Për këtë intervistë po flet e gjithë Europa
Më poshtë është intervista që shefi i Bankës Qendrore Europiane, Mario Draghi, ka dhënë për të përditshmen gjermane Bild. Është një intervistë për të cilën po diskutohet kudo në Europë. Shkaku: Draghi thotë se më e keqja e krizës ka kaluar, duke bërë që shumë europianë të marrin frymë lirshëm. Por a është e vërtetë kjo? Ka shumë ekspertë që mendojnë se ai është optimist më shumë se çduhet. Lexoni më poshtë intervistën.
Kur përpara një viti, ju, një italian, u zgjodhët si shef i Bankës Qendrore Europiane, Bild doli me një fotomontazh ku ju dukeni me një helmetë prusiane në kokë. Ju bëmë një gjerman të vërtetë. Si ju duk kjo gjë?
Më pëlqeu. Helmeta prusiane është simbol i asaj çfarë duhet të bëjë BQE, të ruajë stabilitetin e çmimeve dhe të mbrojë konsumatorët europianë.
Për gjermanët një shef i bankës qendrore duhet të jetë strikt kundër inflacionit, i pavarur nga politika dhe për një euro të fortë. Në këtë kuptim, sa gjerman jeni ju?
Këto janë vërtet virtyte gjermane. Por çdo guvernator banke qendrore në eurozonë duhet të bëjë këto gjëra.
Presidenti francez ka thënë se Europa duhet të mësojë nga shembulli gjerman…
Ka pasur të drejtë. Unë e kam thënë prej kohësh: Gjermania është një shembull. Modeli i vjetër i shtetit social në Europa ka vdekur, për shkak se nuk mund të realizohej pa borxhe. Gjermanët kanë gjetur një mënyrë tjetër, pa borxhe gjigande.
Keni një mesazh për gjermanët?
Vazhdoni kështu.
Tipike gjermane është edhe frika nga zhvlerësimi i parasë, inflacioni. E kuptoni diçka të tillë?
Gjermanët në shekullin XX kanë pasur përvoja të frikshme me inflacionin. Ai zhduk vlerat dhe i bën planet të parealizueshme. Për më tepër, ai mund të shkatërrojë një shoqëri.
Po meqë jeni shef i BQE, pse e lini inflacionin në 2.7 përqind, qartësisht më shumë se sa është synimi i BQE?
Prit pak. Kur çmimet e naftës dhe taksat po rriten nga shumë qeveri, ne për disa muaj e kemi mbajtur inflacionin stabël në 1.5 përqind. Në rast se inflacioni përkeqësohet, ne ndërhyjmë menjëherë. Dhe shikoni se faktet flasin vetë. Norma mesatare vjetore e inflacionit që nga themelimi i BQE është e krahasueshme me periudhën përpara futjes së euros.
A ka një përplasje mes vendeve të jugut me ato të veriut në BQE?
Jo, nuk ka asnjë përplasje mes jugut dhe veriut. Të gjithë anëtarët e Këshillit Drejtues kanë brendësuar kulturën gjermane të stabilitetit. Koha e konfliktit ka kaluar. Por po u them, në vjeshtën e shkuar situata ishin vërtet kritike. Mund të kthehej në një krizë shumë të rrezikshme të kreditimit dhe shumë kompani, të cilat papritur do mbeteshin trokë, do të falimentonin. Ne duhej ta ndalnim këtë.
Tani bankat po bëjnë një biznes të mirë?
Paratë e BQE kanë shkuar në vendet e duhura. Vetëm në Gjermani morën pjesë 460 banka në fushatë, më shumë se zakonisht. Por kjo ndihmë nuk ishte vetëm për bankat e sëmura, por edhe për shumë e shumë të vogla poshtë tyre. Kjo ndihmoi më së shumti firmat e mesme dhe të vogla, që përfaqësojnë 70 përqind të vendeve të punës në Europë.
Duket shumë optimiste. A është euro një monedhë e sigurt?
Po, është.
A ka mbaruar kriza?
Më e keqja ka kaluar, por ka akoma rreziqe. Situata është stabilizuar. Treguesit kryesorë të eurozonës, si inflacioni dhe deficitet janë më mirë se- të themi në SHBA. Besimi i investitorëve është kthyer dhe BQE prej javësh nuk ka blerë më bono qeveritare për mbështetje. Tani topin e kanë qeveritë. Ata duhet ta bëjnë eurozonën imune ndaj krizave.
Zoti Draghi, ju thoni se më e keqja e eurokrizës ka mbaruar. Por Greqia ka nevojë sërish për 100 miliard euro. A është ai vend një vrimë në ujë?
Grekët kanë ndërmarrë shumë reforma të rëndësishme në parlament. Nëse do të vendoseshin në praktikë, vendi do kishte një shans për të dalë nga spiralja aktuale.
Por në zgjedhjet e ardhshme aty mund të fitojnë parti që refuzojnë reformat.
Për të kaluar krizën, Greqia ka nevojë për stabilitet politik.
Shumë ekspertë mendojnë se dalja e Greqisë nga eurozona do e ndihmojë atë të jetë konkurruese.
Në lidhje me daljen e vendit nga eurozona, ne nuk e kemi në konsideratë.
Megjithatë…
Dalja nga eurozona dhe kthimi në një monedhë tyren nuk do i përmirësonte gjërat. Si pasoja do ketë destabilitet dhe inflacion shumë të lartë. Dhe në një kohë të parashikueshme, askush nuk do jepte para borxh Greqisë.
A duhet të heqë dorë Greqia nga mirëqenia?
Po, pikërisht një gjë të tillë synojnë ata duke brë shkurtime të pagave në çdo fushë. Por brenda eurozonës kjo është më e lehtë se jashtë saj.
Nëse do kishit ditëlindjen sot, cili do ishte urimi juaj për qeverinë gjermane dhe kancelarin?
Besojini BQE-së dhe besojini Europës.