjedhje të para në Kosovën e pavarur, do të ishte e përgjegjshme së pari përpara votuesve dhe qytetarëve të Kosovës e gjithashtu edhe përpara faktorit ndërkombëtar, duke u organizuar zgjedhjet sipas Ligjeve të Republikës së Kosovës.
-Zgjedhjet duhet të mbahen, sepse Kosova tash ka një realitet të ri dhe duhet të dëshmojë edhe një udhëheqje të re.
-Zgjedhjet duhet të mbahen, sepse situata e përgjithshme në Kosovë, tensionet përpara shpërthimit social e kërkojnë këtë.
-Zgjedhjet duhet të mbahen, sepse ekziston rreziku që partitë opozitare për shkak të shansit të mosofruar do të vihen në ballë të protestave sociale, duke siguruar me dhjetëra mijëra protestues nëpër rrugët e Prishtinës dhe të qyteteve të tjera.
Përkujtesa si mësim
Bisedimet e nisura në Vjenë me Serbinë në vitin 2003, ku morën pjesë Rugova e Daci nga pala e Kosovës dhe Zhivkoviq e Çoviq nga pala e Serbisë dështuan jo pse Kosova nuk pati qëndrim dinjitoz, por se pse në këto bisedime nuk mori pjesë PDK-ja. Kjo pjesëmarrje u sigurua tek në vitin 2005 me krijimin e Grupit të Unitetit të Kosovës.
Deri në muajin maj të vitit 2007, Ekipi i Unitetit mendonte se kjo qeveri do ta shpallte pavarësinë e Kosovës. Marrëveshja e Pokanitos në takimin në SHBA nga partitë politike të Kosovës e muajit prill 2007 përcaktonte që zgjedhjet në Kosovë do të mbaheshin jo deri në nëntë muaj, por deri në gjashtë muaj pas shpalljes së pavarësisë. Gjatë muajit maj dhe qershor u vlerësua se duhet të mbaheshin zgjedhjet përpara shpalljes së pavarësisë, dhe Grupi Politik strategjik e hartoi dokumentacionin përkatës që ia prezantoi Ekipit të Unitetit që më 26 qershor 2007 doli me vendimin për mbajtjen e zgjedhjeve në nëntor të vitit 2007. Kjo kërkesë iu përcoll Kryeadministratorit Joakim Ryker, i cili i ndërmori hapat ligjor për shpalljen e mbajtjen e zgjedhjeve, duke përcaktuar edhe mandatet e institucioneve që dalin nga zgjedhjet në të dy nivelet. Çështja e mandatit të plotë apo jo të Presidentit dhe votimit për të u përcaktua atëherë në marrëveshjen e partnerëve të koalicionit dhe është publike në mbledhjen plenare të Kuvendit të Kosovës.
Duhet thënë se është transkripti i diskutimit ta zëmë të Gjergj Dedajt në rendin e ditës në një mbledhje në Kuvendin e Kosovës, i cili proteston për mbajtjen e zgjedhjeve dhe pse partitë e vogla janë lënë përjashta marrëveshjes së Ekipit të Unitetit. Është edhe një deklarim publik i Bujar Dugollit në emisionin “Jeta në Kosovë”, që shprehet kundër mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare duke kërkuar që kjo Qeveri dhe ky Parlament ta shpallë pavarësinë e Kosovës e mandej të mbahen zgjedhjes ashtu si është paraparë në Pakon e Presidentit Ahtisari.
Ekipi i Unitetit dhe Grupi Politik Strategjik i Kosovës janë të njohur për mosmbajtjen apo për mosverifikimin e procesverbaleve edhe pse në disa raste mbledhjet incizoheshin nga shërbimi përkatës, mirëpo konkluzat dhe kërkesat gjithmonë bëheshin në formë të shkruar dhe në Ekipin e Unitetit zakonisht lexoheshin nga zëdhënësi Skënder Hyseni apo nga koordinatori Blerim Shala, ndërsa shkresat që i dërgoheshin ndërkombëtarëve gjithmonë nënshkruheshin nga Presidenti Fatmir Sejdiu, punoheshin në gjuhën angleze dhe dërgoheshin edhe në Vjenë edhe në qendrat e vendosjes, e ato përkatëse edhe Kryeadministratorit të Kosovës si është rasti i vendimit për mbajtjen e zgjedhjeve komunale dhe të përgjithshme për kriteret që kishin të bënin me sistemin zgjedhor me listat e hapura dhe me mandatet e organeve.