E Shtunë, 31 Tetor 2026

Teprimi si amatorizëm ose karikaturë

Teprimi është shprehje e diletantizmit dhe e amatorizmit, ose, përndryshe, e parodisë. Ky ishte mendimi që m’u rrotullua vetëtimthi në mendje duke përcjellë për të njëzetën herë a më shumë njoftimet e ditës më të fundme për krimin e Himarës. Një krim me të vërtetë barbar, po aq barbar sa dhjetëra e dhjetëra krime të ngjashme që ndodhin tashmë rregullisht gjatë “muajve të ferrit”, siç quhen prej vitesh korriku dhe gushti, muajt kur aksidentet, vrasjet, larjet e hesapeve të mërgimtarëve të kthyer dhe të vendësve sigurisht, arrijnë deri në 50. Por, ndryshe prej tyre, ky krim u kthye në çështje më vete, kombëtare dhe ndërkombëtare, etnike e ndëretnike, politike e diplomatike, qeverisëse e joqeverisëse. Aq shumë personalitete e zëdhënës u ngritën më këmbë për të denoncuar krimin që ndodhi në Himarë, saqë njeriut nuk i mbetet gjë tjetër veçse të dyshojë mbi një të vërtetë të shenjtë, mbi një të vërtetë biblike, që individët para vdekjes janë të barabartë dhe pastaj të mendosh me dëshpërim: Mëkat që këta të tjerët, që ikën kësaj bote gjatë korrikut dhe gushtit prej plumbave, thikave apo aksidenteve, nuk qenë lindur diku ku ndërthuren interesa të dy shteteve, të dy vendeve fqinje, të cilët, jo shumë larg prej kësaj dite, do të jenë pa kufij politikë e shtetërorë midis tyre. Mëkat që nuk je lindur pak minoritar, pak vorioepirot! Ose, së paku, është mirë të vdesësh duke qenë formalisht i tillë. Sepse në këtë rast do të merren me ty Presidenti, Kryeministri, ministri i Jashtëm, kryepeshkopi, Himara, Gjirokastra, Tirana, Athina, Brukseli; do të vajtojë për ty gjysma e Shqipërisë e gjysma e Greqisë, do të shahet për ty Vlora e Labëria, do të mburret për ty gjithë aradhja vijimtare e Spiro Milos së historisë, madje do të marrë pjesë në zi e në përzi edhe Kosova! Por, ndërsa i shkon në mendje të gjitha këto, nuk mund të rrish pa e pyetur veten: çudi, pse nuk ndodhin të tilla përdorime kur ka ngjarje të rënda në Dropull, ku dihet e njihet nga shqiptarët dhe grekët se ekziston e banon një popullsi konsistente etnikisht greke; një minoritet që njihej me këtë status qysh në periudhën e mbretërisë, pastaj dhe të totalitarizmit? Pikërisht kjo është pyetja që mund ta çojë mendjen njerëzore drejt së vërtetës. Sepse në Dropull, çështja është shumë e qartë dhe nuk ka asgjë për të ndarë, për të zvogëluar, për të zmadhuar, për të përdorur, për të keqpërdorur. Tirana e njeh popullsinë si greke, Athina është e kënaqur me këtë. Në të kundërtën, në Himarë lufta vazhdon. Një luftë që ka nisur prej shekujsh, thonë historianët. Në të vërtetë, një luftë që nuk ka ndonjë traditë më të hershme se koha e shpalljes së pavarësisë. Dhe në atë kohë nuk pati vetëm në Himarë dukuri separatizmi: pati edhe në Shqipëri të Mesme, madje dhe më në veri, në Mirditë për shembull. Një mosmarrëveshje ndëretnike që u shfaq me egërsi pikërisht kur shtetasve të vendit iu njoh e drejta e dallimit: racor, etnik, kombëtar, kulturor, gjinor, krahinor, fetar. Një mosmarrëveshje e shndërruar pak nga pak në çështje rezolutash, greke e shqiptare, madje dhe evropiane; një konflikt që pak nga pak i ka kthyer banorët e Himarës në viktima të manipulimit: janë të mitë dhe jo të tutë, këta janë të mitë e këta janë të tutë, këtu flitet shqip dhe poshtë Greqia, këtu flitet greqisht dhe poshtë Shqipëria.
Krimi i ndodhur në Himarë tregoi se Greqia dhe Shqipëria janë të gatshme për të hyrë në betejë për të: kush shpreh më shumë shqetësim, kush bën më shumë alarm, kush e ndërkombëtarizon më shumë problemin, kush u jep më shumë rëndësi ngjarjes, kush e tepron më shumë, kush zmadhon më shumë. Në këtë rast, përveçse merret vesh që për Himarën e japim kokën, të vjen të pyesësh: gjithë ky teprim përse po ndodh, për shkak të amatorizmit apo për shkak të ndonjë prirjeje karikaturizmi? Meqë zgjedhja e dytë do t’i fyente palët pjesëmarrëse në përballje, për të mirën e tyre, nuk na mbetet zgjedhje tjetër veç diletantizmit. Vrasja e të ndjerit A. Guma në Himarë, në mënyrën si u trajtua politikisht dhe diplomatikisht, prej shkallës së bashkisë deri te kryeqytetet, pati domethënien anakronike: “Të vritesh si grek”. Kinemaja më e