Për dosjet vendos “Gjykata e Fehmi Abdiut”
Ulur në karrige, mbi supe të hedhur mantelin e “drejtësisë”, me një qetësi të habitshme, aq sa dhe të frikshme, na u shfaqën sërish... Janë të njëjtit, duke gjykuar vetveten. Janë ata që në kohën e diktaturës, përmes vendimeve të tyre gjyqësore kishin vrarë dhe burgosur jetë të pafajshme. Persekutorët, dje me firmë, sot me votë, mundën të legjitimojnë krimet e komunizmit. Sa dhembje u zgjua tek mijëra familje të persekutuara. Gjykata Kushtetuese dha dje një mesazh të hidhur për të gjithë ata që përjetuan kalvarin më të egër dhe një inkuizicion të vërtetë prej diktaturës së kuqe. Mazhoranca qeverisëse kishte paralajmëruar me kohë se anëtarësia e kësaj gjykate ishte në konflikt të plotë interesi. Përjashtim bëjnë vetëm dy prej anëtarëve të saj, Xhezair Zaganjori dhe Admir Thanza. Por vetëm dy vota që nuk mundën të sigurojnë hapjen e dosjeve të ish-sigurimsave të shtetit. Kjo, pasi “Gjykata e Fehmi Abdiut” vendosi të pezullonte ligjin e hapjes së dosjeve. Gjithnjë i mbështetur nga të tjerët që përmes CV-së të tyre kuptojmë qartë se këta gjyqtarë kanë ushtruar detyra të rëndësishme pranë organeve të drejtësisë së asaj kohe. Abdiu ka qenë gjyqtar, zëvendëskryetar dhe kryetar i Gjykatës së Rrethit Fier, e më pas i Gjykatës së Rrethit Tiranë. Në vitin 1985 është zgjedhur anëtar dhe më pas zëvendëskryetar i Gjykatës së Lartë. Kryetari i Kushtetueses, Vladimir Kristo, nga viti 1969 deri në vitin 1983, ka ushtruar detyra të ndryshme pranë organeve të drejtësisë në Shkodër dhe në Tiranë dhe në vitet 1983-1992 ka qenë përgjegjës i Sektorit të Studimeve në Prokurorinë e Përgjithshme.
Kujtim Puto, në periudhën 1972-1979 ka ushtruar detyrën e këshilltarit ligjor e më pas atë të gjyqtarit në Gjykatën e Rrethit Gjirokastër. Në vitet 1979-1981 ka qenë zëvendëskryetar në Gjykatën e Rrethit Durrës. Petrit Plloçi ka punuar në Gjykatën e Rrethit Dibër, Shkodër e Mat si dhe në Drejtorinë e Kodifikimit pranë Ministrisë së Drejtësisë. Anëtarja tjetër e Kushtetueses, Vitori Tusha, nga viti 1983 deri në vitin 1990, ka ushtruar detyrën e përmbarueses gjyqësore në Gjykatën e Rrethit Tiranë. Por ajo është dhe bashkëshortja e ish-drejtorit të Policisë së Shtetit, Pashk Tusha. Anëtari Sokol Berberi ka punuar për pak kohë pranë organeve të drejtësisë në Tepelenë etj. Janë këta gjyqtarë të cilët dje me votë kundërshtuan procesin e hapjes së dosjeve të ish-sigurimsave të shtetit. Por për shkak të parimeve të shtetit ligjor, mazhoranca qeverisëse është e detyruar ta respektojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Kryeministri Sali Berisha akuzoi: “Anëtarët e Gjykatës Kushtetuese i lejuan vetes të marrin vendim në konflikt të hapur interesi dhe ky vendim mund të quhet thjesht standard i Mark Abdisë”. Sipas tij: "Gjykata Kushtetuese dhunoi një parim universal të etikës së gjyqësorit, që është parimi i integritetit dhe që ka si kusht themelor përjashtimin nga konflikti i interesit". “Gjykata Kushtetuese, - tha ai, - me këtë vendim shkel ligjin e saj organik, që nuk i lejon të vendosë në konflikt interesi, por edhe rezolutën e Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut të qershorit të vitit 2008”. Kryeministri solli në vëmendje rastin e Gjykatës Supreme të SHBA-së, ku "gjatë gjykimit të një çështjeje, 4 anëtarët e saj u tërhoqën për shkak të konfliktit të interesit dhe gjykata nuk e shqyrtoi vendimin". Për këtë Kryeministri u shpreh: "Të gjykosh veten tënde kur të ndalon ligji dhe kur e di e gjithë Shqipëria se ke urdhëruar varjen e qytetarëve të pafajshëm në '88-n, krijon një precedent shumë të rrezikshëm, por reformat janë rruga e zgjidhjes së këtyre problemeve, sepse demokracia nuk është një proces që ndërtohet në një ditë”.
