E Hënë, 2 Nëntor 2026

Njohja e Kosovës; Përfundon peticioni, më shumë se 50 mijë firma të mbledhura



Më shumë se 50 mijë firma u janë dërguar vendeve të Konferencës Islamike nga nisma “Bashkohuni me ne”, për njohjen e pavarësisë së Kosovës. Dje, përfundoi mbledhja e firmave për peticionin dhe dokumentacioni i plotë i është dërguar OKI-së dhe ambasadave të vendeve anëtare në Tiranë.

“Koha me vranësira dhe shira në Tiranë dhe nëpër rrethe nuk na lejuar të dalim çdo ditë”, - bën të ditur një prej organizatorëve, z. Ilir Hoxholli, ndërkohë që bën të ditur se i gjithë materiali i është dërguar Organizatës së Konferencës Islamike.

Ndërkohë, pas kësaj, janë planifikuar një sërë aktivitetesh në lidhje me njëvjetorin e Pavarësisë së Kosovës dhe përpjekjet për shtimin e vendeve që e kanë njohur atë, si pjesë e “Javës për Kosovën”. Përfundimi i mbledhjes së firmave përkon edhe me vizitën e ministrit të Jashtëm, z. Lulzim Basha, në Arabinë Saudite, ku mori mbështetje për çështjen e Kosovës, si një ndër elementet e shumta të lobingut, që është bërë për njohjen e pavarësisë së vendit më të ri në Ballkan nga vendet e OKI-së në tërësi dhe vendet arabe në veçanti.

Peticioni është iniciuar nga një grup besimtarësh myslimanë, por vetë rezultatet e tij janë mbifetare. Në qytetin e Fierit mësohet se ka firmosur edhe prifti ortodoks i qytetit, duke e kthyer këtë lëvizje në një çështje mbarëshqiptare. “Ky peticion ka nisur të bëhet publik në disa media në vendet arabe, që në momentin e inicimit. Mjaft studentë shqiptarë kanë nisur të publikojnë lajmin në vendet ku jetojnë”, – deklaroi z. Hoxholli.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›