E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hidrocentrali i Zhurit, me rëndësi strategjike për Kosovën

Prishtinë, 26 gusht - Ndërtimi i Hidrocentralit të Zhurit ka rëndësi strategjike për Kosovën, pasi ky është një kusht për t’i plotësuar marrëveshjet ndërkombëtare për prodhimin e energjisë së pastër. Kështu thonë ekspertë të cilët hidrocentralin e shohin më tepër si një obligim sesa përfitim.
Ministria e Energjisë dhe Minierave ka pranuar dje shprehjet e interesit për ndërtimin e Hidrocentralit të Zhurit, nga dy konsorciume dhe një kompani ndërkombëtare. Ndërtimi i këtij hidrocentrali, nga eksperti Luan Shllaku, shihet si i një rëndësie strategjike, jo për faktin se do të prodhohen disa qindra megavat më shumë, por, për faktin e të ardhmes integruese.
“Kosova është e obliguar, pra, patjetër duhet të ndryshojë strukturën e prodhimit të energjisë, në këtë moment është 98% prodhuese e termo-energjisë dhe nuk ka qare që deri në vitin 2020 të prodhojë të paktën 20% energji të pastër apo hidro-energji. Kushti që çështja e Zhurit është jetike për Kosovën karshi obligimeve ndërkombëtare”, thotë Shllaku.
Nga ana e saj, edhe deputetja nga radhët e AKR-së, Muzejene Selmani ndërtimin e Hidrocentralit të Zhurit e sheh si të obligueshme.
“Hidrocentrali është standard i BE-së, i cili duhet të plotësohet dhe një marrëveshje shumë e mirë mes shtetit shqiptar dhe të Kosovës kishte me çel rrugën drejt integrimit, se integrimi bëhet ekonomik edhe në sektorin e energjisë dhe në të gjithë sektorët tjerë”, tha Selmani.
Ndryshe, janë tri kompani nga Austria, Anglia dhe Turqia që kanë shprehë interesimin për ndërtimin e hidrocentralit të Zhurit.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›