E Diel, 1 Nëntor 2026

Për komunat me shumicë serbe, edhe 13 milionë euro

Prishtinë, 27 gusht – Qeveria në Prishtinë dhe ajo e Beogradit kanë ndërmarrë veprime konkrete të enjten për të “blerë” lojalitetin e serbëve të Kosovës.
Një ditë më parë, Qeveria e Kosovës ka ndarë 5 milionë euro për të mbështetur projekte infrastrukturore në Mitrovicë. Të enjten, Qeveria e Serbisë ka marrë vendim unanim që serbëve të Kosovës të vazhdojë t’u paguhet shtesa në pagë, që u ishte ndaluar me një vendim të Gjykatës Kushtetuese të Serbisë. Reagimi i Qeverisë së Kosovës ka qenë i menjëhershëm. Ajo është mbledhur pasditen e së enjtes për të ndarë edhe 13 milionë të tjerë për serbët – 5 milionë euro për tri komunat në veri të vendit të banuara me serbë që sundohen nga struktura ilegale dhe 8 milionë të tjerë për komunat me shumicë serbe, të cilat njohin sistemin kushtetues të Kosovës.
Kryeministri Hashim Thaçi ka arsyetuar domosdonë e marrjes së këtyre vendimeve, për të konsoliduar, funksionalizuar dhe fuqizuar shtetin. Vendimin e ka parë të rëndësishëm për t’u marrë në këtë kohë, pasi ka konsideruar se tash është një “periudhë e rëndësishme e fuqizimit, por edhe mbështetjes gjithëndërkombëtare për Republikën e Kosovës”. Megjithëkëtë, ka thënë se zotimi i bërë është edhe në kuadër të prioriteteve që i ka Qeveria.
“Ky angazhim për komunat e reja nga Qeveria, është që të arrijë nivelin e zhvillimit të komunave, por edhe krijimit të një ambienti më pozitiv për një jetë më të mirë për të gjithë qytetarët e komunave, pastaj në kuadër të mbështetjes së projekteve për përmirësimin e infrastrukturës, por edhe angazhimin dhe përmbushjen e provizioneve të pakos së presidentit Ahtisaari dhe Kushtetutës, që ofrojnë të drejta të barabarta për të gjithë”, ka arsyetuar vendimin kryeministri Thaçi. “Qeveria do të vazhdojë komunikimin e drejtpërdrejtë me qytetarët, me përfaqësuesit e tyre të nivelit lokal, për të përmbushur kërkesat e tyre sot, por edhe në të ardhmen”.
Kësisoj, nga komunat që udhëhiqen prej njerëzve që njohin sistemin kushtetues të Kosovës, nga 2 milionë euro kanë përfituar Graçanica dhe Shtërpca, kurse nga 1 milion euro Parteshi, Kllokoti, Ranilluku dhe Novobërda. Tri komunat ku sundojnë strukturat paralele, që i japin llogari Beogradit – Zveçani, Leposaviqi dhe Zubin-Potoku – bashkërisht kanë përfituar 5 milionë euro.
Derisa për këto të fundit pritet të kontraktohet nga Qeveria USAID-i për të qenë partneri përgjegjës për të implementuar këto fonde, komunave tjera do t’u qiten mjetet në kontot e tyre.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›