tabelë
Anëtarët e Gjykatës Kushtetuese
1. Dr. Vladimir Kristo, kryetar
Lindi më 08.04.1947 në Korçë. U diplomua në Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit të Tiranës në vitin 1969. Nga viti 1969 deri në vitin 1983, ka ushtruar detyra të ndryshme pranë organeve të drejtësisë në Shkodër dhe në Tiranë dhe në vitet 1983-1992 ka qenë përgjegjës i Sektorit të Studimeve në Prokurorinë e Përgjithshme. Në vitin 1990 mbron gradën “Kandidat i shkencave” dhe që nga viti 1994 është “Doktor i shkencave”. Në vitet 1992-1996 ushtron funksionet e zëvendësministrit i Drejtësisë. Ndërkohë, ai ka ushtruar funksionin e kryetarit të KQZ-së për zgjedhjet vendore të vitit 1992 dhe për referendumin e vitit 1994 për Kushtetutën. Në vitet 1992-1996 ka qenë anëtar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, si dhe anëtar i Komitetit të Koordinimit dhe Bashkëpunimit Juridik të Këshillit të Evropës. Në maj 1996, emërohet këshilltar juridik i Kryeministrit. Prej më shumë se 20 vjetësh ka qenë lektor i jashtëm i lëndëve të së drejtës në institucione të larta arsimore të vendit. Në vitet 1998-2005 ushtron profesionin e avokatit, atë të konsulentit juridik privat etj. Në vitin 2005 emërohet në funksionin e zëvendësministrit të Drejtësisë. Në prill 2007 emërohet anëtar i Gjykatës Kushtetuese dhe që nga muaji qershor i këtij viti është kryetar i Gjykatës Kushtetuese. Është bashkautor dhe oponent në hartimin e mjaft teksteve ligjore në fushën e drejtësisë dhe të administratës publike, ka shkruar artikuj e studime në fushën e së drejtës botuar në revista brenda dhe jashtë vendit, ka marrë pjesë dhe ka kontribuar me tema në shumë takime e tryeza të rrumbullakëta për çështje të organizimit të drejtësisë.
2. Dr. Fehmi Abdiu, anëtar
Lindi më 05.01.1944 në Dibër. Është diplomuar në Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit të Tiranës në vitin 1966. Ka ushtruar detyrën e gjyqtarit, zëvendëskryetarit dhe kryetarit të Gjykatës së Rrethit Fier, e më pas të Gjykatës së Rrethit Tiranë. Në vitin 1985 është zgjedhur anëtar dhe më pas zëvendëskryetar i Gjykatës së Lartë. Ka qenë deputet i Kuvendit Popullor në tri legjislatura, në funksionin e Kryetarit të Komisionit të Mandateve dhe të Komisionit të Problemeve Kushtetuese dhe Ligjore dhe anëtar i Komisionit Parlamentar për përgatitjen e Projektkushtetutës. Është autor i disa studimeve të botuara në librat “Politika sipas Kushtetutës dhe ligjeve”, “Vështrim mbi veprat penale kundër veprimtarisë shtetërore të kryera nga shtetasit”, “Kushtetuta dhe Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë”, “Për Kushtetutën, ligjin dhe demokracinë” dhe “Padia civile në procesin penal shqiptar”. Që nga viti 1998 e në vijim ushtron funksionin e gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese dhe nga viti 1998-2004 ka qenë kryetar i saj. Është dekoruar me Urdhrin “Naim Frashëri i Artë”.