madhe e botës së sotme, Hollywood-i, e provoi dy-tre vjet më parë të heroizonte vdekjen spartane të lashtësisë helene, duke prodhuar filmin e njohur “300”. Por shumë shpejt “vdekja spartane” hollivudiane u kthye vërtet në parodi. Dhe njerëzit sot shohin më shumë dhe më me ëndje parodinë “300 pallat” se filmin e vdekjes heroike. Pra, është shumë e qartë: sjellja politike e dy shteteve, dy qeverive, dy diplomacive, për të mos qenë karikatureske, nuk mbetet veçse të quhet amatore, joprofesionale. Sepse kësaj sjelljeje nuk i mungon asgjë, përveç thelbit: njerëzisë. Sjellja ndaj vdekjes është ajo që dallon politikat humaniste prej atyre që nuk e kanë këtë përbërës. Në të vërtetë krimi i Himarës u përdor. Për çfarë nuk u përdor: për të fituar ndikim mbi popullsinë e qytetit, për të shqiptuar kërkesa politike për vetëqeverisjen vendore dhe për decentralizimin e pushtetit, për të krijuar një kundërveprim homogjen të popullsive pakicë ndaj popullsisë shumicë (nuk qe e rastit që një përfaqësi e arumunëve, pikërisht në ditën e grevës së shpallur në rajonin e banuar prej minoritetit grek, kërkoi status). Dhe cili qe përfundimi? I thënë me terma të politikës europeiste, përfundimi qe diskriminues. Për më tepër, diskriminues ndaj popullsisë shtetformuese shumicë, shqiptarëve. Sepse si shqiptar mund të vritesh kur të duash, mund të vdesësh kur të duash, mund të ikësh në botën tjetër prej një aksidenti ose që duket si aksident; prej kamës së të çmendurit apo kobures së delinkuentit, por, përveç një lajmi në ekranet me zona interaktive, dhe ndoshta një njoftimi me iniciale në minutat e kronikës së zezë, askush nuk do të kujtohet për ty. Madje, edhe në ndodhtë që aksidenti të jetë aq i madh sa të shpallet ditë zie, të pasnesërmen ngjarja do të harrohet, kurse të vdesësh në Himarë nuk harrohet aq kollaj. Madje dhe familja e të afërmit ndoshta do të dëshironin pak heshtje intime, por kush të lë? Ky është rasti më i mirë për të formuluar projekte që do të kërkonin deri dhe ndryshime kushtetuese, si, bie fjala, formimi i policive etnike greke për rajonet e banuara nga minoritarët. Që vdekja në Himarë u përdor e u keqpërdor nga veprimtarët politikë për të krijuar ftohtësi e ndoshta dhe armiqësi midis dy popujve, midis Bregdetit dhe Labërisë, midis Vlorës e Himarës, kjo mund të provohet shumë lehtë, vetëm duke krahasuar numrin e pushuesve shqiptarë që ishin në plazhet e Spilesë gjatë 15 ditëve të para të gushtit, me ata të dyjavëshit të dytë. Zhurma që u bë për krimin, theksimi i fobive etnike, pikërisht në kohën e mbylljes së sezonit të njërës palë të pushuesve dhe të fillimit të sezonit të tjetrës, bëri që shumë shtetas shqiptarë t’i anulojnë pushimet në Himarë. është shkruar me naivitet se Bashkia e Himarës me mençuri e ka mbrojtur qytetin prej ndërtimeve të mëdha, ndryshe prej Tiranës, Durrësit, Vlorës. Në të vërtetë, Bashkia e Himarës, me një dinakëri të dukshme për këdo që nuk është naiv, e ka penguar ndërtimin e rrjeteve turistike me kapacitete të mëdha dhe me luks pushimesh pikërisht “për të ruajtur pastërtinë” dhe interesat filogreke të një pjese të vogël të banorëve të saj. Me një fjalë, strategjia është kjo: sa më pak kryeqytetas, sa më pak pushues që nuk dinë të flasin greqisht. Frika prej shqipes është frika e qeverisësve vendorë, që ka bërë të kufizohen ndërtimet turistike. Dhe paniku i përhapur për “krimin etnik” shqiptar ndaj grekut, vorioepirotit, himarjotit grekofon, shkoi plotësisht në përputhje me këtë dinakëri. Më pak shqiptarë pushojnë tani në Himarë. Por njëherësh qindra familje himarjote u prekën rëndë prej kësaj politike, ndjenjat etnike të fanatikëve u përdorën kundër interesave të tyre jetikë: më pak apartamente u dhanë me qira, më pak para u shpenzuan për pushime, më pak konsum pati në restorante dhe bare, në magazina e shitore të zakonshme, në klube dite e nate. Thënë ndryshe, parodia a dilentantizmi politik, i duartrokitur prej fanatikëve, duket se mbron interesat e Himarës dhe të himarjotëve, por në fakt i ka privuar tashmë nga fitimet e natyrshme që priteshin, pa llogaritur humbjet e tjera: morale, sociale dhe politike. (Nga gazeta “Shqip”)

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›