Fier, nis trajnimi profesional i komisionerëve zonalë
Në qarkun e Fierit nisi përgatitja për zgjedhjet e 28 qershorit. Dje nisi përgatitja profesionale e komisionerëve zonalë, të cilët do të administrojnë procesin zgjedhor. Seminari trajnues dyditor nisi dje në Fier, nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), me komisionerët e Komisioneve Zonalë të Administrimit të Zgjedhjeve (KZAZ). Trajnimi i komisionierëve përfshin tema si rregullat bazë të etikës në zgjedhje, përgatitja e vendeve të numërimit, aftësimi i komisionerëve me njohuritë bazë për procesin zgjedhor, etj.
Inspektori Rajonal i Qarkut të Fierit për Komisionin Qendror Zgjedhor, Ardian Kulla tha se ky trajnim synon njohjen e komisionerëve me parimet e kodit të ri zgjedhor, duke qenë se në të ka disa ndryshime të rëndësishme. Sipas tij, për të gjitha këto probleme në përfundim të seminarit trajnues, komisionerët do të testohen dhe nëse nuk janë të përgatitur, në bashkëpunim me forcën politike që i ka propozuar mund të zëvendësohen. Në qarkun e Fierit do të funksionojnë në procesin e ardhshëm zgjedhor 7 Komisione Zonalë të Administrimit të Zgjedhjeve KZAZ. Ndërkohë vlen të përmendet fakti që pas hedhjes së shortit për kryetarët e komisioneve, pjesën më të madhe pritet ta drejtojnë përfaqësues të partisë demokratike, ndërsa pjesa që mbetet do të ketë kryetar komisioni një anëtar të PS .