3. Kujtim Puto, anëtar
Lindi më 21.07.1949 në Gjirokastër. Ka përfunduar Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit të Tiranës në vitin 1971. Në periudhën 1972-1979 ka ushtruar detyrën e këshilltarit ligjor e më pas atë të gjyqtarit në Gjykatën e Rrethit Gjirokastër. Në vitet 1979-1981 ka qenë zëvendëskryetar në Gjykatën e Rrethit Durrës. Në vitet 1981-1991 ka ushtruar profesionin e juristit në Drejtorinë e Ligjshmërisë së Kuvendit dhe të Presidiumit të Kuvendit Popullor. Ka qenë pedagog i së drejtës kushtetuese në Akademinë e Rendit Publik dhe në Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit të Tiranës. Nga viti 1992-1998 ka ushtruar profesionin e lire të avokatit. Në vitin 1998 është emëruar anëtar i Gjykatës Kushtetuese.
4. Petrit Plloçi, anëtar
Lindi më 02.12.1958 në Mat. U diplomua në Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit të Tiranës në vitin 1983. Ka punuar në Gjykatën e Rrethit Dibër, Shkodër e Mat si dhe në Drejtorinë e Kodifikimit pranë Ministrisë së Drejtësisë. Në periudhën 1993-2000 ka qenë anëtar i Gjykatës së Lartë. Ka dhënë kontributin e tij në hartimin e Kodit Civil. Ka qenë anëtar i Shoqatës së Gjyqtarëve të Shqipërisë si dhe i Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Prej vitit 2001 është anëtar i GJK-së.
5. Prof. as. dr. Xhezair Zaganjori, anëtar
Lindi më 09.03.1957 në Shkodër. U diplomua në Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit të Tiranës në vitin 1981. Që nga kjo kohë ai ka qenë lektor i së drejtës ndërkombëtare publike, i të drejtës evropiane dhe i të drejtave të njeriut në Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit të Tiranës, në Shkollën e Magjistraturës dhe në Shkollën e Studimeve Evropiane, Tiranë. Gjatë viteve 1992-1997 ka qenë ambasador i Republikës së Shqipërisë në RF të Gjermanisë. Në vitin 1993 merr gradën shkencore “Doktor i Shkencave Juridike” dhe në vitin 2002 “Profesor i asociuar”. Ka qenë bashkëpunëtor shkencor pranë Institutit “Max-Planck, Heidelberg”. Në vitin 1991 është zgjedhur anëtar i Gjykatës së Pajtimit dhe Arbitrazhit pranë OSBE-së me seli në Vjenë. Është autor i një sërë botimesh shkencore brenda dhe jashtë vendit. Është pjesëmarrës aktiv në kongrese e konferenca të ndryshme ndërkombëtare brenda dhe jashtë vendit. Që nga viti 2003 ushtron funksionin e anëtarit të Gjykatës Kushtetuese.
6. Dr. Vitore Tusha, anëtare
Lindi më 26.11.1960 në Tiranë. U diplomua në vitin 1983 në Fakultetin e Shkencave Politike-Juridike, dega drejtësi. Nga viti 1983 deri në vitin 1990, ka ushtruar detyrën e përmbarueses gjyqësore në Gjykatën e Rrethit Tiranë dhe më pas, deri në vitin 1992, ushtroi profesionin e avokatit. Në periudhën 1992-1994 ka ushtruar detyrën e gjyqtares në Gjykatën e Rrethit Tiranë dhe në vitet 1994-2001 atë të gjyqtares në Gjykatën e Kasacionit. Në vitet 1999-2001 ka qenë kryetare e Kolegjit Civil të kësaj gjykate. Në vitin 1997 merr gradën shkencore “Doktor i Shkencave Juridike”. Në vitin 2004 zgjidhet nënkryetare e Dhomës Kombëtare të Avokatisë. Nga viti 1986 e në vazhdim ushtron mësimdhënien si lektore e së drejtës civile dhe procedurës civile pranë Fakultetit të Drejtësisë dhe Shkollës së Magjistraturës. Është bashkautore në hartimin e tekstit “Procedura Civile”. Ka marrë pjesë me cilësinë e ekspertes ligjore në hartimin e disa projektligjeve. Në mars 2008 është emëruar anëtare e Gjykatës Kushtetuese.
