Gjykata Kushtetuese pezullon “dosjet”
Gjykata Kushtetuese pezulloi dje ligjin e lustracionit deri në një vendim tjetër përfundimtar. Gjykata Supreme i është trembur këtij ligji dhe me justifikimin se ai cenon liritë e njeriut, vendosi pezullimin e tij. Anëtarët e gjykatës u mblodhën gjatë paradites së djeshme dhe me një vendim 7 me 2, vendosën që të pezullojnë zbatimin e ligjit më të debatuar. Vendimi për pezullimin e një ligji pa u shqyrtuar ende, është i pari i dhënë në historinë e kësaj gjykate që nga krijimi i saj me Kushtetutën e vitit 1998. Mësohet se dy anëtarët që nuk kanë rënë dakord për pezullimin e tij, kanë qenë profesor Xhezair Zaganjori, dhe anëtari më i ri i kësaj gjykate, Admir Thanza. “Në përfundim të shqyrtimit të çështjes mbledhja e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese në mbështetje të nenit 45 të ligjit nr. 8577, datë 10.02.2000 "Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese", duke çmuar se zbatimi i ligjit, objekt shqyrtimi, mund të sjellë pasoja në funksionimin normal të shtetit të së drejtës, si dhe në cenimin e të drejtave dhe lirive themelore të individit, vendosi të urdhërojë pezullimin e zbatimit të ligjit derisa vendimi përfundimtar i Gjykatës Kushtetuese të hyjë në fuqi”, - tha dje Edlira Abazi, drejtore e Marrëdhënieve me Publikun. Gjykata Kushtetuese duket se do të kërkojë më shumë kohë se zakonisht për dhënien finale të një vendimi për sa i përket ligjit në fjalë. Zyrtarisht i është drejtuar Komisionit të Venecias për një mendim për ligjin shqiptar të lustracionit. “Gjithashtu, në mbledhjen e gjyqtareve u vendos t’i kërkohet Komisionit të Venecias një opinion për ligjin, si institucion i pavarur dhe i specializuar”, - tha Abazi.