Cervello tutto muscoli
“Cervello tutto muscoli”, është një shprehje e popullit fqinj italian, që në shqip mund të perifrazohet “një mendje plot me muskuj”, (kuptimi: pa tru). E në fakt një shprehje të tillë meritonte aksioni i një forcë politike, aksion i pamend dhe plot muskuj, ditën kur opozitarët dhe njerëz pa parti u mblodhën të gjithë bashkë për të protestuar kundër një të keqeje të përbashkët për qytetarinë e këtij vendi.
Duke anuar më shumë në sensin qytetar, sesa në përkatësinë partiake, më erdhi shumë keq, por akoma dhe më shumë turp, ndërsa të gjithë kamerat e TV më pranë qeverisë u nxituan të filmonin dhe të vinin theksin pikërisht, tek kjo shfaqje muskujsh e të fortësh, në një miting kur prej një jave, bëhej thirrje: Protestë qytetare pa flamuj dhe pa simbole partiake.
Me një inat naivi, me një pjesëmarrje 20-vetëshe dhe zhurmaxhie, imazhi i një proteste qytetare u telendis, nga përpjekja idiote: “Ta bëjmë tonin manifestimin”. E kjo nga një forcë që flet gjithë ditën për të qenë progresiste dhe majtiste.
Kjo shfaqje e shëmtuar na kujtoi një ngjarje të ngjashme me një parullë që e mbante një i moshuar i gënjyer me ndonjë kacidhe në një manifestim të pak kohëve më parë pas tragjedisë së Gërdecit. Mes njerëzve që kishin dalë në shesh duke kërkuar përgjegjësitë e qeverisë dhe të Kryeministrit në tragjedi, e që mbanin në duar vetëm qirinj, ai nxori një pankartë ku shkruhej: “Rroftë Berisha”. (Madje, disa gazeta të nesërmen e kishin vënë si detaj (!)
Banderolat e LSI në manifestimin e së premtes na dhanë të njëjtin perceptim. E majta e re nuk është e dhunshme, nuk përdor aspak muskujt. Ajo që ofron e majta e vërtetë sot në Shqipëri është përdorimi i mendjes, në luftë me kundërshtarin dhe zemrës, në raport me qytetarin. Nuk mund të them se LSI ishte e paguar si ai mjeran, por mund të them shumë mirë se LSI me banderolat e saj dhe me përpjekjen për të bërë të mundur dukjen dhe “nxjerrjen e kunjit”, nuk bëri gjë tjetër veç sa i shërbeu edhe njëherë, pikërisht atij për të cilin bëjnë sikur kërkojnë dorëheqjen, Berishës.
Shqiptarët kanë një shprehje, “Fshati që duket s’do kallauz”, dhe një tjetër, ku thuhet “Dielli nuk mbulohet dot me shoshë”. Le ta gjejnë veten dhe mendimtarët e aksioneve të tilla politike nga forca LSI, nëse janë kallauz apo shoshë?!
Nuk është koha për të tillë nervozizëm si ai i dëshmuar nga krerët e LSI në manifestimin qytetar të së premtes. Nervozizmi është shprehje e më të dobëtit dhe humbësit. Të vjen shumë keq që njerëz të rinj në moshë, janë kaq shpejt humbës politik në sytë e publikut që çdo ditë shohin mllefin dhe nervozizmin e tyre, pas një lufte me PSSH, jo vetëm të padobishme, por mbi të gjitha, të humbur.
E kundërta e asaj që dëshmon të përfaqësojë në të majtë, LSI-ja, rritet çdo ditë në sytë dhe mendjet e qytetarëve. Dhe qytetarët janë të neveritur nga “të fortit e lagjes” pas shpinave të politikës, janë të neveritur nga votat e paguara, janë të neveritur nga përdorimi i forcës dhe jo arsyes, janë të neveritur nga politikanë që bëjnë pazare në tavolinë për karriget e tyre nesër, pa përfillur votat e njerëzve, dhe më pas flasin në emër të tyre duke mos bërë asgjë për ta.
Këta qytetarë kërkon dhe përfaqëson sot Partia Socialiste. Ndaj këmbëngul çdo ditë në dialog dhe në vendimmarrje me qytetarët, duke hapur çdo ditë dyert për ta, duke i bërë ata pjesë të vetes, duke ndenjur vetëm në pritje dhe jo në sulm ndaj akuzave aspak dinjitoze dhe mjaft qesharake për ata që kanë mendje dhe jo muskuj, akuza që vijnë si nga Berisha, por edhe nga “miqtë që ia duan të mirën”.
Ndoshta nuk ia vlen më të hysh në këtë debat shterpë të nisur në ditën e mitingut me shkopinj të gjatë në duar dhe me banderola të stërmëdha, por nevoja e reagimit lind sapo shohim një turravrap të mendimtarëve të këtij aksioni “kunjaxhi” për të justifikuar atë skenë të shëmtuar.
Në fund të fundit, forca nuk tregohet me tre parulla, por tregohet me votë. “Miqve që na duan të mirën” iu them që po i shërbejnë me apo pa dashje, në mënyrë gjeniale, keqqeverisjes së Berishës. Edhe po t’i kishte porositur më mirë se kaq nuk do dinin t’i shërbenin kësaj gangrene që ia shkurton ditët qytetarisë shqiptare. Pikërisht, për të mos u bërë preh e kësaj shërbese të panevojshme, po e mbyll këtu, këtë shënim, me bindjen se PSSH e ka të vetën fitoren e 2009, pikërisht sepse ka me vete qytetarët e jo partitë-banderola.