7. Dr. Sokol Sadushi, anëtar
Lindi më 27.07.1963 në Vlorë. U diplomua në Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit të Tiranës në vitin 1986. Ka ushtruar profesionin e juristit, fillimisht si prokuror dhe më pas si avokat. Nga viti 1991 ushtron mësimdhënien si lektor i të drejtës administrative pranë Fakultetit të Drejtësisë dhe Shkollës së Magjistraturës, Tiranë. Ka kryer studimet pasuniversitare në fushën e së drejtës kushtetuese dhe është titulluar “Master në drejtësi”. Është autor i shumë punimeve dhe artikujve me karakter studimore në fushën e të drejtës administrative, të drejtës kushtetuese dhe të drejtave të njeriut, Ka botuar librat "E drejta administrative", cikël leksionesh, “E drejta administrative 2, Teoria e aktit administrativ”, “Kontrolli kushtetues”. Është bashkautor në librat “Komentar i Kodit të Procedurës Administrative”, “Guidë administrative për njësitë e qeverisjes vendore” si dhe “Vështrim krahasues mbi procedurën civile”. Në vitin 2006 merr gradën shkencore "Doktor i Shkencave Juridike". Nga viti 1998 ushtron detyrën e anëtarit të Gjykatës Kushtetuese.
8. Sokol Berberi, anëtar
Lindi më 07.01.1967 në Kajro. Pas diplomimit në Fakultetin e Drejtësisë të UT-së, ka punuar pranë organeve të drejtësisë në Tepelenë. Në vitet 1991-1997 ka ushtruar detyrën e këshilltarit ligjor pranë komisioneve parlamentare dhe në vitin 1998 është emëruar këshilltar ligjor në Kryesinë e Kuvendit. Ka ndjekur procesin e hartimit të Kushtetutës të vitit 1998. Në vitin 1999 është një nga themeluesit e Qendrës së Studimeve Parlamentare dhe koordinator i botimit të revistës së saj. Që nga viti 1997 është pedagog në Fakultetin e Drejtësisë të UT-së dhe në Shkollën e Magjistraturës. Nga viti 2003 dhe në vazhdim është lektor i lëndës “E drejta kushtetuese”. Në vitet 2000-2005 ushtron profesionin e avokatit dhe gjatë kësaj kohe kryen studime pasuniversitare të gradës “Master”. Nga viti 1999 e në vazhdim ka marrë pjesë në një sërë projektesh të ndryshme me cilësinë e ekspertit ligjor, pedagogut trajnues në fushën ligjore etj. Është autor i një sërë shkrimeve dhe artikujve shkencorë në fushën e të drejtës kushtetuese. Në muajin prill të vitit 2007 është emëruar anëtar i Gjykatës Kushtetuese.
9. Admir Thanza, anëtar
Lindi më 18.09.1969 në Shkodër. U diplomua në Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit të Tiranës në vitin 1992. Nga viti 1992-2006 ka punuar si gjyqtar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Shkodër dhe në periudhën 1999-2006 ka qenë edhe kryetar i kësaj gjykate. Prej vitit 2006-2009 ka punuar si gjyqtar i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë. Ka qenë anëtar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Në periudhën 1992-1996 ka qenë pedagog i Fakultetit Juridik të Universitetit të Shkodrës. Nga muaji shkurt i vitit 2009 ushtron detyrën e anëtarit të Gjykatës Kushtetuese
Gjyqtarët pa konflikt interesi
1. Xhezair Zaganjori
2. Admir Thanza