E Diel, 1 Nëntor 2026

550 mijë euro për superkëshilltarin e PTK-së

Prishtinë, 26 gusht - Ministria e Ekonomisë dhe Financave do t’i japë më shumë se 549 mijë euro kompanisë “Hunton and Williams LLP”, në partneritet me “Castilia Strategic Advisors” dhe “David Ross Group”, për ofrimin e shërbimeve këshillëdhënëse strategjike për procesin e privatizimit të aksioneve të Postës dhe Telekomit të Kosovës, raporton gazeta Zëri. Adriatik Berisha, këshilltar për komunikim dhe marrëdhënie me publikun në njësinë implementuse të projektit për privatizimin e PTK-së, konfirmon se vlera e kontratës është 549 mijë e 233 euro.
Sipas Zërit, vitin e kaluar MEF-i kishte angazhuar koncorciumin austriak Telco AG dhe Wolf Theiss si këshilltar të transaksionit për privatizimin e PTK dhe njëkohësisht tashmë edhe 3 kompani ndërkombëtare janë angazhuar për ofrimin e shërbimeve strategjike këshillëdhënëse, duke marrë kështu rolin e superkëshilltarit të PTK-së.
“Krahas angazhimit të këshilltarit të Transaksionit, angazhimi i këshilltarit strategjik për procesin e privatizimit të aksioneve të Postës dhe Telekomit të Kosovës është edhe një hap i duhur për implementimin me sukses të këtij projekti të rëndësishëm”, ka potencuar Berisha.
Në anën tjetër, deputetë të Kuvendit të Kosovës, por edhe ekspertë të ekonomisë në mënyre kategorike kundërshtojnë vendimet e Ministrisë së Ekonomisë dhe Financave për përzgjedhjen e kompanive konsulentë për privatizimin e Postës dhe Telekomit të Kosovës pa u marrë vendim përfundimtar nga Kuvendi i Kosovës.
Lumir Abdixhiku, drejtor i Institutit “Riinvest”, thotë se Qeveria është duke punuar në mënyrë jotransparente rreth shitjes së PTK-së.
“MEF-i po luan me trika dhe po merr vendime të parakohshme të pabazuara në ligj dhe në mënyrë jotransparente. Strategjia e miratuar në parim në mënyrë joligjore nga kryeparlamentari Krasniqi është thënë se do të kthehet prapë, por një gjë të tillë e ka refuzuar kryeministri Thaçi. Kjo të tregon fare qartë se këtu ka parregullsi, përshpejtim për të shfrytëzuar kohën kur Kuvendi është në pushim vjetor”, tha ai.
Edhe Driton Tali, deputet i pavarur në Kuvendin e Kosovës, thotë se marrja e vendimeve të paligjshme nga MEF-i tregon se sa e fortë është Qeveria e Kosovës, karshi qytetareve të saj.
Tali thotë se Kuvendi i Kosovës është krejtësisht jashtë loje në çdo vendim dhe sipas tij, ai është duke shërbyer vetëm si teatër i kukullave.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›