Nga dështimi, në dështim deri te tatëpjeta e fundit Edi Ramës
21.50 e mbrëmjes së 3 qershorit, duket se do të jetë ora e mbarë e rikthimit të Tiranës në jetën normale. Ankthin shumëvjeçar, shkaktuar prej një politikani që vetëm politikë nuk di të bëjë, e davariti drejtësia. U rrëzua padia e PS-së që kërkonte mosnjohjen e vendimit të KQZ për Bashkinë e Kryeqytetit. Mbeti në fuqi vendimi që shpallte Kryetar të Bashkisë për Kryeqytetin kandidatin e Aleancës për Qytetarin, Lulzim Bashën. Le të shpresojmë se Tirana, qysh prej atij çasti fatlum, do të fillojë të marrë frymë lirisht.
Rruga politike e Edi Ramës do të mbahet mend gjatë si rruga e dështimeve të njëpasnjëshme të një kryetari të dyfishtë. Kryetar i njërës ndër dy partitë më të mëdha të vendit, nga njëra anë. Kryetar i Bashkisë së Kryeqytetit, më madhja në vend, nga ana tjetër. Rast tipik, që vërteton thënien se dy kunguj nën një sqetull nuk mbahen. Vështirë të gjendet rast i dytë në jetën e përditshme, veçanërisht në historinë e politikës shqiptare.
Dështoi Partia Socialiste që, ndoshta, një ditë jo tepër të largët, siç ndodh rëndom në demokraci, do ta meritonte rotacionin e pushtetit. Prej sodit, në buzë të humnerës ku gjendet, kushedi sa kohë do t’i duhet asaj partie fatkeqe të mbledhë veten nga bëmat e një lideri të papërgjegjshëm, nga çarjet, nga mosmarrëveshjet e grindjet e brendshme mes politikanësh të stërvitur dhe njerëzish të marrë prej rrugës, të futur në politikë për motive të dyshimta e të shndërruar në politikanë zori.
Dështoi edhe Kryeqyteti i drejtuar prej një kryetari as mish, as peshk, i cili e krodhi atë në një mishmash betoni, në një katrahurë trafiku e smogu të zi, në një shesh plehrash, qensh rrugaçë, mjedisesh jetësore të zhveshura prej gjelbërimit, ku Lana, që mund t’ua bënte me sy shëtitoreve nga më të hijshmet, është katandisur në një lumë të pistë, në ujërat e zeza të së cilës “lundrojnë” lloj-lloj leckash, qesesh, shishesh plastike e çnuk tjetër që kutërbon qelbësirë. Prej sodit, kushedi sa kohë do t’i duhet Tiranës sonë të rikthehet në jetën normale.
Pasi u bë qen e mace të gjente motive “kutish”, që të delegjitimonte qeverinë e dalë prej votës së lirë në zgjedhjet qershorit 2009; pasi u çor e u stërmundua së thirruri në kinse protesta me nëpunës të administratave bashkiake, ku frenat e kalit i kishte në duart e veta; pasi i doli blof në sytë e botës mbarë seria e bojkoteve parlamentare; pasi u bë qesharak me një të ashtuquajtur grevë urie, ku hynte brenda bualli i pjekur dhe dilnin vetëm kockat e lëpira mirë e mirë; pasi, 21 janarin e kaluar, ndërseu një grusht njerëzish të sulmonin institucionet kushtetuese të shtetit; pasi urdhëroi deputetët e tij të luanin kala dibrançe mbi supet e forcave të rendit (ruana Zot, të kishte urdhëruar femrat deputete të hipnin mbi kokat e policëve!), pasi urdhëroi militantët e rretheve të protestonin për mosnjohjen e zgjedhjeve në Tiranë (!), ja, më në fund, edhe blofi i grabitjes së foshnjave...
Blofi Grizelda ngjan të jetë tatëpjeta e fundit. Ajo u vë kapak të gjithave. Gropa, ku pandehu se do të shtynte kundërshtarët e tij që të lante hesapet me ta, e gëlltiti atë vetë me gjithë soj e sorollopin politik që e ndjek pas.
Hipoteza të ndryshme për skenarin më të fundit, shkruar keq prej skenaristësh në hutim e sipër, nuk ka pse të mos merren në konsideratë. Sepse janë një sërë premisash, që të çojnë drejt tyre dhe një deduksioni logjik. Çne në Itali, babai i djegur për një djalë, tamam kur lindja e djalit të mezipritur ishte çështje ditësh! Çne xhaxhai i djalit ta trajtonte aktin e llahtarshëm të grabitjes së nipit, si hakmarrje me motive politike, kur, në kushte normale, duhet të ishte shokuar më rëndë se ç’u shokua opinioni publik brenda e jashtë vendit! Çne grabitja e zonjës së kryebashkiakut dhe e foshnjës, bash në vigjiljen e ditës kur do të mbahej mbledhja e Kolegjit Zgjedhor për shpalljen të vlefshmërisë ose të pavlefshmërisë së vendimit të KQZ për Bashkinë Tiranës! Çne ngutja e Erion Velisë për një krim që as policia, as prokuroria nuk kishte thënë gjysmë fjale! Çne zbarkimi në Kavajë i asaj shpure të madhe deputetësh në krye me Edi Ramën dhe me të shoqen, ani se të gjithë shkuan për lesh e dolën të qethur! Çne heshtja e lidershipit të Partisë Socialiste për diçka që edhe një e qindta e saj të kishte ngjarë në kampin tjetër, do të kishte ngritur tufan të papërmbajtur! Çne që kryebashkiaku i sapozgjedhur i Kavajës, të kërkojë ndjesë publikut për diçka që, siç po shpjegohet nga disa media të shkruara, nuk ka të bëjë me të, por me të shoqen, të cilën tashmë duket se po e braktis, ndërsa po sajohen lloj-lloj ekspertizash për të konfirmuar gjendjen e saj psikike dhe mendore. Në fund të fundit, çne, çne, çne...
Hipoteza ime nuk është paragjykim. Është, ndoshta, deduksion logjik premisash tashmë të vërtetuara. Ajo s’ka të bëjë me persona të veçantë, madje nuk është pjesë e ndonjë investigimi, për çka jam më tepër se një profan i paditur. Nga një këndvështrim, ajo është edhe pjesë e hamendjes së madhe popullore që sot po qarkullon haptas në opinionin publik shqiptar e më gjerë.
Mua, si njeri që më se një të tretën e jetës sime të ndërgjegjësuar e kam kaluar në Kavajë, ku kam njohur respektin dhe ngrohtësinë e shumicës së qytetarëve kavajas, ashtu siç kam njohur dhëmbët e një takëmi që sot po përfaqësohet prej segmentit politik të kryebashkiakut të sapozgjedhur, më djeg në shpirt kur mendoj se, me të tillë skenarë të ndyrë, ndokush përpiqet të njollosë qytetin, të cilin do ta quaja pa hezituar “qyteti im dhe i djemve të mi”. Sipas meje, skenari ogurzi i “grabitjes së foshnjave” nuk ngjit në Kavajën paqësore. Ai u rrek pa sukses të godiste bastionin e PD-së, ku demokracia shqiptare ka një ndër zanafillat e saj në vitet e fundit të diktaturës komuniste, por, përkundrazi, u plasi në duar si minë, atyre që e sajuan.