Aleanca kuq e Zi mbështet Topin për rikandidimin si president
Kreu i Aleancës Kuq e Zi, Kreshnik Spahiu, gjatë një interviste të dhënë për AS, është shprehur skeptik për krijimin e partisë së perfolur të presidentit Topi, ndërsa ka lënë të kuptohet se Aleanca dotë mbështeste rikandidimin e tij.
“Unë mendoj që kjo parti nuk ekziston. Deri tani ka qenë thjesht një debat mediatik, i pabazë, pa referenca, aq më tepër që presidenti e ka shprehur qartë që ai do të përfundojë mandatin e tij si president. Pse jo, ndoshta do të jetë pjesë e debatit për mandate të tjera. Së dyti, do të thoja që ne nuk mundet kurrë të diskutojmë mbi një forcë politike, e cila mund të jetë dhe mund të mos jetë, për një arsye të thjeshtë, sepse ne nuk dimë se ç’program mund të ketë”, tha Spahiu.
Sakaq, ai e ka përjashtuar çdo mundësi për një koalicion të mundshëm me dy partitë e mëdha, PD dhe PS.
“Aleanca Kuq e Zi është një lëvizje e qendrës, më shumë se sa një parti politike, është një lëvizje popullore, një lëvizje e cila ka mbajtur larg gjithë ministrat, ish ministrat, funksionarët e lartë, deputetët apo ish deputetët, një lëvizje për ti krijuar hapësirën gjithë qytetarëve apo intelektualëve të cilët i kanë pasur dyert e mbyllura dhe në këtë kontekst dhe koalicionet e ardhshme, parazgjedhore mund të jenë me çdokënd, përveç PD dhe PS”, tha Spahiu.