E Shtunë, 31 Tetor 2026

Banka e Luksemburgut “ngriu” për tri ditë mjetet e BQK-së

Prishtinë, 27 gusht – Transmetimi i lajmit se në Kosovë ishte arrestuar guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës kishte krijuar pasiguri në Bankën Qendrore të Luksemburgut rreth bashkëpunimit me BQK-në. E gjendur në siklet, Banka Qendrore e Luksemburgut (BQL) i kishte bllokuar për disa ditë mjetet që BQK-ja i kishte të investuara në këtë bankë, nga 23 korriku i këtij viti, merr vesh “Koha Ditore”.
Burimet brenda BQK-së, në kushte anonimiteti, kanë thënë se në ditën kur është arrestuar guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Hashim Rexhepi, Banka e Luksemburgut kishte bllokuar rreth 100 milionë euro, të cilat po i menaxhonte kjo bankë. Në ditën e arrestimit kishe skaduar marrëveshja që BQK-ja kishte me Bankën Qendrore të Luksemburgut për menaxhimin e këtyre mjeteve.
“Fjala ka qenë për asetet e BQK-së të investuara në Bankën Qendrore të Luksemburgut”, është shprehur ai.
Sipas të njëjtave burime pas ngjarjes që kishte ndodhur në Kosovë, Banka Qendrore e Luksemburgut për dy apo tri ditë nuk kishte dhënë ndonjë përgjigje nëse do të vazhdonin bashkëpunimin me BQK-në.
“Ata (Banka Qendrore e Luksemburgut) për disa ditë nuk na janë përgjigjur rreth investimit të mjeteve. Zyrtarisht nuk na kanë thënë asgjë, mirëpo në bazë të lëvizjeve të tyre, ata kanë qenë në mëdyshje nëse duhet të vazhdojnë bashkëpunimin me BQK-në, pas arrestimit të guvernatorit Rexhepi”, ka thënë ky burim.
BQK-ja kishte investuar 100 milionë euro në këtë bankë për një afat tremujor. Marrëveshja është dashur të vazhdohet, apo të ndërpritet.
“Në gjithë këtë situatë, Banka e Luksemburgut ka mundur të thotë më nuk mund t’i mbajmë mjetet e juaja. Por, kjo është e pakuptimtë, meqë secila bankë do të dëshironte t’i depozitonte 100 milionë euro në këtë kohë, sidomos një bankë siç është ajo e Luksemburgut”, ka thënë ky burim. “Megjithatë, shumë shpejt jemi sqaruar dhe tani presim të nënshkruajmë një memorandum bashkëpunimi”.
Sipas të njëjtit burim, BQK-ja vetëm me BQL-në ka pasur problem, ndërsa me institucionet tjera financiare nuk ka pasur asnjë problem.
“Bashkëpunimi është duke vazhduar me të gjitha institucionet tjera financiare, pasi kishte disa dyshime nga disa institucione ndërkombëtare që janë në Kosovë, nëse do të reagojnë njëjtë edhe institucionet tjera. Por, kjo nuk ka ndodhur”, i ka thënë gazetës burimi nga BQK.
Besnik Kada, zëdhënës në BQK, ka thënë se asnjëra nga bankat, më të cilat bashkëpunon BQK, nuk ka bllokuar mjetet e BQK-së.
“BQK, në mënyrë të pavarur vendos për profilin e bankave të saja korrespondente duke u bazuar gjithnjë në kriteret e përcaktuara me politikën e saj të investimeve”, ka thënë ai.
Ndërkohë, edhe në Ministrinë e Ekonomisë dhe Financave thanë se mjetet nuk kanë qenë të bllokuara për asnjë moment.
“Nga fondet që ne i kemi të investuara jashtë vendit, nuk kemi fonde të bllokuara dhe as që kemi pasur fonde të bllokuara, as para dhe as pas arrestimit të guvernatorit të Bankës Qendrore të Kosovës”, ka thënë zëdhënësi i MEF-it, Muharrem Shahini.
Në bazë të politikës investime, BQK-ja i investon mjetet në instrumentet e tregut të parasë.
Ndër tri bankat qendrore të këtyre shteteve evropiane me të cilat bashkëpunon BQK janë: Banka Qendrore e Gjermanisë (Deutsche Bundesbank), Banka e Francës (Banque de France) dhe Banka Qendrore e Luksemburgut (Banque Centrale du Luxemburg) të cilat kanë një rrezik kreditor minimal dhe katër banka komerciale të shteteve anëtare të BE-së të cilat kanë një klasifikim kreditor Aa ose Aaa sipas vlerësimeve nga agjencitë ndërkombëtare financiare, Moody’s, Fitch dhe Standard & Poor’s, thuhet në raportin vjetor të BQK-së për vitin 2009.
Gazeta ka kontaktuar edhe Bankën Qendrore të Gjermanisë, në të cilën janë të investuara një pjesë e fondeve të BQK-së, nëse ata kanë ndërmarr ndonjë masë pas arrestimit të Guvernatorit të BQK-së, Hashim Rexhepi.
“Ju lutem që të keni mirëkuptim, se për shkak të sekreteve bankare ne nuk mund të përgjigjemi në pyetjet tuaja”, është përgjigjur shkurt zyrtarja për informim në Bankën Qendrore të Gjermanisë.
Ndonëse, gazeta ka kontaktuar edhe Bankën Qendrore të Francës dhe Bankën Qendrore të Luksemburgut, ato ende nuk ka dhënë ndonjë përgjigje nëse kanë ndërmarrë ndonjë veprim lidhur me bashkëpunimin që kanë me BQK-në pas arrestimit të guvernatorit Rexhepi.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›