Për herë të parë në Durrës panairi i tregut imobiliar
Është çelur në Durrës në ambientet e Pallatit të Kulturës Aleksandër Moisiu për herë të parë panairi i agjencive imobiliare. Panairi është konceptuar në formën e një ekspozite dhe do të qëndrojë i hapur për katër ditë. Ai është organizuar nga Bashkia e Durrësit dhe agjencia e shërbimeve Info Albania.
Në këtë panair kanë marrë pjesë 43 subjekte në total prej të cilëve 12 janë agjenci imobiliare, 15 janë firma ndërtimi, 3 banka, 7 studio arkitekture dhe pjesa tjetër janë individë që kanë prona në shitje. Të gjitha këto subjekte kanë njohur vizitorët e shumtë nga Durrësi dhe Tirana në lidhje me shërbimet që ata kryejnë me aktivitetin në tregun e pronave. Në ceremoninë e hapjes së panairit ka marrë pjesë kryetari i Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako, i cili ka prerë edhe shiritin e çeljes së panairit. Më tej kryebashkiaku Dako i ndjekur nga të ftuarit dhe vizitorët e shumtë ka vizituar pavijonet e këtij panairi. Kryebashkiaku Dako është shprehur se ky panair do ti shërbejë të gjithë të interesuarve për një ballafaqim mes kërkesës dhe ofertës në tregun e pronave si dhe do ët jetë një mundësi shkëmbimi informacioni në lidhje me tregun imobiliar. Në këtë panair përveç ekspozimit të subjekteve të ndryshme do të zhvillohen edhe konferenca rreth temës së investimeve, kreditimit, ligjshmërisë etj. Po kështu do të ketë edhe takime të hapura me palëve dhe grupeve të interesit e të gjitha këto informacione do të përmblidhen në një buletin zyrtar në përfundim të aktivitetit. Në këtë panair do të ketë edhe disa çmime speciale për paraqitjet më të mira. Ky panair ka si qëllim gjithashtu krijimin e një dimensioni të ri promovues për pronat dhe subjektet që promovojnë ato, prezantimi i pronave në shitje dhe i projekteve të reja në zhvillim, klientëve dhe grupeve të ndryshme të interesit në këtë fushë. Panairi i agjencive imobiliare do të krijojë kushte dhe kontakte bashkëpunimi me palëve si dhe do të japë hapësira për ballafaqimin e ideve të reja në strategjinë e zhvillimit të tregut imobiliar dhe atij të ndërtimit si dhe do të koordinojë më mirë bashkëpunimin mes bankave dhe palëve të interesuara.